Postuar me: 9:05 15-06-2012

Monti-Hollande: Masat s’mjaftojnë për zhvillimin e Greqisë

Shperndaje
Etiketat

Me frymën pezull po pret gjithë bota rezultatin e zgjedhjeve greke, siç tregohet nga mesazhet që vijnë nga Berlini, Brukseli dhe Uashingtoni.

Angela Merkel ka vendosur të shtyjë nisjen e saj për në Meksikë, ku do të zhvillohet G20, për të mësuar sa më shpejt rezultatin e zgjedhjeve dhe të ketë reagimin e menjëhershëm, që bankat qendrore të ekonomive më të mëdha, të jenë gati për të injektuar likuiditetin në tregjet, në rast trazirash. Shqetësimi i qartë duket edhe në faktin që komisioneri Olli Rehn vendosi të mos shkojë në Samitin e G20.

Kryeministri italian Mario Monti dhe presidenti francez Francois Hollande konfirmuan gjatë takimit të tyre në Romë, se duan qëndrimin e Greqisë në euro, në qoftë se ky vend respekton angazhimet e veta.

Kryeministri italian tha se qëllimi i tyre i përbashkët është qëndrimi i Greqisë në zonën Euro, por bëri të qartë se si ai, ashtu edhe presidenti francez presin që qeveria e re greke të përmbushë atë për të cilën është rënë dakord me Trojkën. Ata deklaruan se “ka pasur shumë progres në luftën ndaj krizës së borxhit të eurozonës”, por theksuan se ajo nuk është e mjaftueshme dhe se “duhet të forcohen pjesët e dobëta të sistemit”.

«Në Greqi, dita e zgjedhjeve afroi. Janë grekët ata të cilët duhet të vendosin. Ne i respektojmë ata. Kanë bërë përpjekje të mëdha për t’iu përgjigjur të gjithave çfarë iu kërkua. Por situata, megjithatë është tragjike. Populli grek duhet të tregojë përsëri përkushtimin e tij në zonën e euros dhe Greqia të respektojë angazhimet e saj. Evropa nga ana e saj, është e domosdoshme të bëjë detyrën e saj», vuri në dukje kryeministri francez, Francois Hollande. Ai kërkoi që Evropa të bëjë detyrën e saj për rritjen e zhvillimit në Greqi dhe të shkohet direkt në disbursimin urgjent të fondeve strukturore të BE. Zoti Monti tha se janë pajtuar me zotin Hollande për faktin se disiplina fiskale nuk është e mjaftueshme për të stimuluar rritjen ekonomike.

Ndërkaq, evropianët janë të përgatitur për të gjitha mundësitë që mund të ofrohen pas zgjedhjeve kritike të së dielës në Greqi. Ministrat e financave të shteteve anëtare të eurozonës po planifikojnë të mbajnë një konferencë telefonike, sapo të mësojnë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Greqi në mbrëmjen e së dielës. “Një konference telefonike e Eurogroup duhet të bëhet pasi të njihen rezultatet të dielën pasdite, por asgjë nuk është vendosur definitivisht”, ka thënë një burim i BE për agjencinë franceze të lajmeve, duke argumentuar se “kjo do të bëhet veçanërisht nëse SYRIZA del forcë e parë”.

15.06.2012

 

Burimi: Balkanweb

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.