Postuar me: 9:48 14-06-2012

Moratoriumi, Italia e quan masë ekstreme

Shperndaje
Etiketat

Ambasadori Gaiani shpreson që metoda të këtij lloji nuk do të jenë më të nevojshme  

Gaiani e quajti periudhën e pushtimit një periudhë të errët në marrëdhëniet mes dy vendeve

Italia, destinacioni i skafeve me ngarkesa ilegale nga Shqipëria, e konsideron masë ekstreme dhe tashmë të panevojshme ndalimin e mjeteve lundruese në Shqipëri. Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, e konsideroi ekzaktësisht si “masë ekstreme” moratoriumin e skafeve, të cilin opozita shqiptare po kërkon ta rrëzojë, ndërsa mazhoranca këmbëngul për ta mbajtur në fuqi.

Ambasadori italian, Gaiani, foli dje për këtë çështje gjatë forumit informues mbi procesin e integrimit europian dhe kuptimin e tij, të organizuar nga universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit. Në fjalën e tij, ambasadori italian është ndalur edhe në çështjen e moratoriumit të skafeve që e ka konsideruar si një masë ekstreme të vendosur nga qeveria në një moment të rëndësishëm dhe që rezultoi efikas për bllokimin e trafiqeve të paligjshme të mallrave të ndaluara dhe njerëzve. Më tej ambasadori theksoi se shpreson që metoda të këtij lloji nuk do të jenë të nevojshme të aplikohen më, por duke lënë të kuptohet që mbajtja në fuqi e moratoriumit ka të bëjë me vendimmarrjen e qeverisë shqiptare.

Gaiani e vlerësoi moratoriumin edhe për jetët e rrezikuara në det nga trafikimi klandestin i njerëzve. Diplomati vlerësoi rolin e akademikëve dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit në BE, duke shtuar se procesi duhet të vazhdojë edhe në kohë krize, duke synuar përballimin e problemeve me një çmim sa më të ulët ekonomik.

Gjatë fjalës së tij në Universitetin e Durrësit, ambasadori italian e ka vlerësuar zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e kreut të shtetit si një zgjidhje të shkëlqyer për aq kohë sa nuk ka asnjë kundërshtim rreth saj. Gaiani shprehu konsiderata të larta për figurën e Presidentit të ri, Nishani.

“Nishani ka një profil të shkëlqyer, është person i nivelit të lartë mbi të cilin askush nuk tha diçka. Zgjedhja e presidentit është një çështje që i takon popullit shqiptar dhe përfaqësuesve të tyre në Kuvend”. Megjithëse ka pohuar se nuk do të donte që qëndrimin e tij për presidentin ta bënte publik, ambasadori gjeti fjalët më të mira për të mbështetur këtë zhvillim më të fundit në vendin tonë dhe dialogun e vendosur mes partive politike.

Zgjedhja e presidentit, sipas diplomatit italian, qe pjesë e një procesi kushtetues që pritet të marrë vlerësimin e Bashkimit Europian, ndërkohë që mundësitë e Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat i ka vlerësuar të mira, me gjithë ngjarjet e fundit politike në vend. “Nga një deri në dhjetë, mund t’ju them që mundësitë për marrjen e statusit të vendit kandidat janë të larta, po raporti i vlerësimit që pritet të paraqitet në tetor do të jetë i rëndësishëm në këtë drejtim”.

Në përgjigje të një pyetjeje mbi qëndrimin pozitiv të BE-së ndaj Serbisë, z.Gaiani u shpreh se ai duhet parë si një faktor për sigurimin e stabilitetit në rajon, një rajon ky i mbarsur me konflikte të cilat kanë diktuar dhe ecurinë e Shqipërisë në këto 100 vite të fundit si shtet i pavarur.

Më tej, i ftuari i nderit i forumit, që u mbështet edhe nga Ambasada Britanike, vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, kulturat e afërta, si dhe komunitetin mjaft aktiv të emigrantëve shqiptarë në Itali, si një komunitet i integruar më së miri në jetën e vendit të tij dhe që aktualisht numëron deri në 30 mijë biznese të hapura prej tyre në gadishullin Apenin.

Duke u ndalur tek asistenca italiane ndaj Shqipërisë ndër vite, ai e quajti periudhën e pushtimit një periudhë të errët në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërkohë që asistenca e dhënë gjatë dy dekadave të fundit ka pasur si qëllim mundësinë reale për një tranzicion të qetë, të paqtë në Shqipëri. – Vali Qyrfyçi

 

Deklaratat

Skafet – Ambasadori tha se moratoriumi i skafeve ishte një masë ekstreme e vendosur nga qeveria në një moment të rëndësishëm dhe që rezultoi efikase. Ai theksoi se shpreson që metoda të këtij lloji nuk do të jenë të nevojshme të aplikohen më.

Presidenti – “Nishani ka një profil të shkëlqyer, është person i nivelit të lartë mbi të cilin askush nuk tha diçka. Zgjedhja e presidentit është një çështje që i takon popullit shqiptar dhe përfaqësuesve të tyre në Kuvend”.

Integrimi – “Nga një deri në dhjetë… mund t’ju them që mundësitë për marrjen e statusit të vendit kandidat janë të larta, po raporti i vlerësimit që pritet të paraqitet në tetor do të jetë i rëndësishëm në këtë drejtim”.

14.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.