Postuar me: 14:14 24-05-2012

Muri i (pa)kalueshëm

Shperndaje
Etiketat

DITMIR BUSHATI

ditmir-bushati

ditmir-bushati

Sot është 24 maj. Afati kur duhej të përfundonte reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare, si dy komponentë të rëndësishëm të së ashtuquajturës “Paketa e nëntorit”, e cila parashikonte miratimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar, sipas një kalendari preciz të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. 24 maji u vendos si afat nga Bashkimi Europian gjatë takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim-Asocimit, që u mbajt më 15 maj në Bruksel. Madje, në konferencën për shtyp që pasoi Këshillin e Stabilizim-Asocimit, komisioneri për Zgjerimin, Fyle, e tha shkoqur se “këto dy reforma duhet të përfundojnë para përfshirjes së Kuvendit në procedurat e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës”.
E vërteta është se “Paketa e nëntorit” është realizuar pjesërisht. Janë miratuar vetëm ligjet që kërkonin një shumicë të cilësuar dhe është zgjedhur Avokati i Popullit. Procese, të cilat janë mundësuar falë kontributit të pamohueshëm të opozitës. Ndërkohë që puna dhe mandati kohor i Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe grupit të punës për reformën parlamentare janë shtyrë disa herë, duke mos prodhuar ende rezultatet e pritshme.
Këshilli i Stabilizim-Asocimit përcaktoi tri linja të qarta për t’u ndjekur nga Shqipëria, në mënyrë që vjeshta të shoqërohet me statusin e vendit kandidat: i) përfundimi i reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare para 24 majit; ii) zgjedhja e Presidentit të Republikës mbi bazën e një procesi gjithëpërfshirës politik, në respekt të germës dhe frymës së Kushtetutës, që kërkon një president simbol të unitetit të popullit; iii) ndërmarrja e reformave të qëndrueshme në fushat që kanë lidhje me sundimin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, në mënyrë që të krijohet një “masë kritike”, çka do t’i krijonte terrenin e favorshëm Komisionit Europian që të përgatiste për 27 vendet anëtare të BE-së propozimin për statusin e vendit kandidat.
Mirëpo, edhe të “drejtën e dyshimit” për 9 ditët e vëna në dispozicion nga Këshilli i Stabilizim-Asocimit e shpërdoruam me gjakftohtësi, duke nxjerrë më në pah shëmtinë që karakterizon politikën shqiptare, si pasojë e paaftësisë për të rënë në ujdi për çështje madhore, për shkak të dëshirës së shfrenuar për të sunduar me çdo kusht e me çdo mjet.
Sërish jemi përballë një muri të (pa)kalueshëm që u paralajmërua publikisht nga komisioneri për Zgjerimin, Fyle, kur tha se “në rast se reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare nuk përfundojnë para fillimit të procedurave parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ‘Paketa e nëntorit’, nga pjesë e zgjidhjes mund të kthehet në pjesë e problemit”. Këtë mur e ndërtoi instinkti i pashtershëm për sundim me çdo kusht përkundrejt interesit kombëtar, duke ngatërruar qëllimisht tri linjat e sipërpërmendura me njëra-tjetrën, me shpresën se hapësira politike do të dominohet nga loja e baltës, ndërkohë që koha fluturon.
Dihet që Komisioni Europian është “miku më i mirë” i vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE gjatë rrugëtimit të tyre. Në rastin e Shqipërisë mund të thuhet pa frikë se ndihma e Komisionit ka shkuar përtej asaj çka mund të imagjinohet. Një seri seminaresh dhe takimesh të organizuara në Tiranë e Bruksel me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë për të zbërthyer 12 prioritetet kryesore në dokumente, aktivitete dhe masa konkrete, listë reformash dhe angazhimesh të rëna dakord për t’u kryer në afate konkrete, të cilat shtyhen nga një muaj në tjetrin. Prani e shpeshtë e niveleve më të larta të Komisionit Europian në Tiranë për të nxitur jo thjesht bashkëpunimin politik, por për të ndihmuar në zbatimin e duhur të reformave që do të përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve.
E megjithatë, nga lista e 12 prioriteteve kryesore për shtet-ndërtimin kemi përmbushur veç atë që ka të bëjë me miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe gjysmën e prioritetit që ka të bëjë më zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Ky përvjetor i Shqipërisë 100 vjeç shtet nuk mund të festohet në mënyrë folklorike. Përkundrazi, duhet të shërbeje si një stacion i rëndësishëm i rrugëtimit euroatlantik të kombit shqiptar. Në këtë kontekst, politika jonë konstruktive dhe stabilizuese në rajon duhet shoqëruar me veprime frymëzuese që do të përçonin te bashkëkombësit tanë, kudo ku ata jetojnë, kredencialet më të larta demokratike.
Le të mos harrojmë, çështja e statusit dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim është: i) çështje e vlerësimit politik, pasi lidhet direkt me kredon politike dhe imazhin në tërësi për vendin, duke nënkuptuar një perspektivë më konkrete për aderimin në BE; ii) çështje e vlerave dhe përkatësisë sonë europiane si komb, pasi lidhet me modelin e jetës publike dhe institucionale që duam të ndërtojmë; iii) çështje e axhendës zhvillimore të vendit, e cila do ta zhvendoste “menynë” e BE-së me Shqipërinë në fushat që kanë ndikim të dukshëm në transformimin dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.