Postuar me: 14:20 14-06-2012

Mustafa Nano: Berisha, një maskara autentik

Shperndaje
Etiketat

Mustafa Nano, në sitin e tij online ka një rubrikë me rreth 25 pyetje standarde, të cilat ua drejton të ftuarve të tij. Po vetë Mustafai si do të përgjigjej nëse dikush do t’i bënte këto 25 pyetje që ai ua bën të tjerëve? Sot kemi zgjedhur ne ta kemi atë të ftuar në “Jetë” duke gatuar të njëjtat pikëpyetje e duke marrë nga ai përgjigje, që ndoshta duke njohur temperamentin e tij do t’i kishim imagjinuar, por na besoni, është ndryshe kur i lexon.

 

1. Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?

Nuk e di. Nuk jam i sigurt. Mund të ekzistojë. Ndoshta dhe duhet.

 

2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?

Të gjithë ekspertët e gjuhës, sidomos ca që unë i vlerësoj, janë të idesë se gjuha shqipe është si të tjerat. Mua, si përdorues i gjuhës, nuk më duket kështu. Janë huazimet që kemi bërë nga gjuhët e huaja (dhe s’e kam fjalën vetëm për fjalë, terma e idioma të veçanta, por edhe për struktura sintaksore, s’ka gjë se dhe ndonjë strukturë e jona s’do ish keq të huazohej nga të tjerët), që e kanë bërë gjuhën tonë më të plotë e që ia kanë rritur fuqinë shprehëse.

 

3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?

Në këtë pikë jam me Hobbes-in, Freud-in, etj: njerëzit janë esencialisht të këqinj.

 

4. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?

Është një realitet. Por i brishtë, jo i bukur. Është shumë i brishtë. Këtë realitet e kemi, dhe e kemi patur, peshqesh prej faktit që besimet fetare i kemi mbajtur larg ekstremizmave. Dhe do ta kemi këtë realitet për aq kohë sa do dimë t’u tregojmë vendin ekstremizmave fetare. Në momentin që ekstremizmat fetare do fitojnë terren, atëherë do na duhet të bëhemi gati ta vajtojmë harmoninë mes feve. E vetëm dreqi e di se ç’vjen më pas. Edhe unë e di.

 

5. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?

Po, sigurisht. Por po kështu shoh qartë diferenca kulturore, të cilat, sipas meje, e bëjnë bashkimin kombëtarë në këtë moment jo vetëm të pakëshillueshëm, por edhe jo të mundur. Hë për hë një Shqipëri e bashkuar në një shtet të vetëm demokratik, nënvizoj ‘demokratik’, nuk do të funksiononte.

 

6. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?

Po, e mendoj. Dhe e besoj. Dhe ligështohem. Por në botën demokratike nuk llogaris Shqipërinë, ku vrasjet bëhen për arsye pu-shtet-ërore. E bëhen faqe botës. Meqë ra fjala, nuk do doja të ikja nga kjo botë pa marrë vesh se ata që kanë urdhëruar vrasjet e 21 janarit 2011, dhe ata që u janë bindur urdhërave, janë ndëshkuar për këtë krim që kanë bërë.

 

7. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?

Ishte një grusht shteti. Për fat të keq, ‘zhvillime demokratike’ nuk pati as pas grushtit të shtetit. Noli nuk arriti të bënte as zgjedhje, që do ta legjitimonin atë grusht shteti. S’merret vesh pse. Por …. ky fakt nuk e lëndon personazhin Fan Noli, ashtu si nuk do ta lartësonin kushedi se çfarë ca bëma të ndritura politike. Politika ka qenë një aksident në jetën e Nolit.

 

8. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?

I qortueshëm. Absolutisht. Ndonjë precedent që përmendet për ta justifikuar ikjen e Zogut nuk mban. Për më shumë se një arsye.

 

9. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?

Po, kjo është një gjë e dokumentuar, tanimë. Por komunistëve u mbetet, pa diskutim, dhe kurora e luftës kundër nazi-fashizmit. Këtë kurorë ua kanë dhënë dhe kundërshtarë të tyre, si – po përmend dy ‘të mijtë’ në këtë rast – Abaz Ermenji e Xhelal Staravecka. Them ‘të mijtë’, ngaqë janë skraparllinj.

 

10. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?

Këtë pyetje e kam përfshirë në pyetësor enkas për të marrë vesh një lloj vetëshqyrtimi dietrologjik të të intervistuarëve. Ju doni të dini ‘vizionin’ tim dietrologjik? Po ua them: Do dilja partizan. Gjë e besueshme, apo jo? Unë jam partizan edhe pa pasur asnjë luftë. Unë edhe kur fle gjumë, jam partizan. Unë nuk rri dot pa mbajtur qëndrime e pa i mbrojtur këto qëndrime.

 

11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?

Kompaktësimi kulturor i shqiptarëve ishte një arritje. Shqipëria e vitit 1939 ishte tërësisht tribale; ajo e vitit 1990 nuk ishte më e tillë. Si për dreq, tani po rilindin ca afermacione e rivendikime të natyrës tribale.

 

12. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?

Lëre mos e pyet. Një marri e jona kolektive, që u provokua nga Sali Berisha, dora vetë. Ju kujtohet Sali Berisha? S’e mbani mend? Eh, keni të drejtë. Kanë kaluar shumë vite. Burrë i poshtër ka qenë. Një maskara autentik.

 

13. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në rrethanat, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?

S’e di. Do duhej t’m’i jepnit këto rrethana. Por …. faleminderit; vetëm këto rrethana nuk i lus. Kurrë. E kush do t’i luste?

 

14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?

Është përkthyer, tanimë. E s’ka ndodhur hataja.

 

15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?

‘Të rëndësishëm’ e kam pasur në kuptimin “me ndikim, me pushtet, me famë”. Në këtë kuptim, nuk e di. Nuk kam të tilla. Apo kam? Ndoshta me Ismail Kadarenë? Ndoshta me Franjo Tuxhmanin?  Ndoshta me ish-presidentin italian, Ciampi? Ndoshta me ndonjë tjetër? S’e di.

 

16. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?

Me titull të plotë? Jo. Ndonjëherë mendoj se nuk jemi fare europianë. Ndonjëherë? Në fakt, mendoj më shpesh se sa ndonjëherë.

 

17. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qenë protagonist?

Do doja të kisha qenë në ‘entourage’-in e Jezu Krishtit e të Muhamedit, për të marrë vesh në vetë të parë se kush ishin këta personazhe, ndikimi i të cilëve në histori nuk ka të krahasuar me të tjerë; e nuk ka për të pasur.

 

18. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?

Janë shumë. E nuk është e thënë të jenë personazhe ‘të mëdhenj”. Fjala vjen do kisha dashur të bëja një bisedë, ndoshta jo të gjatë, me atë klerikun mysliman, që iu hodh në qafë i përlotur Gjergj Fishtës, kur ky i fundit mbajti një fjalë kundër qasjeve sektare në Kongresin e Manastirit.

 

19: Cili është libri që po lexoni?

Është një libër mbi kontributet e katolikëve, sidomos atyre të Mirditës, në historinë e Shqipërisë. Autor është Ndoc Gjetaj. Ka aty gjëra kureshtare mbi jetën e shumë prej tyre, që nuk i kam ditur.

 

20. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?

Kombet e mëdha të kontinentit, Franca, Gjermania, Italia. Por dhe kombi tjetër përtej La Manshit.

 

21. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?

S’do ish nevoja të isha dakord unë. Do ish mjaft të ishin dakord ata vetë. Por unë nuk do t’i inkurajoja, afërmendsh.

 

22. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homoseksual(e)?

Do shock-ohesha fillimisht, prej scoop-it. Por më pas do isha njeriu, që ata do kishin më pranë. Nëse do më donin pranë, kuptohet.

 

23. Keni frikë nga vdekja?

E dua jetën. E dua më shumë se sa e do një i poshtër. Por vdekjen nuk e kam makth. Kurrë s’e kam pasur.

 

24. Ç’është Atdheu?

Një gjë s’ia honeps Atdheut: që është i njëjti si për mua, ashtu dhe për ca të tjerë, me të cilët, teksa s’do doja të kisha asgjë të përbashkët, kam Atdheun të tillë.

“Të arrish post shtetëror në Shqipëri? Duhet të jesh lëpirës b…”

Shpërthimi i Mustafa Nanos ndaj kandidatit të parafundit për president Artan Hoxha, një ish-ministër i 92-shit, i zhdukur deri në 97-n dhe i rikthyer “si analist mediatik” vitet e fundit,  ndoshta do mbahet mend gjatë. I ftuar në një emision televiziv mbrëmjen që u mor vesh se mazhoranca do dërgonte emrin e Hoxhës (Artan) si kandidat presidencial, Nano është shprehur se, “që të arrish në një post të lartë shtetëror në Shqipëri duhet të jesh lëpirës bythe, qurravec dhe vemje”. Më tej, Nano ka vijuar duke thënë se me Artan Hoxhën president “tani ka ngelur vetëm t’i bëjmë shurrën kësaj Republike”.

Në fakt, për kandidaturën e Hoxhës ka pasur një reagim shumë të ashpër, ndoshta duke parë qëndrimet e tij publike. Kurse i pyetur dje nga Shekulli për presidentin e ri Bujar Nishani, Nano thotë:

“Kjo është pyetja juaj që s’ka qenë në pyetësorin tim. E keni futur ju. Çfarë mendimi kam? Është e vetmja gjë, për të cilën s’mund të mendoj më. Mendoja para se të zgjidhej. Tani u zgjodh. Spektakli ka përfunduar. Sipari ka rënë. The end…”

 

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Postuar 1 Koment
Mendimi i juaj
  1. albani says:

    ju pergezoj se pari per punen qe beni dhe cdo pergjigje qe lexova ketu eshte me vend . cdo shqiptar i paster mendo po kshu . po linde pytja se sa jemi te paster ? sali ram berisha ka arrite i blej votat dhe me 5000 lek . pyes veten pse qenkemi kaqe popull i shitur te shesesh idene apo dhe te drejten per nje kanace bierr .gjithsesi sja kam besen asnje politikani pak rendesi ka cfare krahu te gjithe jane hajduta dhe ju garantoj se nuk ecim para ne asnje drejtim kjo eshte per te ardhe keq .politika shqiptare don fatin e kadafit se ne kemi shume kadafa . ju flm ky eshte nje mendim i imi edhe pse sjetoj ne shqiperi po jam shqiptar dhe e dua shqiperine me shume se ato pisat qe po e perdorin vendin si nje leter bixhozi

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.