Postuar me: 10:47 13-06-2012

Nafta “virgin”, gjykata dënon 12 persona

Shperndaje
Etiketat

Dënohet Fisheku dhe transportuesit, i pafajshëm punonjësi i antikontrabandës

Gjykata e Tiranës dha dje vendimin për 12 të pandehurit e dosjes së naftës “virgin”. Për Iljaz Fishekun, gjykata vendosi dënimin me 10 muaj e 20 ditë burg. Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar 4 vite burg për mashtrim në bashkëpunim. Për 7 anëtarët e tjerë të dosjes së naftës “virgin”, konkretisht Fadil Aburramani, Genci Prençe, Gazmend Serjani, Kadri Hajredini, Reshat Aleksi, Vladimir Koteci, Nikollaq Llozi dhe Fatmir Kaja u vendos dënimi me 3 muaj burg. Ish-punonjësi i antikontrabandës Arjan Daci u konsiderua i pafajshëm për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, ndërsa ish-doganieri Edmond Ferraj u dënua me 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Gjykata hoqi sekuestron konservative ndaj kamionëve që transportonin naftën “virgin”, duke ia kthyer subjekteve “Fisheku sh.p.k” dhe “Martin sh.p.k”. Pritet që barra për skandalin e naftës “virgin” t’i rëndojë pjesës tjetër të të akuzuarve, ku ndodhet edhe biznesmeni Hajri Elezaj, i shpallur në kërkim nga policia. Nga gjykimi ka rezultuar se në kundërshtim me sa parashikohej në kontratë, sipas së cilës sasia e naftës “virgin” ishte e destinuar të transportohej për në pikën doganore, kjo sasi është transportuar me autobote në depozitat e ndodhura në Golem, me qëllim shitjen e saj në tregun e brendshëm si karburant.

Skandali me naftën “virgin” nisi të hetohej pas denoncimit të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Në dosjen e Prokurorisë, dërguar Gjykatës së Tiranës, janë dhjetëra të pandehur. Sipas vendimit të gjykatës, rezulton se mashtrimi është kryer nga Hajri Elezaj, pronar i “Euroil sh.a.”, në bashkëpunim me Bledar Ramën dhe Iljaz Fishekun. “Në kushtet kur sasia e naftës ‘virgin’ nuk ka pasur si destinacion eksportin, e gjithë kjo sasi është transportuar me autobote në depozitat e karburantit të ndodhura në Golem, për t’u shitur më pas në tregun e brendshëm. Sasia më e madhe e transportit të këtij nënprodukti është kryer nëpërmjet mjeteve të shoqërisë ‘Fisheku sh.a.’ dhe ‘Martini sh.p.k’, administrator i të cilave është shtetasi Iljaz Fisheku. Këto mjete janë drejtuar nga Flamur Merkaj, Genci Prençe, Fadil Abdurrahmani, Kadri Hajredini, Vladimir Koteci, Reshat Aleksi, Gazmend Serjanaj”, thuhet në vendim. Sipas saj, drejtuesit e automjeteve, të cilët kanë transportuar naftën “virgin” të paeksportuar, kanë deklaruar se ato janë dërguar në Ballsh nga shtetasi Iljaz Fisheku. Në Ballsh kanë kontaktuar me shtetasin Bledar Rama, i cili vepronte për llogari të firmës “Euroil”. Ata kanë pranuar të kenë kryer transport të naftës “virgin” nga Ballshi për në depozitat e Golemit, ku kanë qenë punonjësit e Iljaz Fishekut, respektivisht Fatmir Kaja dhe Nikollaq Llozi. Këta të fundit prisnin autobotet me naftën “virgin”, merreshin me shkarkimin, si dhe dokumentacionin e shoqërimit të mallit. S.Ç

 

Gjykimi – Shumica e të pandehurve që akuzohen për skandalin e naftës “virgin” i kërkuan gjykatës gjykim të shkurtuar, duke e pranuar akuzën e prokurorisë

Arratisja – Drejtoria e Policisë së Shtetit konfirmon se ka shpallur në kërkim Hajri Elezajn, biznesmenin e akuzuar për skandalin e naftës “virgin”

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.