Postuar me: 7:08 08-06-2012

Nano: Do të rikthehem në PS

Shperndaje
Etiketat

Ish-kreu socialist paralajmëron kthimin në politikë aktive nëse nuk zgjidhet President.

“Eshtë partia ime e zemrës dhe po lëngon e po vuan”

Ish-kreu socialist, Fatos Nano, tha dje se nëse nuk zgjidhet President, do të rikthehet në PS për ta shëruar atë. Pas takimit me ambasadorin amerikan  në Tiranë, Aleksandër Arvizu, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Nano tha se ai do të mbetet kontribuues në politikë.  “Natyrisht që unë jam në politikë. Por mos harroni se PS është partia ime e zemrës dhe në qoftë se ajo do të vazhdojë të lëngojë, siç po vuan, unë do t’i kthehem asaj me gjithë zemrën”, tha Nano. Kandidati i vetëshpallur i ka kërkuar Edi Ramës të mos e shmangë garën mes kandidatësh në Parlament, të mos e bojkotojë votimin mes kandidatëve dhe t’i japë atij firmat që i duhet për t’u bërë kandidat zyrtar. Si një lojë kungulleshkash i ka cilësuar Nano zërat për një mosmbështetje nga LSI e Ilir Metës, përveç Edi Rames. “Kjo besoj se nuk duhet të merret seriozisht, pra një lojë kungulleshkash midis emrave Rama dhe Meta, që s’po arritkan dot në një mendim për kandidaturën time. Po e quaj lojë kungulleshkash, sepse çështja për të cilën po flasim është shumë e rëndësishme se sa interesat që mund të përfaqësojnë Rama dhe Meta në politikën shqiptare. Në rast se është krejt i mundshëm regjistrimi me 20 firma, unë nuk do të dëshiroja që opozita ta përdorte e provokuar ndoshta këtë gjë për të bojkotuar seancën. Nuk duhet që vendi të rikthehet në zhvillimet negative të paktën në ato që njohim në 2007-n”, tha Nano. Ai u kërkoi palëve të zhvillojnë garë të rregullt dhe të lirë në Kuvend, siç e përcakton Kushtetuta. “Një zgjidhje e pranueshme demokratike është edhe një garë midis përfaqësuesve të të dyja palëve. Kur nuk është i mundur një konsensus i plotë, – dhe po flas për situatën në të cilën ndodhet vendi, – ka një konsensus për zotin Zaganjori të maxhorancës, i cili nuk përfshin konsensusin e opozitës. Ka një kërkesë të opozitës për të ndryshuar ofertën nga maxhoranca, që edhe ata të japin konsensus, siç ka edhe një kërkesë të maxhorancës për PS që të paraqesë kandidatët e saj. Në qoftë se konsensusi është i pamundur, është krejt pjesë e lojës demokratike, është një zgjidhje kushtetuese dhe një garë midis përfaqësuesve të dy palëve. Unë do të largohem nga gara, me të njëjtën qetësi dhe dashamirësi me të cilën hyra, në momentin kur do të zgjidhet Presidenti i ri”, tha Nano. Ai u shpreh se nëse hyn në garë në Kuvend me kandidatin e maxhorancës, mund ta fitojë atë. “Në qoftë se ka një garë të lirë dhe të ndershme, më lejoni të them se unë jam optimist që mund ta fitoj atë”, tha Nano. Takimi mes Nanos dhe ambasadorit Arvizu u zhvillua vetëm dy ditë para mbajtjes së raundit të tretë të votimit.

Nano, 60 minuta bisedë me ambasadorin e SHBA, Arvizu

Arvizu e Nano dje pas takimit

Kandidati i vetëshpallur për President, Fatos Nano, u takua dje me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Takimi u zhvillua në një nga lokalet e njohura në zonën e ish-Bllokut. Pas takimit, i cili zgjati rreth 60 minuta, ambasadori Arvizu, ndryshe nga herët e tjera, nuk preferoi të bënte asnjë koment, ndërsa i ka lënë radhë Nanos t’i përgjigjet interesimit të mediave. Në turin e tij të takimeve me aktorë të rëndësishëm të politikës shqiptare, Nano dhe Arvizu kishin shkëmbyer qëndrimet e tyre dhe më parë. Në fund të muajit prill, kur Nano nisi të takojë kryetarët e partive politike parlamentare për të prezantuar platformën e tij të garës për President, ish-kryetari socialist mori vlerësimet maksimale nga ambasadori amerikan në Tiranë. “Ne kemi nevojë për një lidership pozitiv dhe mendoj se shumë nga këto gjëra pozitive janë të tipizuara te një person si Fatos Nano”, u shpreh pas atij takimi me Fatos Nanon ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. Nano njoftoi dy ditë më parë se ka nisur takimet intensive me aktorë e faktorë kuvendorë, politikë nga i gjithë spektri, partnerë euroatlantikë, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, akademikë etj.

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.