Postuar me: 9:50 14-06-2012

Nano: Po formoj armatën që si uragan do të pushtojë PS-në

Shperndaje
Etiketat

Ish-kryeministri “kërcënon” Ramën me rimarrje të drejtimit të partisë

Ish-kryeministri Fatos Nano deklaroi dje hapur se ai po përgatitej së bashku me një grup socialistësh të merrte kryesimin e PS-së për të çuar këtë parti drejt fitores në zgjedhjet e vitit 2013. Në një prononcim për mediat, i shoqëruar nga disa mbështetës, Nano theksoi se lëvizja e re të cilën ai po drejtonte i ngjante një uragani që do të pushtonte së shpejti Partinë Socialiste. Sipas ish-kryeministrit tashmë puna kishte nisur dhe rezultatet e saj do të dilnin shumë shpejt në dritë. “Ne jemi në procesin e regjistrimit të vullnetarëve dhe aktivistëve të kësaj lëvizjeje që është pritur me entuziazëm nga të gjitha kategoritë e socialistëve, nga shumë të rinj, nga përfaqësues të strukturave të PS-së apo militantë të traditës. Nisëm lëvizjen duke ndërtuar armatën. PS-në mund ta rimarr përmes këtij uragani që sapo ka nisur”, theksoi Nano përpara mediave. Ai shpjegoi se kjo lëvizje kishte si qëllim të orientonte të majtën në vend drejt një formule fituese për zgjedhjet e ardhshme me apo pa, Edi Ramën. Sipas tij, nëse Rama do të përpiqej ta pengonte këtë projekt që kishte si qëllim krijimin e një liste të re përfaqësuesish të PS-së, atëherë ai do të kishte si qëllim kryesor rimarrjen e lidershipit socialist. “Kjo lëvizje do të orientojë fuqimisht elektoratin e majtë drejt një formule fituese me apo pa Edi Ramën. Nuk e përjashtoj objektivin e rimarrjes së drejtimit të PS, dhe në rast se Rama dhe struktura që ai drejton do ta pengojnë këtë gjë, ne do ta orientojmë të gjithë ushqimin elektoral të socialistëve dhe të së majtës drejt një liste tjetër, jo të Ramës”, lajmëroi Nano. Ai e ftoi, Edi Ramën se nëse do të vijonte ta qesëndiste nevojën e socialistëve për të qenë të bashkuar, atëherë, fundi i tij do të ishte i hidhur. “Në rast se Rama vazhdon të qesëndisë me nervozizëm nevojën për të rikthyer fuqinë e socialistëve të bashkuar, atëherë fundi do të jetë edhe gjymtimi i këtij fenomeni nga Rama në Ra”, ironizoi Nano. Pak orë më vonë në një njoftim të ardhur për mediat nga ana e lëvizjes “Nano për Fitoren e Socialistëve” shpjegohej më qartë pse ish-kryeministri mendonte se vetëm ai në këtë moment mund t’i çonte socialistët drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “PS me Fatos Nanon e ka mundur Sali Berishën në të gjitha zgjedhjet e votimet e mundshme parlamentare, lokale apo referendare. Fatos Nano ka humbur vetëm zgjedhjet e vitit 2005 për shkak të ndarjes së PS-së, por edhe për shkak të pabesisë dhe kurtheve e goditjeve pas shpine dhe nën brinjë të Edi Ramës me lëvizjet e krijuara e mbështetura prej tij të njohura asokohe si MJAFT, më vonë si G99”, kujtohet në deklaratë, ku theksohet dhe fakti se Nano e ka mundur Berishën dhe në situata shumë më të vështira. Në këtë deklaratë theksohet se Rama e ka çuar PS-në në humbje të njëpasnjëshme dhe socialistët nuk mund ta pranojnë dot më këtë gjendje të ardhur si pasojë e paaftësisë së tij. Në këtë njoftim zbulohet dhe motoja e lëvizjes së Nanos e cila është: “Unë jam, Unë mundem. Ne jemi, Ne mundemi”.

14.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.