Postuar me: 14:08 24-05-2012

Nderim për Himarën

Shperndaje
Etiketat

MENTOR NAZARKO

Mentor_Nazarko

Mentor_Nazarko

Mbulimi mediatik i ngjarjes tragjike të Himarës mungoi nga pak të vendosë theksin që duhet në një pjesë të rëndësishme pozitive të saj: roli vetëmohues i banorëve të qytetit. Megjithëse të gjendur disa kilometra larg, qytetarë himarjotë kanë rendur të parët në ndihmë të të mbijetuarave të tragjedisë. Një spital i vogël si ai i Himarës ishte vendprehja e parë për një pjesë të tyre, dhe pse jo, edhe vendi ku qëndruan për pak kohë viktimat fatale të këtij aksidenti tragjik. Hapësira që zunë në këtë mbulim, dëshmitë e banorëve të Himarës, mjekëve të qytetit, vlerësimet për himarjotët, ishin dhe mbeten në shpërpjesëtim me atë vepër të madhe njerëzore që ata shpalosën. Ndoshta dinamika e vrullshme e kronikës ishte e pamëshirshme dhe përcaktoi këtë lloj mbulimi. Dikush mund të thotë se ndoshta mungesa e asistencës së specializuar që në momentin e parë mund të ketë qenë shkak për humbjen e jetës të dikujt prej viktimave, por ne duhet të marrim për të mirëqenë se reagimi himarjot në rrethana si ato që na zunë sytë, ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Të gjendur disa kilometra larg, banorët që aktualisht jetojnë në Himarë rendën dhe u gjendën të parët në vendin e tragjedisë.
Pse duhet vendosur theksi te solidariteti himarjot me viktimat e tragjedisë automobilistike?
Sepse kjo është diçka e natyrshme në transmetimin e tragjedive të tilla. Kështu ndodh kudo në botë kur kemi të bëjmë me raste solidariteti kolektiv ndaj viktimave të një fatkeqësie. Kujtoni se si Kukësit iu bë një reklamë e jashtëzakonshme botërore gjatë gjenocidit serb të vitit 1999 për solidaritetin jo thjesht vëllazëror ndaj kosovarëve të shpërngulur me forcë nga vatrat e tyre. Të mos ishin lajmet e këqija të grabitjeve në rrugë, Kukësi do vazhdonte ta ruante botërisht një reputacion të tillë të shpërhapur në botë, me ndihmën e CNN dhe dhjetëra mediave të tjera. Historitë e solidaritetit kolektiv janë përbërje e historive të solidaritetit individual, por rreth Himarës nuk pamë shumë të tilla nëpërmjet mediave.
Është e provuar botërisht ndërkaq se ndjenja kombëtare forcohet në raste fatkeqësish nga empatia që provojnë individët për njëri-tjetrin, pavarësisht krahinës nga vijnë, pavarësisht gjuhës, dialektit apo kulturës së cilës i përkasin. Kështu, sa për shembull, elbasanasit apo gjithë familjarët e viktimave do t’i ndiejnë më afër himarjotët, për të cilët jo rrallë janë kultivuar mite të rrejshme që i barazojnë grupe të vogla individësh të blerë, të vetiluduar, pragmatikë, të vetëshpallur si grekë, me të gjithë komunitetin himarjot. Të gjithë shqiptarët do t’i ndiejnë më afër, madje do të mburren me gatishmërinë himarjote, sipas traditës më të mirë shqiptare për t’iu gjendur viktimave të fatkeqësisë automobilistike të 21 majit 2012. Solidariteti njerëzor shpesh në fakt nuk ka ngjyrë kombëtare, por është ndërkombëtar. Në raste fatkeqësish, solidariteti natyral apo i induktuar nga lart kapërcen kufijtë kombëtarë. Ai ndihmon në paqtimin e vendeve në konflikt latent apo të shpallur, siç ka qenë për shembull shkëmbimi i ndihmave midis popujve grekë dhe turq, veçanërisht në kohën e ministrave të Jashtëm Papandreu dhe Xhem në fillim të viteve 2000.
I vetëdijshëm në planin njerëzor, shoqëror, pse jo elektoral për këtë mungesë mediatike, dhe nevojën për ta theksuar atë, Kryeministri Berisha tha fjalë vlerësuese për kontributin e banorëve të Bregut, siç i quajti ai, banorët e Himarës. Njerëzit shpesh kënaqen me një fjalë të mirë. Në atë qytet ku për shkak të emigracionit, derisa fillon sezoni turistik, nuk ka ngjarje të mëdha, njerëzit do të fillojnë e të diskutojnë përveç dhimbjes së krijuar nga theroria masive dhe për fjalët miradije që marrin prej pjesës tjetër të kombit. Presidenti i Republikës duhet të dekorojë komunitetin himarjot për këtë vepër të bukur njerëzore.
Që himarjotët të ndihen të vlerësuar, të respektuar, të nderuar, të ndihen shqiptarë si gjithë të tjerët, mbase nuk mjaftojnë vetëm fjalët e bukura, të provokuara nga emocionet e forta përballë veprave të mëdha të njeriut për njeriun. Duhet të stimulohen dhe interesa të përbashkët, të cilët, nga ana e vet, prodhojnë ndjenja të tjera, emocione të tjera. Vetëm javën e fundit në Himarë u zhvilluan dy aktivitete të rëndësishme: çelja e sezonit turistik dhe debati kombëtar i PS-së për zhvillimin e bregdetit. Të dyja lëvizje të shkëlqyera. Në të parën, qindra dhe mijëra të rinj të ardhur nga gjithë Shqipëria ndoqën në mes të sheshit të Himarës grupet më të mira të vendit dhe të Kosovës. Lokalet, hotelet bënë biznesin e tyre të lumtur; muzika shqip tingëlloi fort ditën dhe natën në bashkëjetesë me atë greke që vinte nga një klub i vetëm në fillim të shëtitores së Himarës. Në aktivitetin e dytë, PS-ja e vuri gishtin në plagë: mafia lokale, që tund dhe shet flamurë, në bashkëpunim me mafien kombëtare, po u grabit tokat më të mira himarjotëve, ndaj një forcë politike që synon të vijë në pushtet duhet të afrojë alternativën për zgjidhjen e kësaj plage.
Ndoshta u zhvendosëm shumë. Nga emocionet e krijuara prej tragjedisë te solidariteti. Te empatia, te ndjenja kombëtare, te interesi i individit dhe lidhja e tij me pronën, me tokën e të parëve. Por kështu është jeta njerëzore. I ka të gjitha bashkë.

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.