Postuar me: 10:01 12-06-2012

Ndihma për Spanjën, tregjet europiane reagojnë pozitivisht

Bursat u përgjigjen pozitivisht pas lajmit të BE-së për ndihmën spanjolle

Pothuajse të gjitha bursat në Europë dhe Azi kanë reaguar pozitivisht ndaj lajmit të BE-së se do të ndihmojnë Spanjën me 100 miliardë euro për rikapitalizimin e bankave të saj. Bursa e Tokios, Hong Kongut dhe Mumbait u mbyll me shifra pozitive, ndërsa rezultatet më entuziaste lidhen me tregjet në kontinentin e vjetër.

Bursa e Milanos shënoi një rritje prej 1,9%, Londra 1,6%, Frankfurti 2,2%, ndërsa Parisi 2,1%. E “papërmbajtshme” edhe bursa e Madridit me një rikuperim në shifrat 4,5% çka tregon se për tregjet “muri i mbrojtjes” i ngritur për të ndihmuar Spanjën mund të konsiderohet si një mbrojtje e mirë. “Shpresojmë shumë që këto masa të na shërbejnë për të frenuar krizën”, tha zëvendësministri i Financave spanjolle, Guangyao. Por në këtë atmosferë euforie janë të shumtë ata që mendojnë për të kundërtën: të dielën do të zhvillohen zgjedhjet në Greqi, raundi i dytë i zgjedhjeve parlamentare në Francë dhe një mbledhje delikate e Këshillit Europian me temë rritjen ekonomike. Spanja do të paraqesë kërkesën e saj zyrtare për marrjen e ndihmës, në mbledhjen e ardhshme të Eurogrupit  dhe Ecofin-it që do të zhvillohet në Luksemburg në datat 21 dhe 22 qershor. Kështu deklaroi komisioneri i BE-së, Olli Rehn, në një intervistë të dhënë për një televizion belg. “Bëhet fjalë për një mesazh shumë të qartë për tregjet mbi vendosshmërinë e zonës euro për të marrë masa për të shmangur efektin domino dhe për të qetësuar situatën”, tha ai. Direkt pas mbylljes së marrëveshjes, Rehn kishte shprehur besim për faktin që Spanja shumë shpejt do të jetë në gjendje të fitojë besimin e tregjeve duke rinisur rrugën drejt rritjes ekonomike dhe punësimit. Udhëheqësit europianë shpresojnë që paketa e ndihmës financiare për Spanjën me vlerë deri në 100 miliardë euro të ndihmojë në zbutjen e krizës financiare, e cila rrezikon të shpërbëjë bashkimin monetar 17-anëtarësh të eurozonës.  Ministrat e financave të Eurozonës thanë se paratë do të dërgohen në një fond që Spanja ka ngritur për të rikapitalizuar bankat e saj, dhe theksuan se qeveria spanjolle është përgjegjëse për kredinë. Pranimi i ndihmës për bankat e saj nga ana e Spanjës është një kompromis i sikletshëm për Kryeministrin Mariano Rajoy, i cili vetëm 10 ditë më parë këmbënguli se sektori bankar nuk do të ketë nevojë për një paketë shpëtimi. Por Mariano Rajoy e përshëndeti vendim e Ministrave të Financave të Eurozonës për të ndihmuar Spanjën për të rikapitalizuar bankat e saj duke e cilësuar një fitore të madhe për monedhën e përbashkët europiane. “Ishte besueshmëria e euros ajo që fitoi. Kemi vepruar mirë. Me masat që kemi marrë arritëm të shmangnim më të keqen. Nëse do kishim vepruar ndryshe, do kishim probleme edhe më të mëdha tani”, u tha ai gazetarëve. Sipas ekspertëve, problemet financiare të Spanjës nuk kanë ardhur si shkak të shpenzimeve të tepërta qeveritare, si në rastin e Greqisë. Bankat e vendit patën pasoja pas shembjes së tregut artificialisht të fryrë të pasurive të patundshme.

 

Lajmi – Pothuajse të gjitha bursat në Europë dhe Azi kanë reaguar pozitivisht ndaj lajmit të BE-së se do të ndihmojë Spanjën me 100 miliardë euro për rikapitalizimin e bankave të saj

Kërkesa – Spanja do të paraqesë kërkesën e saj zyrtare për marrjen e ndihmës, në mbledhjen e ardhshme të Eurogrupit dhe Ecofin-it që do të zhvillohet në Luksemburg në datat 21 dhe 22 qershor

Kredia – Ministrat e Financave të eurozonës thanë se paratë do të dërgohen në një fond që Spanja ka ngritur për të rikapitalizuar bankat e saj, dhe theksuan se qeveria spanjolle është përgjegjëse për kredinë

12.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.