Postuar me: 14:29 16-06-2012

Negociata për aeroportin e Sarandës

Shperndaje
Etiketat

Zhvillime pozitive mes qeverisë shqiptare dhe koncesionarit gjerman

Bisedimet kanë nisur zyrtarisht në muajin nëntor të vitit 2010, por pa rezultat konkret, duke u mjaftuar vetëm me “vullnetin e mirë” të të dyja palëve. Prej asaj kohe, diskutimet kanë sjellë zhvillime me ulje-ngritje për hapjen e aeroportit të Sarandës, në Jug të vendit, si dhe aktivizimin e pistës së Kukësit për transport civilësh. Negociata që nisin, pastaj ngrijnë, e më pas rikthehen pas disa studimeve, e më tej qëndrojnë sërish pezull. Duket se për koncesionarin gjerman, pronar me të drejta të plota të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit “Nënë Tereza”, deri më 2025-n është e vështirë të vendosë për hapjen e tregut, duke lejuar transportin e një tjetër piste.

Koncerciumi “Hochtief”, i cili zotëron peshën kryesore të aksioneve, thotë se nga studimet e kryera për aeroportin e Sarandës (i kthyer në fushë me bar), nuk del me leverdi, edhe pse e kupton rëndësinë që ka hapja e kësaj linje për ekonominë e Shqipërisë.

Gazeta “Shqip” mëson se palët janë ulur sërish në bisedime dhe duket se zhvillimet paraqiten pozitive, ku në parim gjermanët janë shprehur të gatshëm të investojnë për hapjen e linjës së re, e cila konsiderohet me tepër leverdi për qeverinë shqiptare, pasi synon të krijojë një linjë tjetër paralele për ishullin e Korfuzit, ku në kulmin e sezonit turistik ka bum kërkesash për udhëtime. Koncesionari gjerman kërkon të kryejë veprime të kujdesshme, bazuar mbi zhvillimet politike në vend, duke patur parasysh se kontrata aktuale ka shkaktuar debate të forta mes forcave të opozitës dhe mazhorancës. Vetëm zgjedhjet parlamentare të 2013-s do të ndajnë një herë e mirë projektin e ndërtimit të aeroportit të ri në Sarandë.

Fakti që fluksi i pasagjerëve e ka kapërcyer numrin prej 1.8 milionë, i jep të drejtë palës shqiptare të rishikojë kontratën për lejimin e fluturimeve jo vetëm në Tiranë, por edhe nga dy pistat e tjera. Mësohet se shoqërisë “Hochtief” do t’i ofrohet e drejta ekskluzive për të kontrolluar edhe dy aeroportet e tjera, duke i dhënë mundësinë e garantimit të planit të të ardhurave, sikurse ishte parashikuar në momentin kur morën aeroportin “Nënë Tereza”, në janar 2005.

Nga ana e tyre, shoqëria “Tirana Aeroport Partners”, e cila drejtohet nga koncerciumi “Hochtief”, ku kanë aksione edhe amerikanët, shprehen se investimet e kryera nga shoqëria në 5 vitet e fundit kapin vlerën e 50 milionë eurove dhe janë kryer në bazë të një marrëveshjeje firmosur në 2004, sipas të cilës u jepte të drejtë që të mbanin aeroportin “Nënë Tereza”, pa lejuar hapjen e asnjë pike tjetër, deri në vitin 2025. Tani duket se kjo marrëveshje do të prishet, pa qenë nevoja që palët t’i drejtohen gjyqit. Mësohet se në diskutime po shikohet edhe hapja e aeroportit të Kukësit, i ndërtuar nga arabët falë investimit prej 20 milionë dollarë, i cili ndodhet në gjendje të mirë.

 

Linjat

Kukësi – Aeroporti i Kukësit është ndërtuar me financimin e arabëve, me vlerë 20 milionë dollarë dhe është i gatshëm për fluturime

Saranda – Aktualisht në gjendje të dobët, e mbuluar nga bari, fusha e pistës së Sarandës shikohet me interes për zhvillimin e turizmit

16.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.