Postuar me: 10:45 11-06-2012

Nëse Greqia del nga euro, problem i parë janë bankat

Shperndaje
Etiketat

Nëse Greqia vendos të lërë përdorimin e monedhës euro dhe i rikthehet dhrahmisë, Shqipëria do t’i ndiejë direkt pasojat e kësaj lëvizjeje. Institucionet ndërkombëtare financiare janë duke dhënë sot skenarët e mundshëm të asaj që mund të ndodhë dhe cilat do të ishin pikat që do të goditeshin më fort në ekonomitë e rajonit dhe më gjerë.
dhrahmia
Banka Botërore, në kohën kur dyshimet për Greqinë po intensifikohen, ka filluar që të ngrejë dhe ajo skenarët e saj për implikimet që do të vijnë. Gjatë prezantimit të raportit për zhvillimet ekonomike në Europën Juglindore, ekonomisti i Bankës Botërore, Erion Luci, sqaroi se nëse Greqia lë euron dhe fillon përdorimin e dhrahmisë, ndikimet nuk mund të shmangen. “Kanalet në të cilat ndodh kjo krizë janë të shumta dhe do të ndikohet jo thjesht Shqipëria, që është goxha e vogël me pjesën tjetër të botës, por edhe shumë më gjerë. Është vështirë të bëhet një parashikim i saktë. Ne kemi skenarët tanë, ose të paktën dhe ne jemi në një periudhë që mundohemi të shohim se cilat janë implikimet jo thjesht për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Kuptohet që nuk është një gjë e mirë. Nuk diskutohet që të kemi një problem serioz në aspektin e sistemit bankar dhe më tej”, tha Luci. Sipas tij, të tjera aspekte që do të prekeshin direkt nga përkeqësimi i situatës së Greqisë është ajo e ngadalësimit të rritjes ekonomike në nivele më negative se sa kriza aktuale, por edhe papunësia në rritje.
Greqia
Ndërkohë bankat në Greqi po marrin masat e para për këmbimet me monedhën e vjetër greke, dhrahminë. Në Greqi, banka britanike HSBC ka nisur kontrollin mbi ATM-të, për të përcaktuar nëse mund të funksionojnë edhe me kartëmonedha dhrahmi. Zëdhënësi i HSBC-së pa dashur “spiunoi” edhe bankat e tjera kur tha se “si të gjitha bankat, edhe ne po përgatitemi për të marrë në konsideratë daljen e Greqisë nga euroja”. “Reuters” raporton se qeveria kineze i kërkoi Bankës Qendrore të Kinës dhe institucioneve të tjera ekonomike të përgatisin plane për daljen e mundshme të Greqisë nga eurozona, për të mos krijuar pasoja në monedhën vendase, juanin.
Rritja ekonomike
Për Shqipërinë, rritja ekonomike gjatë vitit 2012 vlerësohet se do të jetë 1.6 për qind, ndërsa për vitin tjetër rritja do të jetë 2.5 për qind. Rritjen minimale, mes të tjerash, Banka Botërore e bazon edhe te vijimi i sjelljes kursimtare të qytetarëve, që reflektohet në një konsum të ulët të brendshëm. Një vit më parë, konsumi ishte i ngadaltë, por gjatë këtij viti tendenca ka qenë sërish në ulje. Bazuar te të dhënat zyrtare, Banka Botërore del në përfundimin se depozitat kanë arritur në nivelin e parakrizës, por se efekti negativ që ka dhënë rritja e kredive të këqija ka ndikuar në një rritje të ngadaltë të kreditimit. Raporti i fundit vlerëson se Shqipëria duhet të gjejë alternativë tjetër rritjeje për ekonominë te potencialet e pashfrytëzuara, siç janë eksportet, pasi remitancat apo investimet e huaja direkte janë ndikuar nga kriza dhe nuk mund të shërbejnë më me atë fuqi amortizatore të mëparshme për goditjet që vijnë nga kriza.

Raporti i Bankës Botërore
.    Shqipëria ka nevojë urgjente për konsolidim fiskal
.    Niveli i Borxhit publik mbetet më i larti në rajon
.    Reforma për administrimin dhe eficiencën e të ardhurave
.    Rritja ekonomike gjatë vitit 2012 do të jetë 1.6 për qind
.    Tregu i punës është në një moment kritik
.    Kriza ka prekur më shumë të varfrit
.    Rritja e pagave dhe pensioneve duhet të jetë më e vogël
.    Deficiti duhet të mbahet në nivele 3 për qind e GDP-së
.    Konsumi dhe eksportet vijojnë të mbeten të dobëta
.    Kreditimi rritje shumë të ngadaltë
.    Problem dhe frenim kanë dhënë kreditë e këqija
.    Remitancat kanë shërbyer si amortizator ekonomik
.    Pagesat e prapambetura në sektorin privat dhe publik përbëjnë problem

Lvovsky: Rritini pak pagat dhe pensionet
Banka Botërore vlerëson se situata aktuale ka nevojë të menjëhershme për të vepruar, sidomos sa i përket konsolidimit fiskal. Mbajtja nën kontroll e parametrave për treguesit makroekonomikë, mes të tjerave mbajtja e deficitit fiskal në nivelin 3 për qind e GDP-së, duhet të shihen si parësore nga qeveria. Përfaqësuesja e BB-së në Tiranë, Ksenyia Lvovsky, tha dje gjatë prezantimit të raportit për zhvillimet ekonomike në Europën Juglindore, se reformat e qeverisë duhet të shtihen si në anën e mirëmenaxhimit të shpenzimeve, ashtu edhe në eficiencën e mbledhjes së të ardhurave. Në këtë pikë ajo nuk përjashtoi edhe mundësinë e rritjes më të moderuar të pagave dhe pensioneve, synim ky i deklaruar nga qeveria. “Përsa u takon shpenzimeve, qeveria mund t’i reduktojë gjatë rishikimit të buxhetit duke përshpejtuar nga ana tjetër masat për të administruar tatimet për të rritur të ardhurat. Reformat apo masat e tjera mund të përfshijnë edhe një rritje më të vogël në paga dhe në pensione”, tha Lvovsky.

“Kujdes me borxhin, deficiti nën 3 për qind”
Raporti i Bankës Botërore i ka qëndruar edhe një herë besnik raportit më të hershëm të këtij institucioni për zhvillimet ekonomike, i prezantuar muaj më parë, në aspektin e thirrjes për uljen e borxhit publik. Shqipëria ka borxhin më të lartë në rajon edhe për vitin 2012, duke i lënë kështu pak hapësira vetes për të vepruar në situata më të vështira. Përfaqësuesi i Bankës Botërore u shpreh dje se rritja e borxhit të Shqipërisë për vitin 2012 është i kuptueshëm, pasi erdhi edhe si efekt i importit të lartë të energjisë, ndërkohë që me kalimin e kësaj situate tashmë pritet që të ketë njëfarë lehtësimi. “Mesazhi është i ngjashëm sepse borxhi është në të njëjtat nivele dhe nuk lë hapësirë për fleksibilitet. Konsolidimi fiskal mbetet një sfidë e madhe për vendet, që t’u japë atyre një hapësirë për një krizë në të ardhmen. Këto, sigurisht, janë vendime të vështira për qeveritë, sidomos në kushtet e sotme nuk është e lehtë. Alternativat janë të kufizuara”, tha Erion Luci.

“Problem papunësia, kriza preku të varfrit”
Papunësia cilësohet si një nga problemet kyçe të këtyre ditëve për vendet e Europës Juglindore që trajtohen në raportin e Banës Botërore. Sipas kësaj të fundit, papunësia e moshave të reja po arrin në nivele alarmante në disa vende. Ajo që vihet re është fakti se rritjet ekonomike janë shoqëruar pa ndonjë rritje në punësim. Kriza ekonomike i ka vënë në vështirësi sidomos shtresat vulnerabile. Për të përballuar ndikimin e krizës, raporti thekon se familjet shkurtojnë para së gjithash konsumin e mallrave të luksit dhe disa shërbimeve të zgjedhura. Për Shqipërinë raporti nuk jep një vlerësim të qartë për shkak të mungesës së të dhënave. Të vetmet të dhëna, sikurse theksohet, janë ato të mara nga një burim dhe zyrtar, ndërkohë që sa i përket nivelit ndërkombëtar të incidencës së varfërisë dhe varfërisë ekstreme, këto të dhëna për vendin tonë janë ta parifreskuara që nga viti 2008. Kriza, në fakt, u intensifikua në vitin 2009, duke dhënë efekte edhe vitet në vijim.

06.06.2012

 

Burimi: Gazeta Panorama, Nertila Maho

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.