Postuar me: 14:29 07-06-2012

Ngjela: PS të hyjë në garë me emrat e vet në Parlament

Shperndaje
Etiketat

Kreu i PLD: Konsensusi arrihet në Kuvend.

“Takimi Berisha-Rama ishte me frymë otomaniste. Nano është perëndimor, të kandidojë me 20 firma”

Kryetari i PLD në opozitë, Spartak Ngjela, vlerëson kandidaturën e Fatos Nanos si politikanin me frymë dhe forcë perëndimore, ndërsa i kërkon Partisë Socialiste që të paraqesë 2 kandidaturat e saj dhe të hyjë në Parlament për votim. Duke folur për procesin e gjetjes së konsensusit mes dy partive, Ngjela ndan mendimin se procesi që po zhvillohet nuk ka lidhje me frymën dhe parimet perëndimore duke e cilësuar neo-otomanizëm, ndërsa i kërkon maxhorancës t’i japë mundësi opozitës të zgjedhë Presidentin, kjo dhe si kërkesë e ndërkombëtarëve.
Si e vlerësoni tryezën e negociatave mes Berishës dhe Ramës për një President konsensual?
Palët nuk e kanë kuptuar se ç’është konsensusi, çka tregon se politika shqiptare ka akoma myk primitivist. Me këtë dua të them se duhet arsyetuar nga ky princip; Pse kërkohet konsensusi nga ndërkombëtarët? Sepse të gjithë e dimë se kërkesa për konsensus ka ardhur nga faktori ndërkombëtar, nga Uashingtoni dhe nga Brukseli. Me anë të kësaj kuptohet se ndërkombëtarët nuk janë komodë në rast se Presidentin e zgjedh qeveria aktuale. Arsye tjetër veç kësaj nuk ka.
Çfarë nënkuptoni ju me konsensus? 
Në mënyrën perëndimore, një konsensus i tillë mbart brenda si ingredient kryesor faktin që propozimet i bën opozita. Në rast se propozimet do t’i bëjë maxhoranca dhe këmbëngul tek kandidati i vet, atëherë prezumohet se nuk jemi në proces konsensusi. Kjo është absolutisht një kërkesë që trajtohet vetëm kështu, me frymën perëndimore. Gjithashtu kemi dhe një aspekt tjetër, që është harruar, që është Parlamenti. Konsensusi ka frymë parlamentariste. Në Perëndim, konsensusi gjendet në Parlament. Palët ende nuk kanë filluar një garë juridike. Kandidati që ka paraqitur maxhoranca, është jo juridik në këto momente, nuk ka tagër juridik. Atëherë pse e krijojnë këtë tymnajë? Sepse janë në neo-otomanizëm dhe nuk janë në parlamentarizëm. Parlamentarizëm do të thotë: nuk jeni dakord që të nxjerrim një kandidat të përbashkët? Futuni në sallë dhe e zgjidh Parlamenti këtë punë. Salla nuk është e gjitha kukull, sepse Parlamenti koncepton sallën. Në sallën e Parlamentit mund të kandidojnë potencialisht në 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, 7 kandidatë, sepse duhen 20 firma për një kandidat. Atëherë fillon gara si në të gjithë Perëndimin.
Përse nuk po ndodh ky proces sipas jush, zoti Ngjela?
Palët nuk e bëjnë këtë, sepse këta nuk njohin Parlamentin dhe as nuk kanë respekt për Parlamentin.
Fuqinë e procesit e kanë marrë kryetarët e partive…
Kryetarët kanë marrë fuqinë, por nuk po zgjidhin gjë. Kryetarët u ulën në një tryezë ku dukej sikur kishin një arkivol në mes të tyre që i ndante dhe ata po tregonin se kush ka vrarë të vdekurin. Nuk kishte frymë moderne. Ne vijmë nga otomanizmi, por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të shkëputemi prej tij asnjëherë. Nëse kemi dhe e njohim Parlamentin, politika duhet t’i drejtohet Parlamentit. Nëse kryeministri aktual Sali nuk e kupton që me konsensusin që kërkojnë ndërkombëtarët duan të thonë se nuk duam të ta lëmë ty Presidentin, atëherë fatkeqësi për të. Pala tjetër duhet t’i drejtohet Parlamentit që të ecë normal, të zhbllokojë situatën. Ose ka parlamentarizëm, ose ka marrëveshje. Marrëveshja nuk është konsensus. Konsensus do të thotë votim, marrëveshja është diçka tjetër. Deri tani kanë tentuar të bëjnë marrëveshje për një kandidat të përbashkët. Nuk e arrijnë dot, sepse nuk e lë Saliu. Por kërkesa e ndërkombëtarëve është që të mos e ketë Saliu. Në këto momente dhe në këtë situatë, opozita duhet të paraqesë dy kandidatët e vet, apo sa ka ndërmend të paraqesë, dhe të hyjë në sallë. Kompromisi bëhet në sallë, kush ka forcë le ta marrë me votë. Pastaj përgjegjësia bie mbi atë sallë: E doni të ardhmen perëndimore të Shqipërisë, ose jo? Doni otomanizmin e Saliut? Mbajeni! Kaq është e gjitha!
Nga mënyra se si janë zhvilluar deri tani negociatat, përpjekjet për marrëveshje kanë dështuar sipas jush dhe është vetëm Parlamenti që i jep zgjidhje?
Këtë situatë e zgjidh vetëm Parlamenti dhe askush tjetër.
Por kjo që ju po thoni është një përsëritje e zgjedhjeve të Presidentit në 2002-shin, por situata është e ndryshme?
Ju lutem, pse iu la opozitës në 2002-shin unë nuk e di. Por u tha se zgjedhjet nuk ishin të ndershme. Edhe në këtë rast opozitës i është lënë. Kërkohet marrëveshje kur ti e ke shumicën. Kur nuk e ke shumicën, marrëveshja është e imponuar. Imponimi i atyre që e kanë mundësinë ta zgjedhin, këtë nuk e pranon Perëndimi.
Mund të dalë PS me kandidaturën e Fatos Nanos dhe të marrë konsensusin në Parlament?
Partia Socialiste në 2002-shin i kishte të 84 votat për ta zgjedhur vetë Presidentin. Pse nuk u imponua? Sepse Perëndimi kërkoi konsensus, sepse Nano nuk është otoman si Saliu, është perëndimor.
A mund të jetë sot Nano një kandidat konsensual perëndimor?
Nano ka dhënë përshtypjen se është një forcë perëndimore në Shqipëri. Nano nuk është forcë orientale. Saliu është forcë orientale, inerci orientale në Shqipëri.
Deklaratat ultimative të Nanos ju duken se pengojnë procesin konsensual?
Nuk e di, atë rrugë ka zgjedhur Nano, nuk e shoh të jetë rruga adekuate. Rruga adekuate është të hyjë me 20 firma në Parlament.
Raundi i tretë nuk ju jep shpresë se do të zgjedhë një President me 84 vota?
Partia Socialiste është e detyruar të paraqesë kandidaturën, në të kundërt hyn në spiralen e Saliut.
Por a duhet PS të kandidojë Fatos Nanon duke i dhënë firmat e nevojshme?
Ai është problem politik, nuk mund ta diskutoj unë, është një çështje e brendshme e PS.

Mediu: Nuk tërhiqemi nga kandidati Zaganjori

Fatmir Mediu

Maxhoranca duket se do të shkojë deri në fund me emrin e Xhezair Zaganjorit për ta votuar atë në Parlament, qoftë edhe me 71 vota. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, deklaroi dje se Zaganjori është emri i kandidatit të shumicës që do t’i nënshtrohet procesit të votimit në raundin e katërt nëse opozita nuk gjen konsensus për emrin e tij. Nga ana tjetër, kreut i PR-së ka kërkuar nga opozita që të propozojë emrat e kandidatëve, në mënyrë që të zhvillohet një garë në Kuvend. “Shpresoj që PS-ja të vijë në vlerësim të kandidaturës së Zaganjorit, dhe pse jo, të propozojë një kandidaturë tjetër. PR do të jetë pjesë e një vendimmarrjeje të përbashkët me maxhorancën për çdo çështje”, deklaroi dje Mediu. Ndërkohë, për demokratin Edi Paloka, shumica propozoi juristin Zaganjori për të gjetur dhe dakordësinë e Partisë Socialiste, duke hequr dorë nga kandidaturat politike. “Kandidatura jonë është absolutisht ajo e Xhezair Zaganjorit, dhe është ofruar si kandidaturë konsensuale për PS-në, pasi ne kandidaturat tona i kemi pasur politike. Ekziston mundësia e garës nëse opozita do të sjellë një kandidaturë tjetër me 20 firmat”, deklaroi Paloka.

Shehu: Në raundin e katërt, kandidat politik

Tritan Shehu

Maxhoranca kërkoi nga opozita që të bëhet pjesë e procesit të zgjedhjes së një Presidenti konsensual në raundin e tretë të votimit në Parlament. Në të kundërt, atëherë të djathtët do të votojnë një kandidaturë politike. Deputet i PD-së, Tritan Shehi, ka deklaruar dje se opozita ka tri ditë kohë për t’i dhënë vendit Presidentin konsensual dhe të pranojnë kandidaturën e Xhezair Zaganjorit. “Nëse raundi i tretë dështon, dështon çdo mundësi e Partisë Socialiste për të qenë pjesëmarrëse. Pastaj procesi nuk ka nevojë më për Partinë Socialiste, por zgjidhet me votat e maxhorancës. Pozicioni i Berishës ka qenë i qartë, që Shqipërisë i duhet më mirë një President politik. Tërheqja nga ky pozicion u bë pikërisht për t’i hapur rrugë procesit gjithëbashkëpunues e për ta afruar PS me një kompromis të nisur brenda maxhorancës. I gjithë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të votojë në bazë të vendimit politik që PD do të marrë”, deklaroi Shehi.

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.