Postuar me: 6:59 18-06-2012

Nis beteja për tokat e gazsjellësit

Shperndaje
Etiketat

Kompensimet 

Aksionerët e TAP identifikojnë 7 mijë pronarë. Gjurmët e projektit dhe përfitimet

Do të punësohen rreth 200 punëtorë e specialistë, do të ndërtohen rreth 40 km rrugë të reja dhe rehabilitohen rreth 90 km të tjera

 

Gazsjellësi “Trans Adriatik Pipeline” (TAP) nuk do të sjellë përfitime vetëm për qeverinë shqiptare, por edhe për pronarët e tokave nga ku do të kalojë tubacioni, me gjatësi prej afro 200 km. Drejtuesit e kompanisë thonë se kanë identifikuar 7 mijë pronarë që preken nga shtrimi i tubacionit në tri qarqe të vendit, Korçë, Berat e Fier dhe se do të nisin kontaktet për kompensimin e tyre. Menaxherët e projektit nuk fshehin merakun që kanë me problemet e pronësisë në vend, sikurse kërkojnë mbështetjen e qeverisë.

Duke iu referuar studimit, Fieri do të jetë epiqendra e gazsjellësit në Shqipëri, nga ku do planifikohet krijimi i degës për nevojat e vendeve të rajonit. TAP ka një gjatësi prej 500 km, ku 200 janë në Shqipëri dhe 60 km në det, për të arritur në Itali, ndërsa sasia e gazit që do të transportohet arrin në 10 miliardë metër kub. Në fillim ishte menduar një dalje e tubacionit në veri të Vlorës, por pas studimeve të fundit u gjykua më e drejtë të jetë rajoni i Hoxharës, në perëndim të Fierit.

Gazeta “Shqip” mëson, përmes raportit final të TAP-it, se drejtuesit e projektit janë treguar të kujdesshëm në përcaktimin e gjurmëve, duke minimizuar qendrat e banuara, parqet dhe tokat bujqësore. Tubacioni do të shtrihet 1 m nën tokë dhe më shumë se aq për zonat e banuara. Drejtuesit e projektit, me vlerë mbi 25 miliardë dollarë, pranojnë se i janë dashur dy vjet për të përcaktuar gjurmën nga ku do të kalonte projekti, në mënyrë që të respektonin edhe mjedisin (bazuar mbi standardet e BERZH-it).

Tubacionet e gazsjellësit do të prekin disa qendra banimi, me jo më shumë se 400 banorë, duke minimizuar rreziqet, dhe nga ana tjetër kanë identifikuar dosjet e 7000 pronarëve që do të kompensohen.

Në Qarkun e Fierit, linja e gazsjellësit përfshin komunat Strum, Zharrëz, Mbrostar, Dërmenas dhe Topojë. Në territorin shqiptar, nga Greqia do të përshkojë në Miras, Rajoni i Korçës, e Vithkuqit, më pas do të vijojë në Berat, duke u shtrirë në fshatin Velmish dhe pasi përshkon komunat e Fierit përfundon në bregdetin e Semanit. Paraprakisht është vendosur se stacioni i gazit, aty ku do të kalojë degëzimi, do të pozicionohet në rajonet Mbrostar-Topojë, në lumin Seman dhe në kanalin kullues Levan-Darëzezë.

Si rezultat i këtyre studimeve, është përcaktuar një rrugë optimale, e cila mënjanon zonat me popullatë të dendur dhe të ndjeshme ndaj mjedisit, të tilla si Parku Kombëtar i Hotovës në Shqipëri. Seksioni lindor i gjurmës ndërpritet nga mali i Moravës, i cili shtrihet në drejtim veri-jug dhe arrin një lartësi mbi 1800 m në pikën e tij më të lartë.

TAP-i do të zhvillojë infrastrukturën energjetike të Shqipërisë dhe do të tërheqë investime të mëdha nga jashtë. Aksionerët e TAP-it po shqyrtojnë gjithashtu edhe mundësinë për të lënë disa volume gazi në Shqipëri.

Me depozitimin e gazit, përmbushet një veçori e rëndësishme e strategjisë së BE-së për sigurinë e furnizimit. TAP-i aktualisht po studion mundësinë për të zhvilluar depozitime nëntokësore të gazit në Rajonin e Dumresë në Shqipëri. Ky depozitim do të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe do të ofrojë një fleksibilitet në rritje për të trajtuar ndërprerjet e furnizimit ose ndryshimet stinore në konsum.

Gjatë fazës së punimeve do të punësohen rreth 200 punëtorë e specialistë, do të ndërtohen rreth 40 km rrugë të reja dhe rehabilitohen rreth 90 km të tjera drejt fshatit Seman, sikurse janë parashikuar krijimi i 5 magazinave të mëdha për depozitimin e 15 mijë tubave, që do të vijnë përmes Portit të Durrësit.

17.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.