Postuar me: 9:05 12-06-2012

Nishani zgjidhet president, socialistët: I paligjshëm

Shperndaje

Opozita e cilëson të antikushtetuese zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e kreut të shtetit. Sipas argumentimit të deputetëve socialistë, për kandidaturën e Nishanit kanë firmosur deputetë që kanë votuar edhe për kandidatin Artan Hoxha.

Sipas deputetit Erion Braçe, pas dorëheqjes të kandidatit të propozuar Artan Hoxha, kandidatura e Nishanit u paraqit jashtë afateve të vendosura nga Konferenca e Kryetarëve.

Gjithashtu, një tjetër parregullsi sipas socialistëve është edhe çështja e konsumimit të raundit të katërt.

Sipas tyre,  pas tërheqjes së Hoxhës, kryetarja e Kuvendit duhet të hapte seancën dhe të konsumonte formalisht raundin e katërt dhe jo të caktonte një tjetër seancë brenda ditës.

 

21:00 – Ambasada amerikane në Tiranë ka uruar Bujar Nishanin për zgjedhjen si president. Në urim thuhet se “Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”. Ambasada amerikane nënvizon se do të mbështesin Nishanin në përpjekjet e tij për forcuar sundimin e ligjit dhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të Shqipërisë.

19:25 – Bujar Nishani pas zgjedhjes si presidenti i ri, pritet të bëjë betimin para përfundimit të mandatit të presidentit në detyrë, Bamir Topi, mandati i të cilit përfundon me 24 korrik.

19:20 – Në fund rezulton se Sali Berisha i ka qëndruar retorikës së vazhdueshme, të shprehur prej më shumë se një viti, se në krye të shtetit do të zgjidhet një figurë kryesore e Partisë Demokratike. Ndërsa LSI edhe pse kishte një marrëveshje politike me PD-në për zgjedhjen e presidentit dhe në një kohë që kishte katër vota përcaktuese, ka ndryshuar vazhdimisht qëndrim. Pavarësisht kësaj, Meta pas përfundimit të votimit u shpreh se “ky është një proces i shkëlqyer i dialogut i demokracisë i debatit ti konkurrencës, ku u përfshirë. Është një eksperiencë e re për demokracinë tonë” çka ngjau si një deklaratë e dhënë nga zëdhënësi i PD-së.

19:15 – Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, ka përshëndetur zgjedhjen e Nishanit si president duke thënë se “është një lajm i mirë”. “Çmojmë punën e vendosur të ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t’i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive,” shprehet Volfart.

19:10 – Në procesin e votimit morën pjesë 76 deputetë dhe pas numërimit rezultoi se pro Bujar Nishanit kishin votuar 73 deputetë, dy fletë ishin të pa vlefshme ndërsa një votë ishte kundër. Një prej fletëve të pavlefshme i përket kreut të PBDNJ-së, Vangle Dule.

19:07 – Deri para vitit 2005, Bujar Nishani ishte një nëpunës i thjeshtë i administratës me karrierë të gjatë ushtarake. Në zgjedhjet e 2005, ai u zgjodh deputet në mënyrë surprizë, pasi u ndihmua nga ndarja e votave mes LSI-së dhe PS-së në zonën e Kombinatit. Votat e LSI-së në Kuvend edhe këtë herë kanë rezultuar vendimtare për karrierën e tij. Ai ka lindur në vitin 1966 në Durrës. Në 2007 ai u zgjodh ministër i Brendshëm ndërsa pas zgjedhjeve të 2009 u emëruar ministër i Drejtësisë.

19:02 – Bujar Nishani është zgjedhur presidenti i ri i Republikës me 73 vota pro. Ai do të jetë presidenti i gjashtë në 22 vite pluralizëm në Shqipëri.

18:559 – Në 30 fletët e para të numëruar të gjitha rezultojnë pro kandidaturës së Bujar Nishanit për president përveç dy fletëve të pavlefshme. Për zgjedhjen e tij në këtë detyrë dot mjaftojnë 71 vota nga 76 të gjithsej.

18:50 – Pas përfundimit të votimit, sekretariati i votimit ka nisur procedurën e numërimit. Kanë marrë pjesë vetëm 76 deputetë.

18:19 Deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në votim. Këtë rregull e kanë “prishur” vetëm Kastriot Islami dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

17:45 – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pasi ka lexuar raportin e Komisionit të Ligjeve, ka thirrur sekretariatin për procedurën e votimit. Pjesë e sekretariatit do përbëhet nga Viktor Gumi, Arenca Trashani dhe Armando Subashi. Votimi është i fshehtë me kuti.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i ka shprehur mbështetje kandidati për president, Bujar Nishanit. Mësohet se Aleksandër Arvizu i ka dërguar një mesazh privat duke e cilësuar “mik të mirë dhe mbështetës së Amerikës”.

*    *    *

“Bujar Nishani nuk mund të zgjidhet president, sot”

Në një kohë kur në orën 17:00, Kuvendi pritet të mblidhet për të votuar, Bujar Nishanin, për president të Republikës, Lëvizja “Nano për President” pretendon se kemi të bëjmë me “gafë Kushtetuese”. Kjo për shkak se një ministër nuk mund të zgjidhet president nëse nuk jep dorëheqjen.

Në këtë pikëpamje edhe nëse Nishani paraqet dorëheqjen para votimit në Kuvend, ajo duhet të dekretohet nga presidenti Topi që të mos konsiderohet më ministër në detyrë. “Dorëheqja e tij, ka vlerë ligjore vetëm pasi është pranuar me dekret nga presidenti i Republikës”, thuhet në komunikatën e shpërndarë nga Lëvizja “Nano për president”.

Kandidimi i Nishanit për president gjithashtu do t’i “hiqte” një votë mazhorancës për shkak se ai nuk mund të votojë për vetveten. Ndërkohë, kandidatura e Nishanit ka marrë 21 firma dhe pritet t’i paraqitet Komisionit të Ligjeve për miratim dhe më pas do të kaloi për votim në Kuvend në orën 17:00.

Kandidimi i Nishanit nga mazhoranca erdhi pas tërheqjes së Artan Hoxhës. Ministri i Brendshëm është një nga katër emrat e diskutuara në tryezën e mbrëmshme Berisha, Rama, Meta dhe Idrizi. Gjithashtu në këtë tryezë u hodhën për diskutim edhe Arben Imami dhe Petraq Milo.

Nëse pretendimi i Lëvizjes “Nano për president” është korrekt atëherë sot president mund të zgjidhet vetëm Petraq Milo ka katër emrat e diskutuar në tyrzë pasi edhe Imami mban postin e ministrit.

12.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.