Postuar me: 20:22 06-07-2015

PD-ja drejt shkatërrimit, Basha po mbron liderishipin e tij amorf (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip liderishipinDy javë pas zgjedhjeve vendore, ish-këshilltari i Sali Berishës për çështjet e menaxhimit urban, Flamur Kuçi, ka bërë një radiografi të humbjes së thellë të Partisë Demokratike. Përgjegjës kryesor për humbjen e PD-së, ai bën kryedemokratin, pasi, para zgjedhjeve të 2015-ës, sipas tij, Basha tha se këto zgjedhje janë basti personal i tij. “Basha zgjodhi kandidatët e PD-së, ndërtimin e tezave dhe zgjodhi të ishte vetë imazhi i opozitës. Nuk mund të jetë asnjë tjetër veçse Luli përgjegjës për rezultatin zgjedhor. Çdo tendencë për ta devijuar, kamufluar apo zbehur këtë përgjegjësi është një prerje në besë dhe tallje e elektoratit”, tha Flamur Kuçi në një intervistë për “Shekulli”-n.

Për të ilustruar të kundërtën e Bashës, ai na rikujton zgjedhjet e 2013-ës dhe ish-kryeministrin Berisha. Edhe pse zgjedhjet nuk ishin basti personal i Berishës, thotë Kuçi, ai mori përsipër përgjegjësitë duke dhënë dorëheqjen. “Krisja” e lidershipit të PD-së, tha Kuçi, ka ardhur për shkak se Basha kalon në heshtje dhe pa debat këtë mënyrë difektoze të drejtimit të opozitës. Nëse PD-ja do të vazhdojë të drejtohet po me të njëjtën arrogancë rrezikon të kthehet forcë e tretë në vend. Ndërsa sa i përket analizës së humbjes që pritet të bëhet në shtator ai shprehet me rezerva.

Z. Kuçi kreu demokrat Basha u shpreh se kjo është një fitore për PD-në. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë deklaratë dhe a mund të cilësohet PD-ja një fituese kur nga 61 bashki fitoi vetëm 15?

Në këto zgjedhje Partia Demokratike ka pësuar një disfatë tjetër pas asaj të vitit 2013 duke thelluar rrudhjen edhe me 100.000 vota të tjera. Koalicioni i partive të drejtuar nga Basha ka marrë në 2015-ën vetëm 507,000 vota nga 606,000 vota që ka marrë para dy vitesh (duke u rrudhur në më pak se 34% të votave). Basha ia ka dalë ta rrudhë të djathtën me 100,000 vota në dy vite. Po ta krahasosh me vitin 2011, situata është edhe më e rëndë; nga 41,3% që zotëronte ky koalicion në 2011-ën, Basha ia ka dalë ta rrudhë me -7,4%. Tashmë PD-ja është rrudhur në vetëm 1/4 e bashkive (për të mos folur për rendin sekondar të bashkive të fituara) dhe rrezikon të kthehet forcë e tretë në vend. Kjo rrudhje e PD-së kulmon me humbjen e thellë në Tiranë; një protestë e qartë e votuesve ndaj mënyrës më të papërgjegjshme të qeverisjes së kryeqytetit nga vetë Basha.

Basha kërkoi një referendum kundra qeverisjes që në fakt rezultoi në një referendum kundra mënyrës së drejtimit të opozitës.

Të flasësh sot për një fitore të PD-së është jo vetëm papërgjegjshmëri politike dhe jo vetëm politike, por edhe një fyerje për elektoratin e PD-së. Në fakt lidershipi i PD-së është në një kontradiksion të thellë kur flet nga njëra anë për “fitore” të PD-së dhe nga ana tjetër për “shkatërrim dhe vjedhje të zgjedhjeve”. Është e qartë që Bashës i mungon kurajo për të thënë të vërtetën, i mungon aftësia për të analizuar humbjen dhe për të drejtuar opozitën drejt ringritjes së saj, si dhe i mungon respekti për elektoratin e djathtë për të mos lëshuar budallallëqe fyese për mbështetësit. Në themel të tezës së Bashës nuk ka asgjë politike. Ka vetëm interesin afatshkurtër të tij që të mos kontestohet lidershipi i tij amorf dhe difektoz.

Deputetet Mesila Doda, Jozefina Topalli dhe “i përmbajturi” Astrit Patozi në deklaratat e tyre kanë pranuar humbjen e thellë në zgjedhjet lokale duke kërkuar nga drejtuesit e PD-së reflektim dhe përgjegjësi. A rrezikohet që PD të ketë një tjetër krisje ?

Unë nuk besoj se PD-ja ka rrezikuar në këto vite ndonjë krisje. Nuk është kjo esenca e krizës së PD-së. PD-ja po përjeton një degradim nën lidershipin e Bashës dhe “krisja” ka qenë gogoli për të pranuar heshturazi dhe pa debat këtë mënyrë difektoze të drejtimit të opozitës nga Basha. Baza e partisë është krejt e qartë për këtë gjë, dhe e qartë edhe për nevojën imediate të bërjes së analizës së zgjedhjeve, ndryshe nga sa ndodhi 2 vite më parë kur në mungesë të një analize “baza” u bë “fajtore” e humbjes së vitit 2013. Presioni i bazës nuk mund të mos dëgjohet dhe të reflektohet edhe në zëra në lidershipin e PD-së. Çështja është se çfarë vjen më pas.

Nivele të tilla, pjesë e vendimmarrjes së PD-së, kanë gjithë instrumentet e duhur politikë dhe vendimmarrës në dorë për të reflektuar ndjeshmëritë dhe pritshmëritë e mbështetësve të opozitës. Prandaj, mendoj unë, serioziteti i zërave matet me materializimin e veprimit të tyre politik në funksion të ringritjes së opozitës. Në të kundërt pseudo-kritika i bën shërbimin më të madh lidershipit aktual mediokër të Bashës dhe njëkohësisht dëmin më të madh thyerjes së aspiratave të mbështetësve të djathtë. Unë besoj se mbështetësit e PD-së lexojnë qartë lidershipin dhe trendet politike dhe nëse kuptojnë që shansi i reformimit të kësaj force politike shuhet, do të vazhdojnë ta ndëshkojnë këtë forcë duke i dhënë leksionin e duhur politik dhe përgjigjen e duhur arrogancës së Bashës në drejtimin e opozitës.

Në shtator z. Basha tha se do të bëhet analiza e humbjes së zgjedhjeve. A duhet të marrin përgjegjësi drejtuesit e PD-së për këtë humbje, siç bëri Berisha dy vite më parë duke u dorëhequr nga drejtimi i partisë dhe nëse po nga duhet nisur kjo?

Personalisht jam skeptik në vërtetësinë e “premtimeve” të Bashës. Mjafton t’ju kujtoj që megjithë presionin e bazës, megjithë pritshmërinë e mbështetësve, analiza e zgjedhjeve të vitit 2013 nuk u bë asnjëherë, megjithatë kjo nuk e pengoi Bashën të deklaronte në mënyrë të papërgjegjshme “bërjen e analizës së zgjedhjeve”. Nëse Basha do e kishte seriozisht këtë proces edhe mund të sakrifikonte pak nga pushimet e verës për këtë qëllim dhe jo të priste shtatorin. Në fakt analizën humbjes po ia bëjnë çdo ditë mbështetësit e opozitës. Basha do ketë në dorë vetëm ta lexojë ose jo atë. Nëse do e lexojë do ndërmarrë veprimin e duhur për t’i hapur rrugë reformimit të PD-së.

Nëse, siç e ka treguar koha, do vendosë interesin e tij privat dhe personal mbi interesin e opozitës apo interesin publik, do kemi një pseudoanalizë që do rezultojë në më shumë degradim të opozitës. Sa i takon përgjegjësive, personalisht mendoj që ia vlen krahasimi me post zgjedhjet e vitit 2013 pasi të dy zgjedhjet janë rekorde të disfatave të së djathtës. Megjithëse zgjedhjet e vitit 2013 nuk ishin basti personal i Berishës, ai mori përsipër përgjegjësitë e veta dhe jo vetëm të tija duke dhënë dorëheqjen formale.

Para zgjedhjeve të 2015-ës na u tha qartë që këto zgjedhje janë basti personal i Lulit, prandaj zgjodhi vetë kandidatët, ndërtoi vetë tezat politike, vetë kërkoi një referendum popullor në vend të zgjedhjeve lokale, zgjodhi të ishte vetë imazhi i opozitës. Nuk kuptoj se në çfarë rrethane nuk mund të jetë veçse Luli përgjegjës për rezultatin zgjedhor. Çdo tendencë për ta devijuar, kamufluar apo zbehur këtë përgjegjësi është një prerje në besë dhe tallje e elektoratit.

Si e shihni të ardhmen e zotit Basha dhe të Partisë Demokratike pas analizës që do të mbahet në shtator?

Në zemër të vëmendjes, kritikës, mbështetjes dhe aksionit tim është vetëm e tashmja dhe e ardhmja e Partisë Demokratike dhe opozitës së djathtë. Uroj, megjithëse jam shumë skeptik ndaj lidershipit të Partisë Demokratike, që njëherë të vetme ta ketë edhe ai në vëmendje këtë interes në vend të interesit të tij të ngushtë personal. Unë besoj se PD duhet të gjejë forcat dhe liderishipi kurajon për t’i hapur rrugën, jo formalisht, reformimit të PD si hap i domosdoshëm për ringritjen e opozitës.

Opozita të reflektojë ose do të humbë thellë dhe më thellë

Opozita nuk mund t’ia lejojë vetes të rrijë me sytë e shpresë në konfliktin mes PS-së dhe LSI-së si të vetmin shans për t’u kthyer në pushtet

Si mund të shpëtohet nga opozita ?

Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të jetë arrogante me prioritetet e publikut. Ajo duhet të lërë mënjanë interesin personal të Bashës dhe të merret me hallet e publikut. Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të mos marrë në shqyrtim votën e njerëzve, duke mos e analizuar si në rastin e para dy viteve. Nëse para dy vitesh, PD-ja refuzoi të analizonte humbjen dhe të ecë vendosmërisht në gabimet që çuan në humbjen e 2013-s, nuk mund të priste rezultat tjetër veçse përsëritjen e asaj humbjeje edhe në 2015-ën, me gjithë konsumin e qeverisjes problematike të majtë. Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të rrijë me sytë e shpresë në konfliktin mes PS-së dhe LSI-së si të vetmin shans për t’u kthyer në pushtet, por të punojë fort për të ngjallur shpresën e mbështetësve për një rikthim si forcë kryesore politike në vend.

Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes që thjesht të kundrojë kryetarin tek bën pazarin e radhës në dëm të interesave të PD-së dhe në funksion të pushtetit të tij personal brenda PD-së. Kryetari i PD-së po kthehet nga i preferuari i liderit historik të PD-së, në të preferuarin e kundërshtarit politik, pasi ky e ka tepër të lehtë për ta mundur. Madje ky i fundit, edhe pse në mënyrë ironike, nuk ia kurseu as falënderimet e rastit për këtë fitore kaq të lehtë. Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të heshtë, apo të bëjë sikur kritikon, në këmbim të ekuilibrit me pushtetin e kryetarit, duke sakrifikuar kështu mbështetjen e elektoratit të djathtë. Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të rendë kësisoj e papërgatitur në zgjedhjet e përgjithshme sepse në vend që të jetë shpresa e këtij vendi, do jetë thjesht tabela kundrejt së cilës do të vazhdojë të drejtohet vota kundër arrogancës, duke bërë kështu hapin e radhës drejt degradimit të kësaj force politike.

 

06.07.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.