Postuar me: 22:48 12-07-2015

Pensioni social, zbardhet formula për 4 kategori (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip Pensioni socialTë ardhurat individuale për shtetasit, të cilët aplikojnë për të përfituar pension social, do të llogariten mujore dhe do të rivlerësohen një herë në vit, bazuar në deklaratën e re për gjendjen socialekonomike të përfituesit. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, është hartuar skema për ato kategori individësh, të cilët realizojnë të ardhura nga 4 forma aktivitetesh. Kështu, do të merren në konsideratë për përfitimin e pensionit social, të ardhurat nga toka bujqësore, që siguron familja në përbërje të së cilës është personi, i cili aplikon për të përfituar pension social, të përpjesëtuara sipas numrit të anëtarëve të familjes.

Gjithashtu, në referencë janë përfshirë edhe të ardhurat mujore nga veprimtaria ekonomike, si aksioner i vetëm ose bashkëpronar në një aktivitet ekonomik, si dhe të ardhurat mujore nga depozita bankare në emër të kërkuesit. Të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme, të dhëna për qëllime të nxjerrjes së të ardhurave (dhënie me qira ose në përdorim të personave të tjerë për një aktivitet ekonomik fitimprurës, i cili nuk është në emër të kërkuesit të pensionit social), janë të vlerësuara në kategorinë e katërt.

Kriteret Udhëzimi shpall se të ardhurat mujore nga veprimtaria ekonomike si aksionar i vetëm dhe bashkëpronar në një aktivitet ekonomik, vlerësohen bazuar në vërtetimin e lëshuar nga drejtoritë rajonale të tatimeve, ku përcaktohet statusi i aksionarit dhe i bashkëpronarit, si dhe deklarata vjetore e pranuar e fitimit. Gjithashtu, për kalkulimin merren në shqyrtim dhe deklarimi për shumën e fitimit vjetor dhe e ardhura mujore llogaritet bazuar në deklarimin e fitimit vjetor, të pjesëtuar me 12.

Të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme individuale ose në bashkëpronësi me persona të tjerë, vlerësohen bazuar në vërtetimin e lëshuar nga ZRPP-ja, deklarimin e kërkuesit për shumën e të ardhurës vjetore individuale nga qiradhënia dhe kontratën e dhënies me qira ose në përdorim të pasurisë së paluajtshme. Vendimi përcakton se, në rastet kur kërkuesi ka në pronësi apo në bashkëpronësi më shumë se një banesë, duhet të saktësojë faktin nëse ka ose jo prona të dhëna me qira.

Llogaritja e së ardhurës mujore, për këtë kategori, bazohet në të ardhurat e deklaruara dhe në rast prone në bashkëpronësi, përpjesëtohet sipas pjesës takuese të secilit bashkëpronar si dhe në të ardhurat e përpjesëtuara mujore nga depozitat bankare në emër të kërkuesit. Bazë për llogaritjen e të ardhurave mujore nga depozitat bankare është shuma vjetore, sipas deklarimit të kërkuesit. Shuma mujore e të ardhurave llogaritet duke pjesëtuar shumën e të ardhurave vjetore neto, pjesëtuar me 12. Kush përfiton Pensionin social e përfitojnë edhe shtetasit, që janë vendosur në institucionet rezidenciale (siç janë shtëpitë e të moshuarve), të cilët plotësojnë kriteret ligjore.

Për shtetasit që plotësojnë kushtet për përfitimin e pensionit social dhe janë të vendosur në institucione rezidenciale njoftohet Shërbimi Social Shtetëror. Masa mujore e pensionit social të pjesshëm llogaritet si diferencë midis pensionit social të plotë dhe të ardhurave mujore individuale të deklaruara, të vlerësuara dhe të pranuara. Pensioni social i pjesshëm, që nga llogaritjet rezulton të jetë më pak se 200 lekë në muaj, nuk paguhet. Për personat, të cilëve iu ka lindur e drejta për pension social nga data 1.1.2015 – 30.6.2015 dhe nuk kanë paraqitur akoma kërkesën për pensionin social apo dokumentacioni nuk është përpunuar, e drejta e fillimit të pagesës për pension social do të jetë nga data 1.1.2015. Për rastet e tjera, e drejta e përfitimit të pagesës fillon nga data e paraqitjes së kërkesës.

 

12.07.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.