Postuar me: 8:41 13-06-2012

Përçahen bashkitë, Basha merr shoqatën

Shperndaje
Etiketat

Kreu i Tiranës, apel socialistëve: Hajde të bashkëpunojmë

Ashtu sikurse pritej, kryetari i Bashkisë së Tiranës u zgjodh dje si kryetar i Shoqatës së Bashkive në rang vendi, ndërsa krerët e njësive të majta nuk morën pjesë. Zgjedhjet e zhvilluara ishin një shans për drejtuesit lokalë të ishin të bashkuar për qëllime të përbashkëta, por në fakt bindjet politike dolën mbi interesat e bashkëpunimit.

Lulzim Basha, i mandatuar si kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës të bashkëpunojnë dhe të marrin vendet që u takojnë, atë të nënkryetarit të shoqatës, si dhe gjysmës së anëtarëve të kryesisë, ndërsa u shpreh i bindur se së bashku, edhe me ndihmën e partnerëve, shoqata do të funksionojë në parametrat më të mirë të pjesëmarrjes së të gjithë të zgjedhurve vendorë.

“Dua t’ju garantoj, se me zgjedhjen time në krye të kësaj shoqate, jo vetëm që nuk ndryshon asgjë nga pala e bashkëpunimit, dialogut, të cilat unë i kam shpallur si parime të mirëqeverisjes në Tiranë, por përkundrazi, duke u bashkuar të gjithë së bashku, për mirëmenaxhimin e problemeve tona të përbashkëta, jam i sigurt që do të arrijmë së bashku, që qytetarëve t’u japim siguri dhe besimin se axhenda jonë e vërtetë ka të bëjë vetëm me problemet e tyre, se vendi dhe roli i pushtetit vendor për zgjidhjen e problemeve mund të arrihet shumë më mirë, nëse ne bashkëpunojmë dhe nuk e lëmë procesin, që të mbetet në rrjedhën e konfliktit politik”, u shpreh kryetari Basha, i cili në krah të tij qëndronte “arkitekti” i zgjedhjeve në shoqatë, zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone. Asambleja e Përgjithshme është ngjarja më madhore e Shoqatës së Bashkive. Në të marrin pjesë me të drejtë vote të gjithë kryetarët e bashkive dhe kryetarët e Këshillave Bashkiakë.

Edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, theksoi se bashkitë duhet të angazhohen më shumë dhe të ofrojnë një shërbim më të mirë për qytetarët e tyre. “Duhet të kontribuoni duke forcuar strukturat demokratike të bashkive. Ju inkurajoj të krijoni klimën e duhur të bashkëpunimit, për të pasur një shoqatë funksionale. Bashkitë kanë nevojë të angazhohen më shumë në shoqatë, për ta realizuar më mirë punën e tyre, për të qenë konform standardeve të Europës dhe për të arritur më shumë në vendimmarrjen e qeverisjes qendrore, në të mirë të qytetarëve”, tha Wollfarth.

Zgjedhjet konsideroheshin të rëndësishme, për vetë faktin se mbaheshin një vit pas fushatës së majit për krerët e pushtetit lokal, dhe ku në krye të Bashkisë së Tiranës, pas 10 vitesh, vinte një drejtues nga Partia Demokratike.

12.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.