Postuar me: 7:40 09-06-2012

Përzëreni këtë klasë politike!

Shperndaje
Etiketat

SHPETIM NAZARKO Zotëri, përse nuk jepni dorëheqjen nga Gjykata Kushtetuese kur mandati juaj ka mbaruar? Përgjigjja ishte e thjeshtë: “Nuk iki dot nëse nuk vjen zëvendësi. Ma imponon Kushtetuta, neni 125, paragrafi 5. Mos më kërkoni të shkel Kushtetutën. Jam gardian i saj dhe nëse e shkel unë, hidhet në erë themeli më i qartë i asaj që mban shtetin”. Zotëri, po nëse pa ardhur zëvendësi, ju propozojnë ndonjë detyrë tjetër, a jeni gati ta harroni përgjigjen tuaj të parë? “Varet nga lloji i asaj që më…propozoni. Nëse është gjë që më kënaq, jam gati ta harroj shtrëngimin kushtetues dhe të jap dorëheqjen”.

Lum si ne për Gjykatën Kushtetuese dhe tërë këtë klasë politike të të dyja kampeve! Më gjeni një të metë, thërret Kryeministri, pastaj e diskutojmë. Ja ku e ke, zotëri, po ta them unë, meqë kryetari i opozitës dhe tërë klasa e analistëve dhe ambasadorëve vijnë vërdallë dhe na tororisin kokën. Do ta them unë dhe pastaj do të të pyes ty: përpara se t’ia hidhje publikut këtë lloj kandidature, e ke parë apo jo Kushtetutën?
A ka bërë gabim anëtari i Gjykatës Kushtetuese dhe kandidati për President që po sillet kështu? Gjermani po i mbushte mendjen francezit se është Ligji dhe Edukata që imponojnë sjelljen e gjësë së gjallë. Francezi thoshte se është Origjina. Gjerman e ftoi francezin dhe vuri macen t’i shërbente. Francezi e pranoi sfidën, por kur macja erdhi për herë të dytë të pastronte tavolinën, ai nxori portofolin dhe ajo e shkreta hodhi tabakanë e shërbimit për të zënë miun… Macja e harroi Ligjin dhe Edukatën dhe kujtoi Origjinën.
Gjermanët e sotëm, vend ku ka studiuar dhe kandidati ynë për President, kanë zënë mënd nga fabula e mësipërme. Kjo është arsyeja e thjeshtë kur Presidenti i tyre i fundit bëri një dëm shumë më të vogël se kandidati ynë, i treguan derën. Burokracia jonë do të shqyhej gazit nëse do t’i kërkohej shpjegim për një rast analog. Presidentit shqiptar nuk do t’i hynte asnjë gjemb në këmbë, e jo t’i kërkonin dorëheqjen.
A e di ambasadorja gjermane se çfarë kërkojmë të bëjmë ne? A e ndien veten të fyer kur kujton pse e për çfarë e përzunë Presidentin e tyre? Thua vërtet do ta pranojë talljen e madhe ndaj vendit të saj dhe gjithë Europës nga klasa jonë politike me propozimin për President?
Ajo dhe Brukseli të mendojnë çfarë të duan, por klasa jonë politike nuk e kalon dot macen e fabulës. Ajo do t’i shërbejë origjinës së saj. Vërtet e ke? – mund të thotë skeptiku…
Historia e Presidentit do të mbarojë. Një luzmë analistësh do të sillen vërdallë dhe ashtu si ambasadorët që sillen po vërdallë, do të zënë të merren me reformën.
Historia e reformës është më e zezë se ajo e Presidentit. Nëse do të isha në BE, do të bëja vetëm një pyetje për shefin dhe kryetarin e opozitës, dhe pastaj do t’i nisja me ceremoni andej nga vijnë. Pyetja ime do të ishte:
A mund të më thoni, zotërinj, se ku ndahet diktatura staliniste nga demokracia? Përgjigjja do të ishte e thjeshtë. Kush i numëron dhe si i numëron votat. Në diktaturë i numëron Stalini, domethënë partia.
Kur kjo klasë politike kërkon ende të numërojë mes komisioneve partiake dhe militantëve po partiakë, ajo nuk e kalon aspak as Stalinin dhe as diktaturën. E pa tërë populli dhe tërë bota, mu në mes të Tiranës për dy muaj rresht, si në një film me xhiro të ngadalta, se si shemben shakatë e numërimit mes komisioneve partiakë nëse njëra palë ka shumicën në komision. Të tëra rregullat bëhen një leckë e kotë. Do të numërojë përsëri partia, apo partitë mes militantëve partiakë kudo në çdo fshat dhe qytet. Këtë e quajnë reformë në Tiranë. Shaka e cila do t’i ngjethte leshtë e kokës çdo njeriu, edhe sikur të ishte analfabet. Shaka e cila nuk mund të ndodhë në asnjë vend të Europës dhe në asnjë vend ku çdo ditëzi e njeh dallimin midis diktaturës dhe demokracisë.
Për cilën President flet dhe me çfarë reforme zgjedhore kërkon kjo klasë politike të shkojë në Bruksel? Thua që kjo vjen nga mentaliteti komunist. E keni gabim.
Këta nuk janë komunistë. Komunistët ishin shumë të qartë në maskarallëkun e tyre. Këta janë devijacione të asaj klase, origjina e tyre vjen prej komunizmit. Janë racë më e dobësuar dhe prandaj më e ligë, më e zezë dhe më shkatërrimtare. Nuk kam asnjë dyshim që do të quhen produkte të asaj kohe kur fatkeqësia kombëtare pllakosi vendin në vitin 1990 dhe kush mundi vajti dhe zuri zyrat e shtetit. Për çfarë e doni? Përzëreni!
Mos ndoshta e kanë fajin vetëm dy të mëdhenjtë dhe partitë e vogla kanë vërtet interes për Presidentin apo reformën?
A keni parë ndonjëherë ndonjë parti të vogël të kërkojë të shkatërrojë komisionet partiake? Natyrisht jo! Ato vetëm kërkojnë të kenë edhe ata ndonjë copë nga ky komision. Arsyeja është e thjeshtë. Ato mund të rrojnë vetëm nga kërmat që lënë të mëdhenjtë, asgjë më shumë. Ndryshe nuk kanë vota. Pra nuk kanë ku të ushqehen apo ta sigurojnë ushqimin vetë. Por jo vetëm ata. Ushqehen me mijëra militantë të të gjitha partive që kanë hedhur rrjetën shtrënguese mbi Shqipërinë dhe popullin e saj. Ushqehem me mijëra drejtorë, zyrtarë, tenderues, e më në fund çdo lloj vulgu.
Strategjia e komisioneve partiake nuk ka lidhje me skemën e numërimit. Kjo është më e pakta. Prej saj buron e gjithë strategjia e mbajtjes së pushtetit politik qendror dhe lokal, mbajta e gjithë luzmës së pashoqe të militantëve, analistëve dhe xhambazëve të të gjitha kategorive. Prej saj e ka burimin i gjithë kalbëzimi shoqëror dhe moral i Shqipërisë.
Do t’u shpëtojë kjo klasë politike? Kush, e majta apo e djathta? Mjerë ju! Përzëreni dhe do të shpëtoni. Ndryshe do të zvarriteni në një gropë të përbashkët. Sepse ashtu si macja e fabulës së mësipërme, edhe nëse nuk i shërbejnë origjinës, ata janë shërbyes të mentalitetit të saj. Përzërini sa nuk është vonë! Sa pa na përzënë në Bruksel, sa pa na e mbyllur derën para turinjve si njerëz që nuk duan atdheun e tyre dhe prishin qetësinë e të tjerëve.
Nuk i përzini dot me dru, ashtu si e meritojnë faktikisht. E di se ju ndalon Europa apo ju vrasin nëpër qoshe. Atëherë uluni nëpër trotuare dhe mos lëvizni. Mos shkoni as nëpër zgjedhje dhe mos i lini të shkojnë në Bruksel apo gjëkundi. Ndryshe mbetet t’ju kujtoj Francisko Gojën e madh, i cili në “Kapriçiot” e famshme pasqyron jo të zotin mbi gomar, po këtë të fundit që ia ka hipur atij duke i thënë: “Gjersa për gjë i zoti nuk je, mbamë në kurriz se mirë e ke”.

Burimi:Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.