Postuar me: 7:55 18-06-2012

Pishinat, rregullore e re për bizneset që duan ta mbajnë

Shperndaje
Etiketat

Dhoma zhveshjeje, personel i ndihmës së shpejtë, sinjalizues për ata që ndotin brenda ujin

Drejtoria e Higjienës nis kontrollet e ujit për të gjitha “resortet” rrotull kryeqytetit

Bizneset, të cilat operojnë në fushën e turizmit duke ofruar sipërfaqe pushimi për të gjithë qytetarët, do të duhet të plotësojnë rregulla të reja. Nëse duan të vijojnë të mbajnë më tej sipërmarrjen, do të kalojnë një tjetër “sitë” dhe do t’u duhet të zbatojnë kritere të reja vlerësimi. Inspektorët e Drejtorisë së Higjienës dhe strukturat e Shëndetit Publik do të jenë ato që do të kontrollojnë nëse këto subjekte i plotësojnë standardet apo jo. Të gjithë zotëruesit e pishinave në vend, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, ku raportohet edhe numri më i madh i këtyre ambienteve të pushimit do të marrin brenda pak kohësh rregulloren e re të pishinave. Ajo është hartuar nga ekspertë të Shëndetit Publik dhe pritet të miratohet nga strukturat e këtij dikasteri deri në fund të muajit qershor. Rregullorja e pishinave, që ka funksionuar deri më sot, ka qenë ajo e hartuar në vitet ’80, atëherë kur ekzistonte vetëm një pishinë në kryeqytet.

Pritet që ndër kriteret e reja për pishinat të jetë sterilizimi, higjienizimi i ambienteve sipas standardeve europiane, vendosja e masave për ata që ndotin brenda pishinës, duke përdorur teknika të veçanta. Do të kërkohet që për pishinat e mbyllura të zbatohen masa më të rrepta të higjienës, si pajisja me dushe, vendosja e kapeles në kokë, pajisja e ambienteve me dollapë dhe sirtarë për secilin pushues.

Kriteret

Kushte të tjera që do të duhet të plotësojnë pishinat lidhet me qarkullimin e ujit në të, parashikimi i sipërfaqeve të caktuara për fëmijë, pajisja me personel shëndetësor, infermieror apo mjek, të cilët duhet të japin ndihmën e shpejtë në rast aksidentimi apo dehidratimi të pushuesve. Kriter tjetër që do të duhet të përmbushin subjektet që zotërojnë pishinat është edhe pajisja me dushe për secilin resort. Masa e hedhjes së klorit në ujë është parashikuar nga ekspertët e Shëndetit Publik dhe vijon të jetë i zbatueshëm, edhe pse rregullorja e re e pishinave nuk është miratuar ende. Drafti i bërë gati nga ekspertë pritet të bëhet publik për të gjitha bizneset menjëherë pas zyrtarizimit dhe miratimit nga autoritetet shëndetësore. Sakaq, nisur nga çelja e sezonit turistik, sipas urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, por edhe “ditarit” të punës së Drejtorisë së Higjienës, kanë nisur kontrollet e pishinave për klorin, pastërtinë dhe cilësinë e ujit ku lahen pushuesit. Kontrollet janë periodike. Përveç ujit, inspektorët kanë për detyrë që të kontrollojnë ambientin, ushqimin, si edhe sasinë e klorit të hedhur në ujë.

Vitet e fundit, nga kontrollet e kryera prej Drejtorisë së Higjienës, nuk kemi asnjë propozim apo heqje të licencës për ushtrimin e veprimtarisë për asnjë subjekt që zotëron apo administron pishina për të gjitha resortet si brenda qytetit ashtu edhe në periferi.

Pjesa më e madhe e pishinave në vend janë të hapura, ndërkohë që numërohen pak subjekte që ofrojnë pishina të mbyllura edhe për sezonin e dimrit.

Sipas Shëndetit Publik, në raste të mossterilizimit dhe klorizimit të pishinave, nëse nuk zbatohen rregullat e pastërtisë pushuesit rrezikojnë të marrin infeksione dhe të sëmuren kryesisht nga lëkura, por edhe infeksione me pasoja të rënda.

 

Rregullorja  – E re e pishinave pritet të miratohet deri në fund të muajit qershor. Sot këto subjekte operojnë me rregullat e viteve ’80

Kontrollet – E Drejtorisë së Higjienës përfshijnë cilësinë e ujit, pastërtinë e ambientit, si dhe higjienën për ushqimet që ofrohen

Kushtet – E reja për të mbajtur biznesin do të zyrtarizohen pas miratimit që do të ketë rregullorja nga autoritetet shëndetësore

17.06.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.