Postuar me: 9:27 14-06-2012

Po na dendin me hormone

Shperndaje
Etiketat

… A ju ka marre malli per nje molle, dardhe e ftua nga ato qe jo vetem konsumoheshin plot shije, por vendoseshin edhe ne senduqet e rrobave per te leshuar ere te mire? Me siguri qe po, por ato dite jane te largeta. Sepse sot gjithcka, qe nga produktet e mishit, qumeshtit, zarzavateve dhe frutave nuk jane me aq natyrale, pasi “bio” as qe behet fjale. Stimulantet bimore dhe shtazore, jane futur ne te gjithe Shqiperine. Me e dukshme eshte ne kete periudhe ku kastraveci, domatja, speci dhe bostani ka kapur tregun qytetas si mall vendi. Ironikisht, nese ne dimer amvisat bejne kujdes nga tezgat plot me perime “behari” sepse e dine qe ato vijne nga jashte dhe jane “me ilace”, me trokitjen e veres joshja per produktet e vendit eshte e natyrshme. Mirepo sa hap nje domate, do detyrohesh qe gjysmen ta hedhesh, sepse dalin damaret e bardhe e te forte si kashte, ndersa edhe ai pak leng dhe berthame, te mbyt ne thartire. Gjeja e pare qe te vjen ndermend eshte se paska shkuar kot shpenzimi. Sikur te ishte vetem kjo ndoshta do ngushelloheshim disi, duke u bere “bllokade” domateve te kuqe nga jashte e jeshile nga brenda. Por nese kthen syte nga tezgat e tregut, aty gjen gjithcka. Kastraveci edhe pse i beshem, nuk ka shije dhe aq me pak farera. Dhe cdo produkt me radhe te zhgenjen, sa ia vlen te kthesh syte nga mallrat e huaja, pasi vertete perdorin stimulante, por brenda kritereve dhe ne menyre te kontrolluar. Berati, Lushnja, Fieri, Korca, Lezha dhe Shkodra, mbajne rekord per perdorimin e stimulanteve te produkteve bujqesore. Edhe zonat e tjera nuk mbesin pas, por per mungese toke, nuk mbjellin sasi te madhe me pemetore dhe perime.

“Ka te pakten shtate vite qe stimulantet bimore kane hyre ne sasi te madhe ne vendin tone. Per ne si specialiste, keto stimulante nuk jane te demshem nese perdoren me sasine e duhur dhe ne kohen e duhur”, shprehet agronomi Mehmet Hoda. Ne farmacine e tij, fermeret duhet te vinin me recetat perkatese, por Hoda eshte i detyruar qe te beje edhe rolit e “mjekut” qe vendos diagnozen per bimen dhe me pas jep edhe ilacin e duhur. Eshte nga ata specialiste qe studimet i ka kryer ne fundin e viteve ‘80. Kohe kur stimulantet bimore nuk njiheshin as ne literature. Sepse rendesi i jepej kryesisht plehrave kimike, por edhe perkujdesit ndaj bimes me sperkatje kryesore gurin e kalit, qe ruan bimen nga vrugu apo tenja. Pa harruar pastaj fushaten konstante asokohe, qe bente thirrje per perdorimin sa me te madh te plehrave organike. Sot fermeret nuk mburren vetem me produktin e tyre cilesor, por sa para kane fituar dhe sa ishin ne gjendje qe te kapnin tregun me shpejt se te tjeret. Dhe kjo nuk vjen vetem nga perkujdesja ne sera po are, por nga stimulantet bimore dhe kimikatet qe perdorin. Dhe per te kapur te paret tregun, ato perdoren ne doza 5-6 here me te larta se norma e lejuar. Per pasoje humbet jo vetem cilesia e produktit bujqesor, por degradon deri ne rrezik per shendetin. Sepse rritja dhe pjekja e domates, bostanit, kastravecit, specit dhe frutave nuk kryhet ne menyren natyrale, por shume te pershpejtuar.

“Cdo stimulant qe perdoret ka efektet e tij, qe nga nxitja per mbirjen e farerave deri ne rritjen dhe lidhjen e frutit, mirepo kur perdoren me sasi te madhe dhe jo ne kohen e duhur, keto kimikate nxisin nje rritje te pershpejtuar qe para se gjithash shkaterrojne cilesine e mallit”, kujton Hoda. Per agronomin kjo eshte nje ceshtje qe nuk zgjidhet duke bllokuar mallin kur del ne treg. “Eshte e vertete qe stimulantet perdoren ne sasi te madhe dhe pa kriter. Per kete problem nevojitet sherbimi keshillimor i bimeve qe ne sere apo aren e fermerit”, shprehet Hoda. Perdorimi me i madh i ketyre stimulanteve eshte ne periudhen prill-maj, kohe kur prodhimet e stines nisin te dalin ne treg. Per te kapur cmime sa me te larta, fermeret i jane drejtuar farmacive bujqesore duke perdorur stimulante ne sasi te madhe. Edhe pse jane produkte te farmaceutikes bujqesore qe kushtojne shume, perseri ia vlen ky shpenzim per fermeret, sepse duke kapur tregun te pakten tre jave para pjekjes normale te zarzavateve, sigurohet nje cmim me te larte. Bujqit pretendojne qe ecin me “ritmin e kohes”, kur pikerisht ne kohen kur duhet te durojne qe fruti te piqet vetishem, shkarkojne mbi sera dhe ara sasi te madhe stimulantesh. Ne gjuhen shkencore njihen edhe si hormone qe nxisin si zhvillimin e bimes, ashtu edhe pjekjen para kohe. Po a gjenden lehte stimulantet bimore qe kalojne nga dogana?

Sigurisht qe po! Po aq kollaj sa paracetamoli. Por Hoda te tregon te gjitha menyrat sesi abuzohet me keto stimulante, sa kur del prej farmacise dhe sheh tezgat e mbushura me produkte te stines, te ze koka. Jane te pakten pese lloje stimulantesh qe perdoren per produkte te ndryshme bujqesore: Domatja, kastraveci, specat, patellxhanet, bostani dhe pjepri futen ne nje familje te nje tipi stimulantesh qe perdoret nga fermeret per rritjen sa me te shpejte, por edhe per nje prodhim sa me te madh. Kjo po ndodh edhe me bostanin i cili ka hyre ne javet e fundit ne treg. Kur i sheh, nga jashte ngjajne te shendetshem, mirepo prova te zhgenjen. Madje edhe tregtaret i kane hequr pusullat joshese te viteve te meparshme kur shkruanin: “Shalqi me prove”… Ne kete periudhe nuk ka prove, sepse prova eshte me risk. Pas cipes se holle te lekures shquhet nje skuqje premtuese, por zemra eshte krejtesisht e bardhe, e forte dhe e pakonsumueshme. Po keshtu ndodh edhe me pjeprin. Dhe per te plotesuar shporten e pazarit te dites, nuk ka si te mungoje edhe speci apo patellxhani. E njejta histori. Thjesht, pa shije.

Sipas agronomit Mehmet Hoda, stimulantet qe futen te kontrolluar jane te nje cilesie te mire, gjithnje nese nuk perdoren me sasi te madhe dhe ne kohen e papershtatshme nga fermeret. “Nese per nje kategori stimulantesh bimore ka kontrolle, neper disa farmaci gjenden edhe stimulante te fuqishem qe jane shume te demshem per shendetin. Mendoj se futen ne menyre kontrabande, pasi nuk jane pjese e listes se miratuar nga Ministria e Bujqesise dhe Ushqimit”, tregon Hoda. E megjithese jane te ndaluar, perseri gjenden ne farmacite bujqesore. Perdorimi i tyre shkon deri ne ate pike qe jo vetem pjek para kohe perimet dhe frutat, por i rrit ne menyre artificiale duke u shtuar peshen. Dhe nuk eshte vetem kjo periudhe kur perdoren stimulantet bimore per te dale ne treg sa me shpejt, por pothuaj gjate gjithe stines ne vazhdim. Pak muaj me pas nis perdorimi i stimulanteve edhe per vreshtat dhe pemtarine. Kimikatet me hormone perdoren thuajse ne te gjitha rastet ne formen e sperkatjes, me dozen 1-2 tableta (cmimi i nje tabelete, 3-500 leke te reja) ne 100 litra uje. Por ndodh qe fermeret hedhin sasi me te madhe stimulantesh, ose perdorin deri ne 5-6 sperkatje para se te dalin ne treg me produktin e tyre krenar. Dhe ne kete faze, nuk flitet me per vlerat ushqyese te produkteve, por per rrezikshmerine e tyre per organizmim e njeriut. Sepse me kalimin e kohes dhe depozitimin ne organizem te “kusureve” nga keto lende, do te dalin problemet e para. Dhe atehere do te jete nevoja jo me e farmacive bujqesore, por e farmacive njerezore.

Veshtire te shpetosh nga stimulantet, edhe ne blegtori. Pjesa me e madhe e fermereve injektojne hormone tek vicat tre jave pasi kane lindur. Kjo u pershpejton rritjen, siguron nje fryrje artificiale dhe shtim ne peshe ne nje periudhe te shkurter. Aq sa kur vicat mbushin kater muaj nga momenti i lindjes, kapin peshe prej afersisht 100 kilogram mish. Vetem per cilesi nuk mund te flitet. Pak zona kane mbetur pa u infektuar nga “hormonomania” dhe kjo ndodh jo vetem se nuk e dine kete marifet, por edhe se nuk kane para per te shpenzuar paraprakisht. Nje injektim per vica shkon 2000-3000 leke te reja. Packa se kete shume e kompensojne shpejt me shtimin e mishit ne menyre artificiale, disa fermere ne zonat malore nuk jane ne gjendje qe ta sigurojne kete injeksion. Dhe nese dikush i mburret mikut se ka gjetur mish te vertete, pa hile, gjasat jane qe sapo eshte kthyer nga ndonje udhetim ne zonat e thella. Por hormonet qe perdoren ne gjedhe, nuk jane vetem per shtimin e mases muskulore. Per te siguruar pjellshmeri cdo vit, fermeret u kerkojne veterinereve qe 2 muaj pasi lopet lindin te injektojne hormone qe pershpejtojne nje barre tjeter. “Te gjitha keto ndikojne ne cilesine e qumeshtit dhe nenprodukteve te tij. Nuk eshte vetem fenomeni i stimulanteve bujqesore, por edhe i atyre blegtorale, madje mjaft i rrezikshem kur merret drejtperdrejte nga mishi”, thote Hado.

Por ai dhe koleget e tij kane ne dore vetem te paralajmerojne. Nese dikush do te kerkoje te dije c’ben shteti, pse nuk ngre struktura dhe te famshmet “grupe pune”, ai eshte i vonuar. Teorikisht, strukturat i kemi. Detyra e Autoritetit te Kontrollit Ushqimor shtrihet ne te gjithe spektrin e ketyre problematikave. Mirepo ata vetem kane konstatuar dhe nuk kane marre asnje mase. Nevojitet qe te kryhen kontrolle qe ne arat dhe serat e fermereve. Specialistet e bujqesise ne rrethe pervec sherbimit keshillimor duhet te ushtrojne edhe kompetencat e tyre per te limituar perdorimin e stimulanteve. Keto kontrolle jane inekzistente dhe kjo pranohet edhe nga drejtues te AKU-se. Sipas tyre, ne te ardhmen pritet qe fermeret e medhenj te pajisen me nje bar-kod personal, cka i identifikon ne momentin qe ata dalin ne treg dhe nese kane abuzuar me stimulantet bimore ose shtazore mund te merren masa. Gjithnje me prapashtesen mund…, pasi kjo ngjan nje kohe e larget. Dhe nese keto stimulante do vazhdojne te perdoren pa kriter, mund te vije nje kohe qe per te protestuar, ne vend qe te bertasim, do “pellasim”…

13.06.2012

 

Burimi: Mjedisi Sot

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.