Postuar me: 14:11 24-05-2012

Presidenti

Shperndaje
Etiketat

ARIAN GALDINI

arian-galdini

arian-galdini

Prej javësh e ndoshta muajsh, Edi Rama ka thënë e stërthënë se si ai dhe Partia Socialiste e duan Presidentin. Pak a shumë gjithçka përmblidhet te ky deklarim i Edi Ramës: “Duam një President konsensual. Duam një President që të mishërojë unitetin kombëtar në këtë kohë sfidash të mëdha për shqiptarët jo vetëm si shtet, po dhe si komb. Duam një President që të garantojë Kushtetutën, institucionet kushtetuese dhe aktivitetin kushtetues të tyre. Duam një President që t’i japë një hov të fuqishëm Shqipërisë në rrugën drejt provimit të vjeshtës në Bruksel dhe të luajë rol për marrjen e atij provimi strategjikisht të rëndësishëm për Shqipërinë e nesërme. Duam një President të paanshëm për zgjedhjet e ardhshme. Nuk pranojmë asnjë kandidat nga Partia Demokratike. Dhe nuk synojmë të imponojmë asnjë emër nga Partia Socialiste. Sepse nuk duam thjesht një President që të mos jetë nxjerrë nga barku i oborrit të Saliut, po duam një President që të mos jetë noter i cilësdo parti, përfshirë edhe Partinë Socialiste”.
Ndërsa i kërkon të gjitha këto karakteristika për Presidentin e ardhshëm, Edi Rama këmbëngul se nuk është i rëndësishëm emri, por procesi, sepse duhet të jetë procesi që na çon tek emri, dhe jo anasjelltas. Le ta qëmtojmë pak për merak të gjithë këtë qëndrim së bashku me sjelljen e Edi Ramës, për të kuptuar çfarë realisht do e ç’po bën Edi Rama edhe kësaj radhe me këtë proces të ri zgjedhor nëpër të cilin po kalon Shqipëria.
Së pari, Edi Rama kërkon proces, flet për procesin, i jep rëndësi procesit më tepër sesa emrit dhe gjatë gjithë sjelljes dhe deklarimeve të tij ditë pas dite nuk bën as më shumë e as më pak, por bën pis procesin. E bën pis procesin duke e mbajtur atë nën kontrollin e kryetarëve të partive dhe të vetë partive politike, ndonëse ndërkombëtarët nuk kanë reshtur së përsërituri në çdo raport e çdo deklarim të tyre se proceset zgjedhore, zgjedhjet parlamentare apo zgjedhjet lokale, por edhe zgjedhja e Presidentit, i përkasin, janë në pronësi vetëm dhe vetëm të qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë, Edi Rama u shkruan një letër të hapur kryetarëve të partive, takon disa kryetarë partish dhe kujton e pretendon se po kryen ndonjë proces ndihmues. Aspak. Edi Rama po bën pis procesin sepse ai po kërkon që kryetarët e partive të jenë ata që do ta përzgjedhin emrin e kandidatit apo Presidentit në mënyrë që cilido që do të zgjidhet President ta kuptojë se këtu, në këtë vend të vogël shkëmb graniti buzë Adriatikut, janë kryetarët dhe vetëm kryetarët ata që vendosin e komandojnë. Sikurse me ndryshimet kushtetuese të prillit 2008 e më pas me Kodin Elektoral, kur Edi Rama së bashku me Sali Berishën ranë dakord që ta kthejnë Shqipërinë në një kryetarokraci, po njëlloj, me po të njëjtën mendësi, Edi Rama vazhdon të sillet edhe sot me procesin e zgjedhjes së Presidentit si kryetarokrat par excellence duke e ushtruar vrazhdësisht të gjithë pushtetin që i jep detyra si lider i opozitës, në mënyrë që askush të mos guxojë të luajë, kërkojë, veprojë jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij. Qëllimisht e mbivlerëson shtegun nëpër të cilin duhet kaluar për të mbërritur tek emri, ngase synon që ta bëjë shtegun aq të ngushtë sa të ketë shanse për të kaluar vetëm dikush që del nga xhepi i vogël i kryetarit. Ky zotëri e bën pis procesin ndërsa flet me fjalë të mëdha kinse parimore e ka qëllime të vogla, ndërsa flet për proces, por synon kontroll të procesit. Për të mos ripërmendur këtu faktin për të cilin kemi shkruar edhe më parë, se Edi Rama e ka bërë pis procesin që në zanafillë, me darkën e tij të famshme me ngjala te Gjiri i Lalzit, ku sigurisht, qëllimi i tij nuk ishte procesi, por kontrolli a shantazhi mbi procesin. E pra, aty ku mungon transparenca dhe mbizotërojnë qëllimet e vogla, është e kotë të flasësh për proces, sepse procesi është bërë pis e dëmtuar pa nisur ende. Edi Rama që në krye të herës ia ka nisur ta akuzojë Sali Berishën për shurdhëri, por me këtë pisbërje të vullnetshme të procesit, druaj se Edi Rama ka harruar të këqyrë veten në pasqyrë për të kuptuar se çfarë memeci kumtlig është ai me belbëzimet e tij publike nëpërmjet fjalëve që thotë krejt të ndryshme prej veprave qe bën.
Së dyti, kryetarokrati Rama e bën pis procesin duke anashkaluar apo duke refuzuar emra konkretë. Si fillim ai nënçmon rëndësinë e Kushtetutës, procesin, kriteret që përcakton ajo. Ai nënçmon edhe rëndësinë e detyrave kushtetuese që ka Presidenti i Republikës si kreu i shtetit shqiptar. Duke mbyllur transparencën e konkurrimit të emrave e vlerave, dhe duke synuar që çështjen e zgjedhjes së Presidentit ta shndërrojë në një çështje të marrëveshje – mosmarrëveshje mes kryetarëve, guxon e i paracakton Presidentit edhe detyra shtëpie nga kryetarët e partive. Vetë deklarata e Ramës që kemi cituar në fillim dëshmon se sa i dëshiruar është Edi Rama që t’i japë Presidentit të Republikës detyra shtëpie nga kryetarët. Duke përdorur termat: Duam një President… etj., etj., Edi Rama vetërrëfen se ai dhe Partia Socialiste nuk e kuptojnë rolin e tyre demokratik si pjesëmarrës në proces, porse duan kontrollin e tij të plotë deri në produktin final. Nuk janë, nuk duhet, nuk mundet të jenë partitë dhe kryetarët e partive, ata/o që do të na tregojnë se si e duan ata/o Presidentin e Republikës. E ka të përcaktuar Kushtetuta në frymë dhe germë. Partitë politike marrin pjesë në garë, konkurrim nëpërmjet emrave dhe vlerave. Partitë politike mund ta ndihmojnë procesin paraprakisht duke nismuar, inkurajuar apo lejuar garën, konkurrimin e ndershëm dhe të lirë të emrave dhe vlerave brenda tyre, pranë tyre, apo edhe jashtë tyre. Ky proces paraprak gare e konkurrimi nëpërmjet e në nivel të debatit dhe konsultimit publik, lehtëson dhe përmirëson tej mase procesin e garës, konkurrimit që do të zhvillohet në Kuvend. Për ta thënë më drejt, i jep dritë, transparencë, dinjitet e vlerë procesit që do të zhvillohet në Kuvend. Nëse Edi Rama ka synim të vetëm që të anashkalojë apo mospranojë konkurrimin transparent dhe të lirë të emrave brenda Partisë Socialiste, pranë saj apo jashtë saj, kjo nuk i jep atij asnjë të drejtë të paragjykojë apo sulmojë kundërshtarin e tij politik, Sali Berisha, se përse ky i fundit e ka hapur konkurrimin brenda partisë së tij në nivelet më të larta të drejtuesve parësorë politikë të partisë. Edi Rama nuk ka si të presë apo kërkojë nga Sali Berisha që ky i fundit të mos besojë dhe deklarojë se Partia Demokratike ka kapacitete të denja për të qenë konkurrentë për detyrën e Presidentit të Republikës. Sali Berisha, në fund të fundit, synon të konkurrojë me një emër dhe vlerë nga partia e tij duke vlerësuar detyrën e lartë të kreut të shtetit, ngase oferta e PD është paralajmëruar se do të jetë e niveleve më të larta politike. Por, gjithashtu, Berisha duket se synon që të respektojë e vlerësojë PD-në dhe personalitetet e partisë së tij. Asgjë të mbrapshtë nuk ka këtu nëse qëllimi dhe synimi i Berishës mbetet konkurrimi. Ai vetë e ka deklaruar pas takimit me Hilari Klintonin se Presidenti do të jetë i konsultuar, e gjithashtu, pas takimit me Fylen, se Presidenti do të jetë i negociuar. Pra mes një kandidati nga PD dhe një Presidenti të dalë bazuar në frymën dhe germën e Kushtetutës, si i konsultuar dhe negociuar nuk ka asnjë konflikt, por ka proces. Ndërkohë që Edi Rama, me fjalët e veprimet e tij, dëfton haptazi se sikurse nuk ka respekt për Kushtetutën dhe kreun e shtetit, nuk ka respekt as për Partinë Socialiste, përderisa ai nuk beson se PS ka kapacitete, emra e vlera që mund të konkurrojnë për detyrën e lartë të Presidentit të Republikës. Madje, paralelizimi që i bëri Edi Rama turit të takimeve të ish-kryetarit të PS, Fatos Nano si kandidat i vetofruar, na bën të mendojmë se i vetmi shqetësim, e ndoshta makthi i Edi Ramës. është refuzimi i Fatos Nanos. Por ai refuzon edhe çdo kandidat tjetër që nuk e njeh të plotë pushtetin e kryetarit Rama, sikurse refuzon apriori çdo kandidat që konkurron modelin e kryetarit Rama. Rama zgjedh strategji e taktika për të fshehur frikën e tij nga ata mbi të cilët nuk e ushtron dot pushtetin e tij të plotë, si edhe nga ata të cilët e konkurrojnë si model politik. Ngase nuk ofron dot model të ri politik, edhe pse flet shumë për politikën e re, Edi Rama, i dorëzuar në mjerimin e të qenit një fotokopje e keqe e Sali Berishës, bën çmos që çdo garë, çdo konkurrim ta asgjësojë, dëmtojë apo ta negociojë në a nën tavolinë. Presidenti mund të dalë konsensual, i konsultuar, i negociuar vetëm nëse Edi Rama dhe Sali Berisha ulen në tavolinë duke ballafaquar dhe konkurruar me emra dhe vlera konkrete. Pisbërja e procesit që po shkakton Edi Rama me taktikat e tij refuzuese nuk mund ta provojnë Sali Berishën gabim. Sali Berisha mund të provohet gabim vetëm duke u konkurruar, jo me pusi, shantazh, bojkot, kriza etj. Përkundrazi, taktikat e pisbërjes së procesit dhe ngritjes së pusive janë taktika që vetëm e legjitimojnë gjithçka mund të bëjë Berisha për ta tejkaluar edhe këtë situatë. Nëse Edi Rama ulet në tryezë me Sali Berishën pa një emër konkurrues, përfundimi i kësaj tryeze do të jetë krejt i pafrytshëm më së pari për Shqipërinë e shqiptarët, por edhe për vetë Partinë Socialiste. Ne e dimë që Edi Rama nuk do të shkojë në tryezë në mënyrë transparente dhe konkurruese, sepse ai refuzon të pranojë apo propozojë Fatos Nanon. Le ta deklarojë këtë qartazi publikisht e t’i hapë udhë transparencës që kur të ulet në tryezë me Sali Berishën të mos nxjerrë emra nga xhepi i vogël i interesave apo ndërlidhjeve të tij private, por të konkurrojë me emra që i japin dinjitet, vlerë e lartësi detyrës së kryetarit të shtetit shqiptar. Vetëm nëpërmjet konkurrimit paraprak me emra dhe vlera mund të arrijmë te një President konsensual. Pa konkurrim nuk ka konsensus. Konsensusi pa konkurrim është pazar. Edi Rama bën mirë ta kuptojë sa pis po e bën procesin duke refuzuar emrat dhe duke kërkuar pazarin. E në fund, Edi Rama bën mirë ta kuptojë njëherë e më parë se nëse ai e akuzon Sali Berishën prej vitesh sikur ky i fundit është Djalli me brirë, është e pamend që Edi Rama të hyjë në Perandorinë e Djallit e të shpresojë ta mundë atë duke bërë si shejtan i vogël. Sikurse thonë të moçmit tanë, duhet “vëllai i mençur” ose “virgjëresha” për ta mundur Kuçedrën.

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.