Postuar me: 13:50 15-06-2012

Priten pemët, Bashkia: Po zgjerojmë rrugën

Shperndaje
Etiketat

Prerjen e 100 pemëve përballë Fakultetit Ekonomik te Rruga e Elbasanit ambientalistët e kanë cilësuar të paligjshme. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës, në reagimin e saj sqaron se ndërhyrja po bëhet për të zgjeruar këtë aks rrugor. Sipas ekologjistit Sazan Guri, duhet të ndalet prerja e pemëve sa më parë.
“Jemi pranë njërës prej dhjetë vatrave të tilla që janë bërë në këtë pyll, që ka qenë me një status: hapësirë e mirëfilltë publike për qytetarë. Sot vërejmë se si individët vënë dorë mbi atë që është jeta e tyre. Ne pemët i presim pa mbjellë pemët e reja. Me sa jemi në dijeni, nuk ka asnjë projekt të ligjshëm për shndërrimin e kësaj sipërfaqeje në diçka tjetër”, shprehet ambientalisti Sazan Guri. Në reagimin e saj Bashkia e Tiranës bëri me dije  se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, një arterie e rëndësishme kombëtare. “Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri te rreth-rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km, do të jetë me 6 korsi 2×8 metra, me trafik-ndarëse prej 1.5 metrash, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuare në të dyja anët e rrugës. Zgjerimi i kësaj rruge do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës banorëve të Tiranës”, thuhet në deklaratën e Bashkisë. Sipas saj, zgjerimi i rrugës diktoi nevojën e ndërhyrjes në këtë pjesë të parkut. “Specialistë të Bashkisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ndërhyrja në park të jetë sa më e vogël. Çdo i interesuar, qoftë qytetar, ambientalist apo arkitekt, i ka dyert të hapura në Bashkinë e Tiranës për të marrë informacion për këtë çështje, por dhe për çdo projekt që realizohet apo do të realizohet në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në deklaratën e Bashkisë. Në të theksohet gjithashtu se përtej aludimit dhe lojës politike me këtë fakt, Bashkia do të  garantojë çdo qytetar se numri i pemëve të prera për t’i hapur rrugë realizimit të këtij projekti të rëndësishëm dhe me impakt në cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës do të dhjetëfishohet brenda këtij viti në ambiente të tjera të këtij parku.

“Garanci zgjedhja e Bashës në krye të Bashkive”
Siguri për bashkëpunim të mëtejshëm. Kështu e ka cilësuar presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Keith  Whitemore, marrjen e drejtimit të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë nga kryebashkiaku Lulzim Basha. “Në emër të të gjithë anëtarëve të kësaj byroje, më lejoni t’ju uroj për zgjedhjen tuaj në krye të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Kjo na kënaq vërtet, sepse ne kemi punuar ngushtë me Shoqatën Shqiptare të Bashkive dhe e shohim këtë lidership si siguri për bashkëpunim të mëtejshëm, ndaj më lejoni t’ju uroj sërish”, u shpreh Whitemore. Këto deklarata ai i bëri në mbledhjen e Byrosë së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës. Kryetari i Bashkisë, nga ana e tij, theksoi prioritetin e tij për ta shndërruar Tiranën në një qendër rajonale. “Prioriteti ynë është që kryeqyteti shqiptar të transformohet në një nga qendrat më të mëdha rajonale, biznesit, turizmit, jetës universitare etj. Rezultatet e politikave të qeverisë shqiptare për të mbajtur një nivel të lartë të rritjes ekonomike, duke ndërtuar dhe hapur një rrugë komunikimi me fqinjët tanë, përkon në mënyrë të përkryer me prioritetet e mia për ta parë Tiranën si një qendër rajonale”, tha Basha.

15.06.2012

 

Burimi: Gazeta Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.