Postuar me: 9:33 12-06-2012

Qeveria merr 35 milionë euro borxh nga Banka Europiane

Shperndaje
Etiketat

Investim për bypass-in e Fierit. Berisha, me sy nga gazsjellësi

Ministria e Financave nënshkroi dje marrëveshjen e radhës për marrjen e një huaje, me vlerë 35 milionë euro, po për ndërtim rrugë, siç ai i bypass-it të Fierit. Sipas ministrisë, objektivi i ndërtimit të bypass-it të Fierit është rritja e shpejtësisë në lëvizje, çlirimi i trafikut, sidomos gjatë sezonit turistik, rritja e komoditetit dhe sigurisë në rrugë e lëvizje. Projekti i referohet ndërtimit të një bypass-i rrugor të tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit me gjatësi afërsisht 22 km, dhe është parashikuar të zbatohet për një periudhë trevjeçare.

Kosto totale e parashikuar për realizimin e këtij projekti është rreth 81.2 milionë euro. Ai realizohet si bashkëfinancim i Bankës Europiane të Investimeve dhe BERZH-it me nga një kredi secila prej 35 milionë eurosh, Kooperacionit Italian me një grant prej 1.8 milionë eurosh dhe qeverisë shqiptare me një kontribut prej 9.4 milionë eurosh.

Sa i takon kredisë së BEI-it, afati i shlyerjes do të jetë 20 vjet me interes të butë, të cilat të shlyhen pas 7 vitesh nga nënshkrimi i kontratës, kurse projekti do të zbatohet nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Sakaq, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Ministrinë e Financave priti dje, një delegacion nga Banka Europiane e Investimeve të kryesuar nga zv/presidenti Dario Skanapieco. Gjatë takimit, kreu i qeverisë e garantoi delegacionin e BEI-t se përkushtimi i qeverisë do të jetë i madh, për të vazhduar bashkëpunimin me projekte në infrastrukturë, sidomos në sistemin hekurudhor, duke përmendur jo vetëm hekurudhën Durrës-Tiranë, Tiranë–Vlorë, por edhe vazhdimin Shqipëri-Maqedoni, Maqedoni-Bullgari dhe Shqipëri-Mali i Zi.

Kryeministri gjithashtu tërhoqi vëmendjen për investime edhe në projektin e gazsjellësit TAP. Delegacioni i BEI-t ishte në Shqipëri për të nënshkruar kontratën për financimin e bypass-it të Fierit, si një hallkë e rëndësishme e projekteve të infrastrukturës të ndërmarra në 7 vitet e fundit. Duke shprehur kënaqësinë në këtë bashkëpunim të suksesshëm me Shqipërinë ata informuan se do të vazhdojnë me marrëveshje të tjera po në infrastrukturë.

12.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.