Postuar me: 9:38 13-06-2012

Rama: Kërcënimet e Nanos, mllef primitiv

Shperndaje
Etiketat

Lideri i opozitës: Berisha e refuzoi ish-kryetarin si kandidat për president

Kryeministri Sali Berisha e ka rrëzuar emrin e Fatos Nanos për postin e presidentit në tryezën e negociatave. Ky ka qenë rrëfimi i kryesocialistit Edi Rama, në lidhje me përplasjet e mundshme të rrëzimit të kandidaturës së liderit historik të PS-së, i propozuar në negociata nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. “Është shumë e thjeshtë e vërteta. Propozimi në tryezë ishte i formës si për të larë gojën. Ishte bërë në kontekstin e momentit të bisedës kur po fliste për pamundësinë e zgjedhjes së presidentit. Praktikisht Idrizi ishte pro Artan Hoxhës, por ishte në favor të kandidaturës politike. Duhet të theksoj se kandidatura politike ishte përjashtuar nga tryeza përpara se të ngrihej tryeza e parë, konsensusi ishte i mundshëm vetëm për kandidatura apolitike. Së dyti, pati refuzim të qartë nga Kryeministri për kandidatë politikë, e për më tepër për emrin konkret të Fatos Nanos”, tha Rama në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”. Për procesin, kryesocialisti theksoi se “PS i qëndroi deri në fund interesit kombëtar, vizonit dhe argumenteve tona, Shqipërisë i duhej konsensus, e PS-së nuk i duhej një president që të ishte noter partiak, as nga PD e as PS. Ishte e vendosur për një gjë të tillë. PS e kishte të përjashtuar që në fillim mundësinë e pjesëmarrjes në një garë absurde, kur nuk kishte 71 vota, kur mungonte konsensusi s’mund të godiste të gjithë ngrehinën kundër saj. Emri ka qenë i propozuar nga Kadare në tryezën e të gjitha palëve. Ne kemi arsyetuar se pse jemi pro kësaj kandidature.

Ne nuk propozuar emër tjetër veç gjeneralit, nuk kishte hapësirë, që ne të propozojmë emra duhet që shumica të bierë dakord, pariteti nuk jepet me fjalë, hajde jepe ti një emër se ne mund ta shohim. Ka rregulla të shkuara, që përbëjnë bazën e negociatave, rregulli është vendosja e një modaliteti, këto modalitete nuk ekzistojnë.

Nuk jam shprehur absolutisht as pro e as kundër. Ishte krejt jashtë kornizës së negociatave politike. Kryeministri është shprehur absolutisht kundër Nanos, kur i është drejtuar Ruçi, Berishës në lidhje me këtë kandidaturë të propozuar nga Idrizi. Emri i Fatos Nanos në asnjë moment e asnjë arsye nuk mund të ishte pjesë e një tryeze përderisa na solli dalja nga politike dhe fokusimi në një sërë fushash të tjera”, theksoi Rama. Ndërsa theksoi se Nano nuk mund të ishte një person i propozuar nga PS-ja, për shkak të qëndrimeve dhe bashkëpunimeve të tij me PD-në. “Ka një histori të dyfishtë, shërbimi në PS dhe shërbimi i qeverisë së Berishës prej vitesh, mund të ishte një emër që pala tjetër mund të kërkonte apo të jepte konsensus. Dhe kjo ka qenë e gjithë rruga, qoftë e komunikimit me të dhe me publikun për Nanon.

Ai nuk është sot pjesë e PS, ka ikur nga PS, e kam thënë këtë edhe më parë, kur zhvillohej gara presidenciale. Nëse nuk kishim kualifikime ndaj tij, lidhet për faktin se ka bërë shërbime ndaj Kryeministrit për disa vite dhe si i tillë ai pretendonte të ishte një kandidat mbi palët e mes palëve”, tha Rama. Me djegien e kandidaturave politike, ai u shpreh e “s’kishte asnjë shans për askënd”. Ndërsa për kërcënimet e Nanos, Rama theksoi se “s’dua të humbas kohë me komente të tilla, biles i quaj se janë vërtet të neveritshme, këto shfrime të një mllefi primitivi, pasi s’kanë lidhje me mua e PS, as me historinë në këto 7 vite të PS. Ka lidhje me një paaftësi për të menaxhuar emocione të pashfrenuara”. Duke dëgjuar ato që lexuat ju, nuk besoj se gjendet një telespektator i arsyeshëm ta konsiderojë një tekst të shkruar nga një njeri që deri dje pretendonte të ishte kreu i shtetit shqiptar. Është një çështje që s’ka asnjë peshë dhe s’kam as kohë për të humbur”, theksoi kryesocialisti. Zgjedhjen e Nishanit, Rama e cilësoi kushtetuese, porse vendi rrezikon të humbë për herë të tretë statusin e vendit kandidat. “PD, edhe pse bëri gjysmëhapi, duke braktisur Topallin dhe Boden, nuk na dha konsensus për një kandidat konsensual, dhe e ktheu mbrapsht gjysmëhapin e hedhur, refuzoi një ushtarak karriere (Sandër Lleshi) të shkolluar në Perëndim, e vendosi një njeri që vjen nga Shkolla e Bashkuar (Nishanin)”.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.