Postuar me: 7:23 16-06-2012

Reforma parlamentare, Dokle: Eshtë e dështuar

Shperndaje
Etiketat

TIRANE-Nënkryetari socialist i Kuvendit Namik Dokle akuzoi dje maxhorancën se nuk ka vullnet të japë konsensus për mbylljen e reformës parlamentare. Në një prononcim të tij, për mediat, Dokle tha dje se kjo reformë, ashtu si edhe ajo zgjedhore është ndër kushtet e vendosura edhe nga Bashkimi Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Sipas bashkëkryetarit të grupit të punës, tani është koha që palët të ritakohen, pas kambanave të alarmit që vijnë nga ndërkombëtarët. “Fryma që kërkohet të dominojë në politikën shqiptare, fryma e reformave që kërkohet nga BE dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj që të jetë një kambanë e fortë edhe për maxhorancën në mënyrë që të ulemi dhe ta përfundojmë edhe këtë reformë. Reforma parlamentare në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ndahet nga reforma zgjedhore, që është një reformë prioritare përsa i përket veprimit të Parlamentit”, deklaroi dje, Dokle. Sipas nënkryetarit socialist të Kuvendit, “pjesa më e madhe e reformës tashmë është zgjidhur”.

Por, shtoi ai, “kanë mbetur ato dy pika që ju i dini: votimi i fshehtë dhe e drejta e fjalës së opozitës në Parlament, në bazë të të gjitha kritereve, parimeve dhe standarteve të Bashkimit Europian. Maxhoranca ende nuk ka dhënë konsensus për këtë”. Komisioni për rregulloren e mbylli punën disa muaj më parë pa mundur t’i çojë një dokument për votim Parlamentit. Demokratët e quajtën të mbyllur reformën me përfundimin e mandatit të komisionit, madje firmosën dhe draftin që nuk mundi asnjëherë t’u përcillej deputetëve për miratim. Ndërsa për PS-në, kjo vijon të jetë një çështje e hapur. Sipas Dokles edhe faktori ndërkombëtar ka lëshuar kambanat për politikën shqiptarë për mbylljen e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare, si kushte për proceset integruese.

Në deklaratat e fundit për median, para zgjedhjes së Presidentit, kryetari socialist, Edi Rama i renditi këto dy kushte, të cilat presin të mbyllen nga klasa politike shqiptare. Ai kërkoi zgjedhjen e Presidentit të Republikës me konsensus pozitë-opozitë, gjë që nuk u realizua e më pas kërkoi nisjen e procedurave për heqjen/kufizimin e imunitetit, dhe më pas Rama kërkoi edhe: “Të bëjmë kompromisin e nevojshëm për reformën parlamentare dhe ta votojmë bashkërisht. Të përmbyllim reformën zgjedhore dhe ta votojmë bashkërisht”. Me këtë thirrje, Rama ju drejtua disa herë maxhorancës, e cila i quajti këto presione të opozitës për zgjedhjen e Presidentit. Pas përmbushjes së këtyre pikave, Rama tha se atëherë, maxhoranca dhe opozita kanë të drejtën që të dyja së bashku t’i drejtohen Brukselit për t’i kërkuar edhe marrjen e statusit të vendit kandidat, gjë që kreu socialist tani e sheh me dyshim për tu realizuar.

16.06.2012

 

Burimi: Balkanweb

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.