Postuar me: 8:55 15-06-2012

Rinisja e dialogut, Cooper në Prishtinë e Beograd

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka qenë asnjëherë më afër vazhdimit të tij. Të mërkurën qe vjen, Robert Cooper, i zgjedhuri i Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, për këtë dialog shkon në Beograd,  ndërsa të enjten qëndron në Prishtinë.

Qëllimi i kësaj vizite, sipas burimeve të “Zërit” brenda Këshillit të Ministrave të BE-së, është përpjekja për caktimin e një date kur do të vazhdonte dialogu i nisur në mars të vitit të kaluar.

“Cooper shkon të mërkurën në Beograd, ndërsa një ditë më pas ndalon në Prishtinë. Qëllimi i këtyre vizitave është caktimi i një date për vazhdimin e dialogut”, ka thënë shkurt ky zyrtar evropian në Bruksel.

I ashtuquajturi lehtësues i dialogut Prishtinë – Beograd të enjten ka qenë i pranishëm në takimin e presidentit të ri serb që e ka pasur në Bruksel me shefen e tij, Catherine Ashton.

Gjatë takimit, “Zëri” merr vesh jozyrtarisht se Nikolic ka shprehur gatishmërinë e tij të prerë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në fazën e parë të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Presidenti serb ka shkuar aq larg sa ka shprehur mospajtimin e tij edhe me bojkotimin e takimeve rajonale nga delegacionet e deritanishme serbe për shkak të mospajtimeve në interpretimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal. Ai ka premtuar se do angazhohet për implementimin e shtatë marrëveshjeve të arritura mes Edita Tahirit dhe Borisllav Stefanovicit”, ka thënë një zyrtar tjetër evropian në kushte anonimiteti.

Pas takimit me Nikolicin, Robert Cooper ka takuar edhe zëvendëskryeministrin kosovar, Hajredin Kuçi, ndërsa e pranishme në këtë takim ka qenë edhe ministrja për Integrim e Kosovës, Vlora Çitaku.

15.06.2012

 

Burimi: Gazeta Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.