Postuar me: 7:10 16-06-2012

“Rr. e Elbasanit” zgjerim me 6 korsi. PS: Po shpyllëzohen 7 mijë m2

TIRANË – “Rruga e Elbasanit”, një arterie e rëndësishme kombëtare, po i nënshtrohet zgjerimit, dhe për këtë Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën. Por, projekti eshte kundershtuar nga keshilltaret e majte ne Bashki. Ata kanë kundërshtuar me forcë shpyllëzimin e një pjese të parkut të kodrave të liqenit, atë në afërsi të Rrugës së Elbasanit. Menjehere reagoi Bashkia e Tiranës shprehur keqardhje ndaj opozitës

Projekti
Bashkia e Tiranës konfirmoi se kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rrethrrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km, do të jetë me 6 korsi, me trafikndarëse prej 1.5 m ku është parashikuar dhe gjelbërim si dhe me tortuarë në të dy anët e rrugës.

Punimet për zgjerimin e kësaj rruge do të lehtësojnë ndjeshëm trafikun, do të ulin koston e lëvizshmërisë, do të ndikojnë në reduktimin e ndotjes dhe përmirësojnë cilësinë e jetës banorëve të Tiranës.

“Çdo i interesuar, qoftë qytetar, ambientalist apo arkitekt, i ka dyert e hapura për të marrë informacion për këtë çështje por dhe për çdo projekt që realizohet apo do të realizohet”, ka reaguar Baskia e Tiranës, pas deklaratave të ambientalistëve për prerjen e pemëve në rrugën e Elbasanit, përballë Fakultetit Ekonomik.

Ekologjisti, Sazan Guri, ka thënë se numërohen të paktën 100 pemë të prera dhe me këto ritme sipas tij, do të masakrohet e gjithë sipërfaqja pyjore e kësaj zone.

Në përgjigje të reagimit të ambientalistëve, Bashkia e Tiranës argumenton se zgjerimi i rrugës diktoi nevojën e ndërhyrjes në këtë pjesë të parkut.
“Specialistë të Bashkisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ndërhyrja në park të jetë sa më e vogël”, thuhet në reagimin e bashkisë, e cila garanton se numri i pemëve të prera për t’i hapur rrugë realizimit të këtij projekti të rëndësishëm dhe me impakt në cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës, do të dhjetëfishohet brenda këtij viti në ambiente të tjera të këtij parku.

Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, akuza PD-PS
Grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste, kanë kundërshtuar me forcë shpyllëzimin e një pjese të parkut të kodrave të liqenit, atë në afërsi të Rrugës së Elbasanit.
“Në këtë zonë po priten pemët në një sipërfaqe prej 7,000 metrash katrorë për tu kthyer në zonë me ndërtime”, thekson Partia Socialiste.

Këshilltarët socialistë Aldrin Dalipi, Genti Gazheli dhe Florian Pullazi e panë nga afër dëmin e njërit prej parqeve më të pasura natyrore të qytetit, duke kërkuar transparencë për dëmin që i bëhet qytetit dhe vendimmarrjen në kundërshtim si me interesin qytetar ashtu edhe me premtimet elektorale të Lulzim Bashës.

“Kemi një sensibilitet të madh të qytetarëve të Tiranës dhe një shqetësim të qytetarëve të Tiranës dhe organizatat ambientaliste në lidhje me masakrën që ka ndodhur në Parkun kombëtar të Liqenit në Tiranë, ku mijëra metra katrorë janë shkatërruar brenda një nate. Ne i kërkojmë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës të dalë menjëherë publikisht dhe të bëjë transparencë. Të shpjegojë mbi çfarë baze ligjore, mbi çfarë akti e ka marrë këtë vendim. Ku janë bazuar autoritetet e bashkisë së Tiranës që kanë ndërhyrë dhe kanë kryer këtë veprim që për ne konsiderohet antiligjor. Gjithashtu sot i kërkojmë Prokurorisë së Tiranës të nisë menjëherë hetimet. Ne si këshilltarë të këshillit bashkiakë të Tiranës nuk kemi miratuar dhe nuk njohim asnjë vendim të Bashkisë së Tiranës për një ndërhyrje të tillë e cila për ne është e papranueshme”, tha Aldrin Dalipi, kreu i grupit të Këshilltarëve socialistë.

Bashkia e Tiranës reagoi, duke shprehu keqardhjen ndaj opozitës, teksa nënvizohet se zgjerimi i rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar.

“Zgjerimi i rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Këto janë interesat e qytetarëve të Tiranës”, thuhet në reagim.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën për zgjerimin e kësaj rruge, një arterie e rëndësishme kombëtare. Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rreth – rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7km do të jetë me 6 korsi 2x8m, me trafikndarëse prej 1.5m, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuare në të dy anët e rrugës.

“Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe interesat e qytetarëve. I bëjmë thirrje PS, të ndalë frymën e konfliktit politik dhe të orientohet drejt interesit të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve që përdorin infrastrukturën e kryeqytetit”, përfundon deklarata.

15.06.2012

 

Burimi: Balkanweb

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.