Postuar me: 13:18 24-05-2012

Rreziku nga shkëmbinjtë, gati projekti për Beratin

Shperndaje
Etiketat
berat-lagjja-mangalem

berat-lagjja-mangalem

Kompania shqiptare “Al-Geosystem” ka prezantuar projektet e realizuara me kompaninë zvicerane “Geobruck”. Projekti i parë që kap vlerën e 155 mijë eurove, synon mbrojtjen e lagjeve muzeale nga rënia e gurëve dhe i dyti me vlerë 40 milionë euro parashikon ndërtimin e bypass-it të qytetit, prej nga do të disiplinohet edhe lumi Osum. Takimi për prezantimin e projekteve është organizuar në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, në prani dhe të kryebashkiakut Nasufi dhe specialistëve. “Si projekti për mbrojtjen e zonave muzeale nga rënia e gurëve, ashtu edhe ai për bypass-in, brenda të cilit përfshihet edhe trajtimi i lumit Osum, janë shumë të rëndësishme për qytetin tonë. Realizimi i projektit të bypass-it do të zgjidhë përfundimisht edhe problemin e trafikut të mjeteve të rënda, të cilat nuk do të kalojnë më brenda qytetit. Kjo zgjidhje është brenda planit rregullues të qytetit, me rrjetin rrugor, perspektivën dhe me problemet emergjente që duhet të trajtohen”, u shpreh Nasufi. Sipas përfaqësuesit të kompanisë shqiptare “Al-Geosystems”, Ilirjan Panariti, projekti synon të zgjidhë për të paktën 50 vjet problemin e rënies së gurëve nga pjesa shkëmbore e lagjes muzeale “Kala”. Sipas studimit, pjesa shkëmbore mbi lagjen muzeale “Kala” është një formacion problematik që ndikohet nga shumë faktorë, ku më kryesorët janë bimësia, përbërja e strukturës së materialit shkëmbor dhe faktorët klimaterikë. Sipas projektit, mbrojtja do të bëhet nëpërmjet barrierave, të cilat konsistojnë në vendosjen e rrjetave metalike të zinkut me alumin. Kjo rrjetë mbrojtëse do lidhet me sfina metalike të vendosura në thellësi të shkëmbit dhe do të mbajë një peshë deri në 25 tonë, gjë që garanton plotësisht mbrojtjen nga rënia e gurëve të pjesës shkëmbore sipër lagjes muzeale “Mangalem”. Ky projekt parashikohet të përfshijë dhe lagjen “Goricë”. Projektin e bypass-it të qytetit me vlerë 40 milionë euro e prezantoi Entela Koja, e cila tha se ku projekt synon të disiplinojë edhe lumin Osum, prej nga do të përfitohen 42 ha tokë. Projekti i bypass-it (unazës së qyteti), i cili do të kalojë nga ura e re, në  pjesën verilindore, lindore dhe juglindore të qytetit dhe që përfundon në lagjen Uznovë, parashikon ndërtimin e një ure mbi lumin Osum dhe të një tuneli me gjatësi 1.2 km.

Burimi:Gazeta Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.