Postuar me: 8:07 15-06-2012

Shërbimi 3G, drejt liberalizimit final

Shperndaje
Etiketat

AKEP hap rrugën për dy licencat e fundit. Në korrik vendimi për çmimin

Pas një pritjeje të gjatë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) synon të shpallë procedurën e radhës për dhënien e licencës së shërbimit 3G, e cila aktualisht disponohet nga dy operatorë celulari, ndërsa kanë mbetur edhe dy të tjera. Gara tashmë zhvillohet mes PLUS dhe “Eagle Mobile”, të cilat kanë shfaqur interes për shërbimin, madje kanë investuar për rrjetin, por procedurat e mëparshme, me çmimet e larta të vendosura nga AKEP, kufizuan një liberalizim të mundshëm të shërbimit.

Përmes njoftimit në faqen zyrtare të internetit, AKEP deklaron se ka nisur fazën e konsultimit publik për të pasur një analizë të qartë rreth faktit nëse dy operatorët e mbetur mund t’i marrin licencat në të njëjtën kohë dhe me çfarë çmimi.

Me këtë procedurë, duket se AKEP po u jep mundësi shoqërive ta marrin njëkohësisht licencën, ku ndryshe nga dy të parat, AMC-ja dhe “Vodafone”, të cilat i blenë me garë përmes tenderit, kësaj here do të jepen paralelisht.

Në tenderin e fundit të muajit shkurt, për licencën e tretë, shoqëria “Eagle Mobile” ofroi 3.55 milionë euro, ndërsa “Plus Communication” ofroi 2.2 milionë euro, në një kohë kur çmimi dysheme i kërkuar nga AKEP ishte 12.5 milionë euro. Tenderi dështoi, kurse ofertat e paraqitura nga firmat celulare ishin mesazh për Ministrinë e Inovacionit për tarifën e ardhshme që duhet të caktojë.

Konsultimi publik mbyllet në mesin e muajit korrik dhe, në varësi të opinioneve të shprehura nga palët e interesuara, pritet që gjatë muajve në vijim të bëhet edhe shpallja e tenderit, kurse fituesi do të shpallet brenda vitit 2012.

AKEP thotë se konsultimi publik paraprak synon krijimin e një ideje më të qartë për impaktin që do të ketë dhënia në përdorim e këtyre brezave, të njohë interesin për marrjen në përdorim të tyre (numrin e kërkesave), të njohë çmimin që janë të gatshëm të ofrojnë të interesuarit për një brez të caktuar, si dhe të mundësojë krijimin e një terreni të përshtatshëm për procedurën e dhënies së të drejtave të përdorimit të frekuencave etj. AKEP do të mundohet të shmangë dështimin e radhës dhe për këtë qëllim, kërkon të marrë nga dy operatorët mendimet paraprake rreth çmimit të licencave.

Licencën e parë, AKEP e shiti në fund të 2010-s për 30 milionë euro, kurse të dytën për 15 milionë euro, duke mbajtur të njëjtin çmim dysheme, 12.5 milionë euro. Edhe në tenderin e tretë mbajti të njëjtin çmim, por dështoi, pasi firmat ulën ofertat, nisur nga fakti se tashmë në treg kishte operatorë që e ofronin e shërbimin 3G. Liberalizimi i shërbimit të shpejtë të komunikimit celular, i avancuar përmes 3G-s, do t’u japë mundësi përdoruesve të marrin paketa me tarifa më të reduktuara dhe cilësi të mirë. Të dyja kompanitë që presin të marrin shërbimin janë gatshëm të marrin licencën, nëse AKEP paraqet çmime ekonomike, në raport me atë çfarë ofron tregu.

Elementët

Gara – Ndryshe nga dy të parat, AMC-ja dhe “Vodafone”, të cilat i blenë me garë përmes tenderit, kësaj here do të jepen paralelisht

Çmimi – Licencën e parë, AKEP e shiti në fund të 2010-s për 30 milionë euro dhe të dytën për 15 milionë euro, kur çmimi ishte 12.5 milionë

Rezultati – Konsultimi publik mbyllet në mesin e muajit korrik dhe pritet që gjatë muajve në vijim të bëhet edhe shpallja e tenderit

14.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.