Postuar me: 17:55 14-07-2015

Shihemi në gjyq me Enin e Klanit! (Burimi: Gazeta Tema, www.gazetatema.net)

lajm-shqip gjyqPërshëndetje të dashur teleshikues! Ja ku takohemi sërish në rubrikën e përjavshme. Sot kam të ftuar një çift nga Gjirokastra që në fakt nuk janë çift tani se kanë qenë çift më pëpara por u divorcuan nga jeta e tyre në çift pasi mes tyre ka lindur një debat që i ndau përgjithmonë. Ju prezantoj me zonjën Sefqere nga Kardhiqi dhe zotin Rakip brenda nga Gjirokastra. Mirëserdhët të dy dhe faleminderit që pranuat që hallin tuaj ta bëni publik në programin tonë të së djelës.

Historia e tyre është interesante pasi u dashuruan që të vegjël dhe u martuan fare të vegjël.

-Zonja Eni unë nuk e dija çfarë ishte dashuria por një daja im që punonte në ndërmarrjen e Grumbullimit në Libohovë kishte shok kunatin e Rakipit, u fut shkes dhe më martuan. Atëhere Rakipi ishte më i freskët,më i ri, nuk pinte as konjak e as raki dhe vinte shpejt në shtëpi.

-Zonja Qefsere se është duke na parë gjithë Gjirokastra, Skrapari, Lezha dhe gjithë Shqipëria. Arsyeja e vërtetë nuk është zhgënjimi në dashuri por konflikti juaj pas divorcit. Pra një konflikt pronësor i cili po tu referohesh kartës së OKB-së, OSBE-së, Kartës Universale të të Drejtave të Njeriut, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë juve u cënon të drejtën e pronësisë së trashëguar. Pra ju pas divorcit u hodhët në rrugë duke marrë me vete vetëm 3 nga 2 fëmijët tuaj, 24 milionë lekë të thata, një komplet çarçafësh, frigoriferin dhe shapkat. Pra juve nuk ua dhanë me vete as vjehrrën dhe as çertifikatën e pronësisë së ushqimores në lagjen Palorto, një ushqimore e ngritur me djersën tuaj të 29 viteve martesë, një ushqimore ku ju nuk shisnit pordhë por shisnit ushqime, perime dhe u treguat korrekte jo vetëm me banorët e lagjes por edhe me turistët që vizitonin atë lagje.

-Zonja Eni, të them një të vërtetë që nuk e ka ditur as Kardhiqi, as Gjirokastra dhe as Libohova?

-Po zoti Rakip, flisni lirshëm para kamerave se është duke u parë Gjirokastra, Shqipëria, shqiptarët e diasporës madje edhe presidenti Bujar Nishani i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së pakorruptuar shqiptare.

-Në rradhë të parë zonja Eni të përshëndes ty që qan hallet e popullit fukara. Në rradhë të dytë zotin Ardit që edhe këndon edhe drejton telebingon se kunata ime e vogël Farija më thoshte që Arditi merr në telefon vetëm miqtë e tij por ne e pamë vetë një ditë që i ra telefoni edhe Zenepes, komshijes tonë që tha “telebingo, telebingo” dhe fitoi 80 mijë lekë, një fshesë me korent dhe një javë pushimes te hotel Bodrum Internejshënëll në Bodrum të Turqisë me Sava tursin. Pra zonja Eni unë erdha të qaj hallin me ty jo vetëm se të kam patriote se gjyshin tën e njeh Gjirokastra por ti je shumë inteligjente, elegante në mendime, mësuese e dalluar e juridikut. Ti Eni Çobani je si doktoreshë popullore se shëron njerzit nga plagët e tyre. Të kishte TV Klani 30 si puna jote unë nuk do isha ndarë nga gruaja dhe as ushqimorja nuk do bëhej shkak për divorcin tonë. Ti Eni Çobani je dhe mbetesh një princeshë, burrneshë dhe një çupë që e lë gojëhapur Shqipërinë nga Konispoli në Dukagjin.

-Më fal zoti Rakip, meqënëse na kujtove Dukagjinin le të çohemi më këmbë e të mbajmë 1 minutë heshtje për dy turistët çekë që vrau dora mizore gjakatare e një njeriu që drejtësia e liroi para kohe nga burgu.Megjithatë ata gjykatësit e Shkodrës kanë punë me mua në një program tjetër…

-Uluni të dashur spektatorë edhe ju telespektatorë që mbajtët 1 minutë zi.

-Atëhere Zoti Rakip, më fal dhe një sekondë tjetër. Besoj se gjykatësit e Gjirokastrës po na ndjekin dhe urdhëroj urgjent rishikimin e divorcit mes zonjës Qefsere dhe zotit Rakip dy njerëz të mrekullueshëm. Gjykata e shkallës së parë dhe Apelit duhet ta marrin seriozisht këtë çështje dhe brenda të djelës tjetër duhet ti bashkojnë këta njerëz të thjeshtë.

-Zonja Eni më mbushe sytë me lotë!

-Faleminderit zonja Qefsere. Nga sot e tutje trego anën tënde të medaljes. Ti je një femër fisnike pavarësisht se nuk ike nga mendja, zgjodhe vetëm të ikje nga shtëpia. Çohu puthe Rakipin se po na shikon gjithë Shqipëria.

-Zonja Eni, më fal!

-Po Ardit, merre mikrofonin dhe fol.

-Më duhet të ndërhyj për një reklamë të vogël. Meqënëse jemi në Gjirokastër ku njerzit nuk janë kurnacë ndjenjash ju ftoj të hani vetëm djath Gjirofarma, djath nga qumështi i deleve dhe dhive që hanë bar origjinal jo nga ai i Lazaratit por bar nga lëndinat e Zagorisë ku ka lindur i madhi poet Çajupi.

-Faleminderit Ardit, faleminderit zonja Qefsere, faleminderit zoti Rakip. Faleminderit popullit gjirokastrit që vjen dhe i hap zemrën programit “Shihemi në gjyq”.

Javës tjetër një histori interesante sesi dy kunata shaheshin kurvë njëra, kurvë tjetra duke mos pasur asnjë bazë ligjore.

Deri atëhere mirupafshim!

…Ky program mundësohet nga Hamëcë, bota jonë-ti!

 

14.07.2015

Burimi: Gazeta Tema

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.