Postuar me: 12:21 15-06-2012

Shkodër, tre persona në kërkim për vrasjen e dyfishtë

Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim tre persona, të cilët dyshohen si autorë të vrasjes së dyfishtë të ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Kir, në Shkodër, ku mbetën të vrarë me armë zjarri mbesë dhe gjysh, përkatësisht Marije Qukaj, 17 vjeçe dhe Kolë Qukaj, 70 vjeç. Policia njofton se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje për shkak të një ngjarjeje të vjetër të ndodhur në vitin 2010.

Sipas policisë së Shkodrës, të dyshuar si autorë të ngjarjes së rëndë janë tre anëtarë të fisit Prroni, V. P., 32 vjeç, banues në lagjen Skënderbeg, të qytetit Shkodër, A. P., 43 vjeç dhe A. P., 27 vjeç, banues në lagjen Partizani, Shkodër të cilët janë shpallur në kërkim. Policia është treguar e rezervuar në dhënien e informacioneve të detajuara rreth identitetit të vrasësve, për arsye që lidhen me hetimin.

Sipas policisë, vrasja e mbesës dhe gjyshit rezulton se është kryer për motive hasmërie, pasi me datë 07.07.2010 është vrarë me arme zjarri shtetasi N. P., i afërm i autorëve të dyshuar të krimit të djeshëm, dhe është dënuar për krimin shtetasi Gjok Qukaj, nga familja e dy viktimave. Ndërkohë materialet në ngarkim të tre personave të shpallur në kërkim për vrasje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale ” Vrasje e kryer në rrethana të cilësuara, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

15 qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.