Postuar me: 13:28 13-06-2012

Shqipëria merr një barazim 0-0 në zemër të Rusisë

Shperndaje
Etiketat

Kombëtarja U-21

Kombëtarja U-21 e Shqipërisë ka arritur të marrë një barazim ndaj bashkëmoshatarëve rusë në takimin e vlefshëm për kualifikueset e EURO 2013 për këtë grupmoshë, të zhvilluar në Moskë. Rusia ishte me dy pikë më pak, por edhe dy ndeshje mangët në krahasim me Portugalinë e vendit të parë, por kuqezinjtë tanë, me barazimin që u kanë marrë në shtëpi, nuk i kanë lejuar të marrin kreun. Shqipëria drejtuar nga Skëndër Gega ka bërë një paraqitje të mirë në mbrojtje, sidomos në pjesën e parë, kur ka arritur t’i përballojë me sukses sulmet e shumta ruse. Më pas, me kalimin e minutave Shqipëria ka nisur të tentojë edhe të dalë përpara. Armando Sadiku i ka hapur punë mbrojtjes kundërshtare gjatë 90 minutave, por pa e gjetur dot golin. Mungonte Bekim Bala, i cili duket se është ndëshkuar për kontestimin e zëvendësimit nga trajneri Gega në ndeshjen ndaj Portugalisë. Portieri Frashëri ka qenë vendimtar me ndërhyrjet e tij, duke evituar gola të sigurt. Pjesa e dytë ka qenë edhe më e vështirë për kuqezinjtë, që janë detyruar të mbyllen në mesfushën e tyre për t’u bërë ballë sulmeve të vazhdueshme të Rusisë. Në fund të lojës mbyllet gjithçka në barazim të bardhë, një rezultat mjaft pozitiv për Shqipërinë, edhe pse loja ka qenë dukshëm në favor të Rusisë. Këtë e tregojnë edhe statistikat e ndeshjes, pasi gjuajtjet janë 21-3 në favor të vendësve, ashtu si edhe goditjet nga këndi, 8-1. Me këtë barazim, Shqipëria renditet në vend të parafundit, me pesë pikë, kur i ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur, kundër Moldavisë së vendit të fundit më 6 shtator.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.