Postuar me: 13:11 13-06-2012

Shqiptarët do të paguajnë sërish për rrugën

Shperndaje
Etiketat

Durrës-Kukës, Olldashi: 5 euro taksë për tunelin. Shpenzuam 800 milionë euro për ndërtimin

Për tre vjet ndërtim, rruga 60 km e gjatë, Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës, që lidh Shqipërinë me Kosovën, u kushtoi taksapaguesve shqiptarë rreth 800 milionë euro. Vetëm për tunelin, rreth 6 km i gjatë, janë shpenzuar nga buxheti i shqiptarëve afro 280 milionë euro. Shpenzimet e larta për rrugën goditën buxhetin në 2009, kur borxhi kapërceu pranë 59 për qindëshit, ndërsa deficiti buxhetor arriti në atë vit me rreth 7 për qind. Ishin shpenzimet e kësaj rruge, e cila la pezull projektet e tjera, ndërsa firmat shqiptare vijojnë të mbajnë radhë te thesari për të marrë paratë e faturave të palikuiduara prej dy vitesh.

Meqë rruga kushtoi shumë, për shkak edhe të standardeve të vendosura nga amerikanët e “Bechtel”, tashmë lind nevoja e mirëmbajtjes së saj, e cila kërkon të paktën 10 milionë dollarë në vit, kosto e cila ngarkohet kryesisht për shkak të tunelit, ndër më të gjatët në Ballkan.

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi zyrtarizoi dje projektin e fshehtë të qeverisë: vendosjen e taksës 5 euro për çdo mjet që kalon te tuneli. Dhënia e rrugës me koncesion, nga Miloti, deri në Kalimash, është projekt i iniciuar në fillim të vitit 2011, ndërsa në janar dhe shkurt të këtij viti, ministria organizoi tenderin për shoqërinë private që do të mirëmbajë rrugën nga të ardhurat e krijuara nga taksat.

“Do të përzgjidhet kompania që do të ofrojë tarifën më të ulët, që sipas tij do të jetë në kufirin e 5 eurove”, u shpreh dje ministri. Në garë janë pesë kompani, të njohura në fushën e ndërtimit dhe koncesioneve, ku spikat kompania gjermane që menaxhon prej vitit 2005, aeroportin e vetëm ndërkombëtar, “Nënë Tereza”. Duke pasur parasysh tarifat prej 5 euro për makinat dhe ndoshta 7 për maunet, dhe me mesataren e mjeteve që kalojnë në ditë, qeveria mund të mbledhë vetëm nga tuneli rreth 13 milionë euro në vit, e ardhur kjo që del më pak se 10 për qind e normës së amortizimit në një vit, pasi tuneli ka kushtuar rreth 280 milionë euro. Sa i takon mesatares së mjeteve të transportit rrugor, ministri Sokol Olldashi thotë se, “nga studimet rezulton një trafik prej 12 000 mjetesh në verë dhe 4000 në dimër, pra mesatarisht 7500 mjete”. Sipas tij, kemi një rrugë që përdoret 5 herë më shumë nga sa parashikonin projektuesit.

Sakaq, ministri firmosi dje një marrëveshje me homologun kosovar, sa i takon njohjes së patentave. Sipas paktit, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të udhëtojnë në Shqipëri me automjetet e tyre me patentat që disponojnë, pa pasur nevojë për pajisje me patentë ndërkombëtare dhe anasjelltas. Të dy ministrat u shprehën optimistë se rruga e kombit dhe marrëveshja për patentat do të nxisë më shumë lëvizjet mes dy shteteve, sidomos në sezonin turistik.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.