Postuar me: 13:45 15-06-2012

Shtyhen rezultatet, notat pas 16 qershorit

Shperndaje
Etiketat

Letërsia

Përfundon korrigjimi i tezave të letërsisë, ndërsa maturantët nuk janë njohur ende me rezultatet respektive. Zyrtarisht sqarohet se ka përfunduar procesi i vlerësimit të testeve në 11 qendrat e ngritura në kryeqytet, ndërsa nesër nis grumbullimi i të dhënave dhe përpunimi i tyre, proces që finalizohet me afishimin e listave të notave në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Të rinjtë kanë rreth një javë që përgatiten për provimin e dytë të detyruar, atë të matematikës, ndërsa presin në ankth përgjigjet e letërsisë. Ndonëse u premtua se notat do të bëheshin publike dy apo tri ditë përpara zhvillimit të testit të matematikës mësohet se afati për publikimin e tyre është shtyrë. Kështu, notat sipas drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, do të dalin brenda tri ditëve. Duke iu referuar deklaratës së tij, rezulton se përgjigjet do të publikohen pas zhvillimit të testit të dytë të maturës shtetërore, që zhvillohet më datë 16 qershor.

“Brenda tri ditësh maturantët do të njihen me rezultatet e provimit të gjuhës dhe letërsisë. Korrigjimet kanë mbaruar dhe tashmë testet po i nënshtrohen procesit të dixhitalizimit”, tha Harizaj. Ai theksoi se duke ndjekur dita-ditës procesin e korrigjimit, vërehet se në pjesën e poshtme të pikëve është ulur numri i nxënësve me pak pikë, çka do të thotë se numri i mbetësve është më i vogël. E megjithatë ngelësit nuk penalizohen përfundimisht nga procesi i maturës, për shkak se do të ketë një datë të dytë në sezonin e vjeshtës, për zhvillimin e testit të letërsisë. Por, ata që do të ndëshkohen rëndë sivjet do të jenë kopjacët. Kështu, nëse maturanti kapet me kopje, jo vetëm që do të dorëzojë tezën, por do të përjashtohet nga tre provimet e tjera të këtij viti, për t’iu kthyer sërish testimeve vitin e ardhshëm.

15.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.