Postuar me: 13:30 13-06-2012

Shuhet Medin Zhega, një prej simboleve të futbollit shqiptar

Shperndaje
Etiketat

Aksidenti i 5 majit 2011 rezultoi fatal. Ndërroi jetë dje pasdite

Zemra e ish-futbollistit të Vllaznisë, Dinamos dhe i përfaqësueses kuqezi, ish-trajneri i kombëtares, pushoi së rrahuri në orën 15.00 të 12 qershorit 2012

Që nga ora e 15.00 e 12 qershorit 2012, Shqipëria e futbollit, por jo vetëm, për fat të keq do të duhet të bëjë përpara pa Mjeshtrin e Madh të lojës më të dashur në botë, topkëmbës, Medin Zhega. Dashuria që i kishte rrëmbyer zemrën ishte pikërisht futbolli, por që nga dita e djeshme kjo zemër ka pushuar së rrahuri. Dini i mirë, simbol i këtij sporti në Shqipëri, ka ndërruar jetë duke hidhëruar të gjithë bashkëkombësit e më gjerë. Ish-futbollisti i shquar i Vllaznisë, Dinamos dhe i përfaqësueses kuqezi, ish-trajneri i kombëtares, ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, nuk jeton më. Lajmi i hidhur ka ardhur pasditen e djeshme, kur zemra e njërit prej emrave të spikatur të futbollit shqiptar, i lindur në vitin 1946 në Shkodër, një prej lojtarëve më të njohur në vitet ‘60-‘70, ka reshtur së rrahuri  në QSUT, ku gjendej i shtruar dhe në gjendje të vështirë shëndetësore prej një viti. Aksidenti që pësoi në Kanada, te të afërmit e tij, ku rrëshqiti aksidentalisht në dush dhe përplasi kokën në pjesën e prapme të saj, gjë që i shkaktoi këputjen e rruazës së fundit të pjesës së qafës, rezultoi fatal për të. Në fillim mjekët kanadezë bënë çmos për ta rikuperuar, por ishte e pamundur. Më pas u zhvendos në Spitalin Nr.5 në Tiranë, ku u mbajt nën kujdesin e profesorit neurokirurg Mentor Petrela, por as përpjekjet e këtij të fundit nuk rezultuan të suksesshme. Ndërsa këtë të martë ish-trajneri i Kombëtares mbylli sytë përgjithmonë. I madhi Din Zhega lindi në Shkodër më 31 janar 1946. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes, studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Kimi-Mercologji. Studimet e larta edhe në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Në periudhën 1963–1979, luajti futboll me Vllazninë dhe Dinamon, duke qenë një nga lojtarët më të mirë, një golashënues race. Nga 1965 e në vazhdim ishte lojtar i Kombëtares. Në 1981 mbaroi shkollën e trajnerëve në Austri. Kreu gjithashtu një seri kualifikimesh për trajner, jashtë vendit. Në 1984-1986 punoi si ndihmëstrajner në Kombëtare. Në 1992-1996 u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në 1999-2001 ishte trajner i Kombëtares, me të cilën në vitin 2001, fitoi turneun “Rothmans” në Maltë. Pas shkarkimit nga kjo detyrë në vitin 2001, ai u emërua anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së deri në 2010. Ka marrë titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Në vitin 2009 u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Shkodrës. Më maj 2011, gjatë qëndrimit në Toronto të Kanadasë, pësoi aksidentin fatkeq, që rezultoi fatal, pasi, pas shumë vuajtjesh, dje pasdite u nda nga jeta. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij!

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.