Postuar me: 9:43 13-06-2012

Skandali, privatët dhe tregu i deformuar

Shperndaje
Etiketat

Debat i hapur, ftohen ekspertët, profesorët dhe specialistët e arsimit të lartë

Shumëkush ka dëgjuar dhe pakkush di për universitetet private në Shqipëri. Nëse ato janë cilësore, nëse prodhojnë vetëm diploma, nëse sfidojnë sistemin publik apo jo, këto janë informacione të cilat familjet shqiptare nuk i kanë dhe nuk i gjejnë lehtë. Para dijes dhe arsimit, si prindërit ashtu edhe kandidatët për student, dashur dhe padashur mbyllin sytë, gojën dhe veshët.

Mes studentëve që duan të përfitojnë “batjava” studimet e larta, ka edhe nga ata të cilët kanë arritur rezultate të larta. Në një kohë kur anëtarët e Komisionit të Arsimit kërkojnë transparencë lidhur me produktin që ofrohet sot në sistemin privat dhe në një çast kur kontrollet dhe inspektimet e Ministrisë së Arsimit kanë arritur “pikun”, gazeta “Shqip” çel një debat ku ftohen të marrin pjesë ekspertë, profesorë e specialistë të arsimit të lartë dhe të kontribuojnë me përqasjet dhe opinionet e tyre mbi dhënien e diplomave në Institucionet e Arsimit të Lartë Privat. Në ditën e parë të çeljes së këtij debati, një ekspert i pavarur, i cili për shkak të statusit të tij, si lektor në disa universitete kërkon të mbetet pa cituar, jep opinionin si ekspert dhe njohës i thellë i institucioneve të arsimit publik dhe privat në vend.

A janë të gjithë studentët e privatëve si Bossi, a do të jenë të aftë ata të kualifikohen në tregun e punës, a do të jenë me “njollë” në diplomë ata të cilët studiojnë në institucione që janë kapur apo do të kapen me shkelje e parregullsi?

Familjet shqiptare të etura për t’u ofruar fëmijëve dije, për t’u siguruar të ardhmen, po bëjnë gabime që kursimet i shpenzojnë për të blerë diploma apo kanë faj sepse nuk mendojnë në mënyrë kritike: “Jo të gjithë mund të jenë me shkollë të lartë, sot Shqipëria ka nevojë edhe për teknikë, për punë profesionale që i mungojnë tregut, por edhe do të sillnin më shumë përfitime”.

 

Argumentet mbi të cilat sugjerojmë të ngrihet debati:

1. A është i dënueshëm akti i dhënies së diplomës së Bossi-t?

2. Është dhënë kjo diplomë për përfitime financiare?

3. Duhet marrë masë administrative ndaj Universitetit?

4. Në rastet e evidentimit të abuzimeve, duhet të dënohen pronarët e institucionit?

5. A ka studentë të mirë në universitetet ku konstatohen parregullsi dhe shkelje dhe a kanë faj ata në rast se institucioni ku studiojnë lëshon diploma si ajo e Boss-it?

6. Duhet të dënohen studentët e universitetit për akte të

papërgjegjshme të drejtuesve të Universitetit?

7. Në rastin e universitetit “Kristal”, akti i heqjes së licencës a cenon reputacionin e studentëve dhe diplomave që presin të marrin?

8. Këta studentë kanë të drejtë të kërkojnë një masë që nuk i dënon ata, por dënon përgjegjësit?

 

Qasje e paplotë e ekspertit

Pezullimi i licencës së “Kristalit” dhe tregu i universiteteve private

Sistemi privat arsimor është ndërtuar mbi baza të pastra biznesi fitimprurës dhe si i tillë, trajtohet nga çdo palë e interesuar (përjashto elementë të veçantë):

– studentët e kanë bindjen që e blejnë diplomën dhe meqë e blejnë (pra janë padronët) këtë mall e përftojnë pa ndonjë angazhim të vetin

– pedagogët (përfshi administratën dhe drejtuesit shkencorë) janë për shitje më të shtrenjtë të krahut të tyre të punës dhe e vetmja gjë që u intereson është të marrin atë çka sistemi shtetëror ua ka mohuar prej vitesh – pronarët janë në lojë për të fituar dhe si të tillë u buzëqeshin të parëve dhe u rrinë me turinj të dytëve. Ky është tregu plotësisht i deformuar.

Trajtimi i çështjes së “Kristalit” u bë pikërisht në frymën e mësipërme. Pra meqë “Kristalit” iu zbulua publikisht ajo gjë që dihej publikisht, Ministria nxitoi të shpëtonte fytyrën duke vepruar si është mentaliteti në administratën shqiptare, që gjërat bëhen 1) me aksion, jo me sistem të njëtrajtshëm pune dhe 2) me ndëshkim, jo me rregulla. Në fund të fundit, çështja e “Kristalit” është njësoj si “Enron”-i. Janë kompani në treg që në një moment vendosin të përdorin teknika mashtruese dhe për këtë ndëshkohen nga tregu, nga rregullatori. As punëtorët e “Enron”-it (apo dhe të tjera si këto) nuk kishin faj, pse mashtruan administratorët, por ama mbetën pa punë. Studentët e “Kristalit” do mbesin pa diploma. Këta studentë mund t’u drejtohen universiteteve të tjera për të vijuar shkollimin dhe diplomimin. Kjo është logjika e tregut.

Debati në “Shqip” ka nisur. Qasjet për nesër do të jenë të tjera dhe të ndryshme.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.