Postuar me: 10:01 14-06-2012

Skemat që Berisha përdori për zgjedhjen e Nishanit

Shperndaje
Etiketat

Aleatëve u mori dy herë radhazi firmat, ndërsa të tijtë i kërcënoi me zgjedhje të parakohshme

Beteja për zgjedhjen e presidentit të ri ka qenë një nga sfidat mbase më të vështira të karrierës së Kryeministrit, liderit të PD-së, Sali Berisha, i cili ka përdorur një skenar që synonte fillimisht të fuste në kllapë aleatët e tij, Metën, Mediun dhe Idrizin. Kjo për faktin se PD nuk kishte të sigurta as 71 vota për të zgjedhur presidentin në raundin e IV apo të V. Skema duket se ka qenë e qartë për Berishën, i cili për të bindur aleatët hodhi fillimisht kartën e një kandidature apolitike për postin e kreut të shtetit. Një lëvizje e tillë ishte për të zbutur aleatët e tij, të cilët madje propozuan dhe kandidatë për postin e presidentit. I tillë ishte dhe propozimi i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, për postin më të lartë shtetëror. Kjo kandidaturë mësohet se është propozuar nga vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Zërat qarkullojnë se në këtë përzgjedhje ka pasur ndikim dhe kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili ka qenë tepër aktiv në negociatat për kreun e ri të shtetit. Vetëlargimi i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, përpara zhvillimit të raundit të katërt, solli në skenë edhe një herë dilemën e Berishës për të bindur aleatët në gjetjen e një kandidature konsensuale, e mbi të gjitha apolitike. Këtë dilemë, Kryeministri e zgjidhi duke pranuar si zgjidhje kandidatin Artan Hoxha, i cili sërish u përzgjodh me bekimin e Ilir Metës të LSI-së, aleatit kryesor të PD-së. Për të qenë i siguruar Berisha, u kërkoi katër aleatëve dhe deputetëve të partisë së tyre që të firmosnin pro kandidatit Hoxha. Kjo edhe për t’ia djegur mundësinë e nënshkrimit për ndonjë kandidat surprizë për postin e presidentit. Hoxha ndërkohë mbarte dhe frikën se mund të rrëzohej nga pretendentët e PD-së për postin e presidentit. Por tërheqja e kandidatit të dytë, solli më pas përdorimin e një tjetër skeme nga ana e Kryeministrit Sali Berisha. Ajo e paraqitjes së një kandidature puro politike për postin e kreut të shtetit. Nuk dihet se e gjitha kjo ishte një inskenim i Berishës për të zgjedhur një kandidaturë politike. Tashmë sfida tjetër e tij, ishte si të përzgjidhte një kandidaturë që të mos krijonte pakënaqësi te klanet dhe pretendentët për president brenda PD-së. Vetë Kryeministri prej kohësh i pati shtuar dozën e pretendimeve demokratëve, pasi kishte deklaruar se do të zgjidhte një figurë të lartë të PD-së për president, drejtues apo anëtar kryesie. Pretendentët për këtë post ishin kryeparlamentarja Jozefina Topalli, deputeti i PD-së, Fatos Beja, ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dhe së fundmi ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Ky i fundit, pra Imami ishte propozuar dhe nga vetë lideri i mazhorancës, Berisha, në tavolinën e negociatave me liderin e opozitës, Edi Rama. Arsyeja e paraqitjes së kësaj kandidature, lidhej dhe me faktin se Imami ka qenë ministër dhe në kohën kur qeverisnin socialistët. Pikërisht për të shmangur këto konflikte dhe pakënaqësi brenda klaneve dhe pretendentëve në PD, Berisha përzgjodhi një kandidaturë që sheshon të gjitha polemikat dhe i bashkon votat e demokratëve. Bujar Nishani, ministri i Brendshëm, ishte kjo figura konsensuale që ka bindur dhe kryeparlamentaren Topalli në takimin e posaçëm që ka pasur me Kryeministrin në zyrën e tij, në ora 14.00, tri orë përpara mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së. Fillimisht Berisha përpara këtij takimi bindi sërish aleatët e tij, Meta, Mediu, Idrizi dhe të tjerë që firmosnin pro kësaj kandidature, pse jo duke i premtuar dhe rikompozim të kabinetit qeveritar. Beteja tjetër e Berishës ishte bindja e deputetëve të grupit parlamentar të PD-së. Pas bërjes publike së garancisë për votat pro të aleatëve, Berisha ka lëshuar deklaratën më surprizë në adresë të deputetëve të partisë së tij. “Votë për Nishanin, ose zgjedhje të parakohshme!”, ky ishte ultimatumi i Kryeministrit, i cili ka shuar çdo shpresë dhe ëndërr të kandidatëve të tjerë politikë, si Topalli, Bode apo dhe Beja.

 

Pretendentët e PD-së

  • Jozefina Topalli
  • Arben Imami
  • Ridvan Bode
  • Fatos Beja
  • Bujar Nishani

14.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Postuar 1 Koment
Mendimi i juaj

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.