Postuar me: 12:15 13-06-2012

“Skënderbeu”, dy javë shfaqje në Rusi

Shperndaje
Etiketat

Filmi

Ndërsa vetëm pak ditë më parë në Tiranë u ekspozuan partiturat origjinale të filmit “Skënderbeu” (realizim i vitit 1952), Ambasada Shqiptare në Moskë, e ka përfshirë shfaqjen e këtij filmi në kalendarin e aktiviteteve që do të organizohen në Rusi në këtë vit jubilar të Shqipërisë. Ky film do të shfaqet për dy javë rresht në një nga kinematë e Moskës dhe të Peterburgut, si dhe në një nga televizionet kombëtare të vendit në kuadër të “Ditëve të Kulturës Shqiptare” në Rusi, që do të zhvillohen në periudhën tetor-nëntor 2012. Në fakt, Ambasada Shqiptare në Moskë ka qenë pjesë kyçe edhe e kthimit të partiturave të këtij filmi, ku kompozitori shqiptar, Çesk Zadeja, është bashkautor me kompozitorin rus, Georgi (Juri) Vasilievic Sviridov. “Interesin për gjetjen dhe marrjen e këtyre partiturave e ka parashtruar regjisori ynë i njohur, Piro Milkani, të cilin kemi më shumë se një vit që po e ndihmojmë në realizimin e një projekti me specialistët rusë të fushës për rinovimin në disa plane të filmit “Skënderbeu”. Dihet që të gjithë komponentët origjinalë të këtij filmi ndodhen në ish-ambientet e Kinostudios së Moskës. Duke pasur vështirësi për marrjen e një duble zëri të filmit, vështirësi që fillonin që nga plani teknik deri tek ai financiar, regjisori Milkani, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH-së, i kërkoi ambasadës sonë që të ndihmonte në gjetjen dhe marrjen e një kopje të partiturave origjinale të filmit të përbashkët shqiptaro-sovjetik të viteve ’50 “Skënderbeu”. Duke e konsideruar një kërkesë të tillë me rëndësi për fondin tonë kombëtar të vlerave dhe si një memorie për muzikën tonë shqiptare, menduam të angazhohemi plotësisht për gjetjen dhe marrjen e një kopje të partiturave të kësaj muzike. Nuk mund ta mohojmë se kjo sipërmarrje na kërkoi mund dhe kohë për të gjetur fillimisht vendndodhjen e këtij “thesari” dhe më pas, për të plotësuar të gjitha procedurat e nevojshme për fotokopjimin dhe marrjen e tij. Mbas rreth 2 muaj punë të vazhdueshme, morëm nga Arkivi i Orkestrës Shtetërore të Kinematografisë të FR-së, një volum të tërë partiturash, të cilat na krijuan emocione të veçanta, jo vetëm për nga pesha dhe përmasat, por në radhë të parë për nga rëndësia dhe vlerat e tyre. Me këtë rast, dua të falënderoj edhe ata miq të mirë shqiptarë që bënë të mundur sjelljen e tyre të shpejtë, në mënyrë private dhe të sigurt nga Moska në Shqipëri. Ne jemi shumë të kënaqur që arritëm të realizonim këtë sipërmarrje sa diplomatike, aq dhe kulturore e me vlera kombëtare, për t’u dhënë institucioneve të interesuara shqiptare një vepër të rëndësishme muzikore që i mungonte, por, pse jo, edhe familjareve të kompozitorit të madh, Zadeja, në përmbushje të një “pengu profesional” të jetës së tij. Filmi “Skënderbeu” vazhdon të ruhet në memorien e rusëve të atyre viteve, por, vazhdon të jetë në shitje edhe për brezat e rinj”, thuhet në deklaratën e Ambasadës sonë në Moskë.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.