Postuar me: 7:04 18-06-2012

Spahiu: AK, alternativa më e mirë. Hajdutët në politikë do ta paguajnë

Drejtësia – Kreshnik Spahiu deklaroi se, nëse kjo parti fitonte zgjedhjet, atëherë vendi do t’i nënshtrohej një reforme radikale në sistemin e drejtësisë, duke kthyer dhe dënimin me vdekje

Prezantimi – Gerta Heta, prezantuese e njohur e skenës shqiptare, ishte drejtuesja e Kongresit të Parë të AK-së. Nga ana tjetër, në sallë nuk mungonin emra të njohur të këngës dhe artit shqiptar

Kongresi i Parë Mbarëkombëtar mblodhi qindra shqiptarë nga të gjitha trevat

Aleanca Kuq e Zi mblodhi dje Kongresin e Parë Mbarëkombëtar, në kuadër të festimit të njëvjetorit të krijimit të kësaj lëvizje dhe shpalljes së saj si parti politike. Partia e drejtuar nga Kreshnik Spahiu arriti dje ta mbushë Pallatin e Kongreseve me mbështetës të ardhur, jo vetëm nga i gjithë vendi, por dhe nga trevat shqiptare në rajon. Në simbolikën kuqezi dhe tingujt e himnit kombëtar dhe këngëve patriotike, Spahiu arriti të elektrizonte mbështetësit në sallë, duke i krahasuar liderët e partive të mëdha në vend me ish-presidentin egjiptian, Hosni Mubarak. Ai theksoi se, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, AK vjen si një alternativë qeverisëse, duke shtuar se Shqipëria do të bënte progres në momentin kur të gjitha pasuritë e paligjshme të politikanëve do të sekuestroheshin dhe kur të hapeshin dosjet e spiunëve të shërbimeve të huaja në Shqipëri. Në Kongresin e djeshëm u zgjodhën anëtarët e sekretariatit të përkohshëm të kësaj partie. Pak muaj më vonë, AK ka planifikuar të zgjedhë dhe Këshillin Kombëtar të Përhershëm, kryesinë qendrore dhe nënkryetarët e partisë. Kjo parti do të zgjedhë dhe kryetarin e saj, ku deri tani spikat vetëm kandidatura e ish-nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.

Mesazhet

Kreshnik Spahiu deklaroi dje se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Aleanca Kuq e Zi ofron për të gjithë shqiptarët alternativën më të mirë qeverisëse. Sipas Spahiut, është e udhës që shqiptarët të prishin njëherë e përgjithmonë “status quo”-në e liderëve që për 20 vite kanë keqqeverisur vendin. “Shqiptarët e kanë kuptuar se PS e PD, pavarësisht se shahen në Parlament ditën, natën ndryshojnë Kushtetutën dhe nga ajo ditë u kanë thënë shqiptarëve nuk keni alternativë. PS e PS janë nofulla të një goje që bluan për një stomak. Zgjidhja nuk është që të zgjedhim të keqen më të vogël. Ne duhet të zgjedhim të mirën më të madhe” u shpreh Spahiu, duke theksuar se AK ofronte alternativat më të mira për zgjidhjen e të gjitha problemeve që i mbajnë shqiptarët të ndarë dhe të paintegruar. Ai nuk ngurroi t’i quante drejtuesit e partive kryesore në vend me termin “mubarak” dhe theksoi se drejtësia nuk do të vononte dhe do t’i detyronte ata të kthenin mbrapsht të ardhurat që kishin vjedhur. “Ne do të vëmë drejtësi për mubarakët e rinj shqiptarë. Askush nuk do t’i gëzojë paratë e vjedhura nga shqiptarët”, bëri të qartë Spahiu. Sipas tij, Shqipëria do bëhet sapo AK të hapë dosjet e spiunëve të shërbimeve të huaja në Shqipëri. Nga ana tjetër, Spahiu foli dhe për nevojën e një strategjie të re të rimëkëmbjes ekonomike mbarëkombëtare. “Shqipëria ka sot një ekonomi konsumatore e primitive. Brenda dhjetë vitesh, të ardhurat ekonomike të shqiptarëve do jenë më të lartat në Ballkan”, theksoi Spahiu.

Organizimi

Aleanca Kuq e Zi kishte vendosur që Kongresin e saj të parë ta organizonte deri në detajet më të imta. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, me qindra mbështetës të ardhur jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Kosova, Presheva, Mali i Zi dhe Maqedonia nisën një marshim nga sheshi “Skënderbej” deri në Pallatin e Kongreseve. Turma e mbështetësve të AK ishte e veshur me simbolet kuqezi dhe në duart e tyre nuk mungonin flamujt. Një autobus me dy kate, i ngjashëm me ato të ekipeve të futbollit, i ngjyrosur kuqezi me simbolin e shqiponjës, ecte paralelisht me turmën, e cila këndonte këngë patriotike. Por në këtë rrugëtim të shkurtër të pjesëmarrësve të Kongresit nuk munguan as thirrjet e ashpra kundër qeverisë, nisur dhe nga fakti se “udhëtimi” kalonte përmes selisë së qeverisë shqiptare.

 

Arvizu ndjek në sallë Kongresin e AK

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ishte dje i pranishëm në mbajtjen e punimeve të Kongresit të Parë Mbarëkombëtar të AK-së. Ndonëse prej kohësh Arvizu nuk ka preferuar të ndjekë veprimtaritë e rëndësishme të politikës shqiptare “live”, ai i shoqëruar dhe nga përfaqësues të tjerë të ambasadës amerikane në Shqipëri ndoqi gjithë aktivitetin e AK. Nga ana tjetër, në fjalën e tij, Kreshnik Spahiu deklaroi se kuqezinjtë simbolizojnë bashkimin dhe civilizimin dhe se kjo forcë politike duhet të jetë një partner lokal i diplomacisë amerikane. “Ne duhet të jemi garancia se platforma jonë qeverisëse do të alternohet me atë të SHBA dhe BE që kanë investuar në Kosovë”, theksoi Spahiu.

17.06.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.