Postuar me: 14:16 07-06-2012

Superiorja me 10 ekipe, ja pse “driblon” FSHF

Shperndaje
Etiketat

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së nuk ka marrë asnjë vendim konkret sa i përket planit për të ndryshuar numrin dhe strukturën e Kategorisë Superiore për sezonin 2013-2014. Në mbledhjen e djeshme që zgjati për disa orë, u diskutua edhe për çështje të tjera.
Superiorja me 10 ekipe
Një pjesë e klubeve të mëdha kanë hedhur idenë për të ndryshuar strukturën, pikërisht një vit pasi ajo pati pësuar një ndryshim të rëndësishëm (nga 12, u bë me 14 ekipe dhe me tri faza sezonin që shkoi). Ata kanë paraqitur një kërkesë në FSHF disa ditë më parë, por mësohet se ky projekt ka pasur edhe një mbështetje të heshtur nga vetë institucioni i futbollit. E megjithatë, për ta miratuar një ndryshim të tillë, do të thotë se në fund të sezonit të ardhshëm 2012-2013 do të zbresin plot 5 skuadra dhe ngjitet vetëm një nga Kategoria e Parë. Pikërisht për këtë arsye ndryshimi i strukturës së kampionatit do të trondiste disa qytete. Për të evituar që ky ndryshim të konsiderohet si një “vepër” ose si një “mëkat” i FSHF-së, Komiteti Ekzekutiv e ka shtyrë këtë pikë për në mbledhjen tjetër, duke iu lënë afat klubeve që kërkesat e tyre t’i formulojnë me shkrim. Qëllimi? Nëse numri i klubeve që kërkojnë ndryshimin e strukturës do të jetë më i madh se numri i atyre që nuk e duan, atëherë KE thjesht do të “vulosë” një dëshirë të vetë aktorëve të futbollit, duke iu lënë kështu edhe barrën e përgjegjësisë apo edhe të meritës në rast suksesi apo dështimi të kësaj formule.
Të huajt
Burime pranë Komitetit Ekzekutiv bënë të ditur se numri i të huajve nuk ka qenë fare në axhendën e diskutimeve dhe ka pak gjasa që të ndryshojë vendimi i marrë dy vite më parë. Sipas rregullit të miratuar, sezonin e ardhshëm do të lejohen vetëm 5 të huaj në fushë.
E drejta TV
Kanë nisur negociatat për rinovimin e kontratës për të drejtën televizive të ndeshjeve të Kategorisë Superiore. Ka shumë gjasë që të arrihet një marrëveshje me kompaninë aktuale, por mësohet se janë futur në garë edhe platforma të tjera televizive. Gjithsesi, FSHF ka ndërmend që në ofertën që do t’u bëhet klubeve pas pak javësh të ofrojë një shumë prej 300 mijë eurosh, me qëllim që klubet të përfitojnë më shumë para nga e drejta TV. Kështu ndodhi edhe në kontratën e nënshkruar tri vite më parë, ku kompania ofroi 340 mijë euro dhe 300 mijë euro i shtoi federata me qëllim që t’u jepte një ndihmë klubeve.
Kartonët e verdhë
Klubet dëshirojnë që të rritet nga tre në pesë numri i kartonëve të verdhë dhe më pas lojtari të mungojë një ndeshje. Në këtë pikë anëtarët e KE-së mësohet se kanë shprehur pakënaqësi, por gjithsesi as kjo pikë nuk është diskutuar në detaje. Pritet më parë një konsultë me specialistë të rregulloreve dhe me përfaqësues të klubeve për ta diskutuar më gjerësisht këtë çështje. Klubet pretendojnë se kështu privohen shpesh nga lojtarët kryesorë dhe të superpaguar, por ndërkohë FSHF i mëshon faktit se kështu minimizon sjelljet antisportive në fushë.

Sezoni i ri fillon më 1 shtator
Në mbledhjen e djeshme, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka marrë informacion, ka diskutuar dhe ka orientuar kalendarin e kampionateve kombëtare, kalendarin vjetor të grumbullimeve për ekipet përfaqësuese. Burime zyrtare bënë të ditur se Komiteti ka miratuar kërkesën e sektorit të garave që sezoni i ardhshëm futbollistik për Kategorinë Superiore dhe për Kategorinë e Parë të nisë më 1 shtator. KE-ja ka marrë informacion për procedurat e licencimit të stadiumeve dhe klubeve përkatëse, pasi janë shkelur thuajse të gjitha afatet.

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.