Postuar me: 10:27 05-06-2012

Të përndjekurit, radha si ndahet dëmshpërblimi

Shperndaje
Etiketat

Përfitimi i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë po bëhet sipas një rendi kronologjik të miratimit të dosjeve. Aktualisht, nga tri kategori që vlerëson Ministria e Financave për kategori të ndryshme, numri i kësteve të tërhequra varion, por ka edhe nga ata që nuk kanë marrë ende këstin e parë. Ministria e Financave sqaron procedurën që po ndiqet për shpërndarjen e parave dhe mënyrën se si përcaktohet radha. Më herët përfituesit e parë ishin ata mbi 85 vjeç, të cilët paratë i përfituan në dy këste. Për pjesën tjetër të ish-të përndjekurve ndarja e parave do të vijojë të mbetet me tetë këste të barabarta, sipas shumës që përfitojnë.
Kategoria mbi 65 veç
Kategoria që aktualisht po trajtohet me këstin e dytë është ajo e të dënuarve politikë që jetojnë dhe që janë mbi 65 vjeç. “Pagesa e këstit të dytë ka filluar për ish-të dënuarit me moshë mbi 65 vjeç e që jetojnë, dhe do të bëhet me radhë sipas pagesës së këstit të parë të kësaj kategorie. Pra, pagesa e këstit të dytë ka filluar nga pagesa numër një e pagesës së këstit të parë e në vazhdim, duke kaluar radhën e pagesës së këstit të parë të kategorisë tjetër (nën 65 vjeç dhe me trashëgimtarë)”, vlerësojnë Financat. Ashtu sikurse më herët është kërkuar nga Ministria e Financave, pranë drejtorisë përkatëse brenda saj, duhet dorëzuar një certifikatë personale e ish-të përndjekurit, që të jetë jo më e hershme se 26 marsi i këtij viti. Pasi të jetë dorëzuar kjo certifikatë dhe duke vlerësuar edhe radhën kronologjike të pagesës së parë, qytetari përfiton pagesën e këstit të dytë.
Kush e merr këstin e dytë
Ka një kategori ish-të dënuar politikë që janë mbi 65 vjeç, por që nuk kanë përfituar akoma asnjë këst dëmshpërblimi. Kjo kategori është ajo që deri tani mund të ketë pasur mungesë dokumentacioni apo miratim me vonesë të dëmshpërblimit. Por, nga ana e Ministrisë së Financave saktësohet se përfitimi i këstit të tyre të parë do të bëhet shumë shpejt. Këstin e dytë e përfiton edhe kategoria tjetër, ata që jetojnë dhe janë në moshë nën 65 vjeç, si dhe trashëgimtarë ligjorë të ish-të dënuarve që nuk jetojnë. Ministria e Financave vlerëson se përfundimi i pagesave respektive për një kategori të caktuara hap rrugën për pagesë të kësteve të reja për kategorinë e radhës. “Bëjmë me dije se pagesa e këstit të dytë për ish-të dënuarit me moshë mbi 65 vjeç dhe që jetojnë do të bëhet për një kohë shumë të shpejtë, duke mos ndërprerë për asnjë çast pagesën e këstit të parë, akoma të papaguar. Më pas do të vijojmë me pagesën e këstit të dytë të ish-të dënuarve që jetojnë me moshë nën 65 vjeç dhe trashëgimtarëve ligjorë”, shprehen Financat. Nga ana tjetër, kjo ministri thekson se asnjë ish-i dënuar nuk mund të paguhet jashtë mekanizimit të përcaktuar ligjërisht. Pra kjo do të thotë që miratimi i dosjeve është kriteri parësor i përfitimit të dëmshpërblimit dhe me të kaluar këtë provë, marrja e parave do të varet nga kategoria ku ish-i dënuari politik futet.
Statistika
Qeveria deri tani ka miratuar rreth 22 vendime që kanë të bëjnë me ish-të përndjekurit politikë. Nga këto, sipas të dhënave rezulton se vendimet e miratuara përfshijnë gati 11 261 dosje ish-të dënuarish që përfitojnë dëmshpërblim sipas ligjeve në fuqi. Ministria e Financave është institucioni që merret me pagesat sipas listave që paraprakisht kanë kaluar nga Ministria e Drejtësisë. Për këstin e parë, në zbatim të vendimeve të qeverisë, janë bërë 264 listë-pagesa. Dëmshpërblimi për ish-të dënuarit politikë filloi në vitin 2009 dhe në muajin mars u bë edhe pagesa e kësteve të para për dosjet e miratuara në fillim.

Radha me të cilën Ministria e Financave po shpërndan paratë
.    Këstin e parë për ata që nuk janë paguar deri tani për arsye të mungesës së dokumentacionit të plotë apo miratimit me vonesë të dëmshpërblimit.

.    Këstin e dytë për ish-të dënuarit politikë që jetojnë dhe kanë moshë mbi 65 vjeç.

.    Këstin e dytë për ish-të dënuarit politikë që jetojnë dhe kanë moshë nën
65 vjeç, si dhe trashëgimtarët ligjorë të ish-të dënuarve që nuk jetojnë.

Dokumentet
Ministria e Financave ka kërkuar që për të gjithë kategorinë e ish-të përndjekurve mbi 65 vjeç që janë gjallë, të paraqitet një certifikatë pranë saj në mënyrë që të përfitohet kësti i dytë. Kurse për një kategori tjetër, si ajo nën 65 vjeç që jetojnë dhe për trashëgimtarët ligjorë të ish-të përndjekurve që nuk jetojnë më, kërkohet që të sqarohet statusi i tyre për çdo ndryshim që mund të ketë ndodhur. “Të gjithë ish-të dënuarit politikë dhe trashëgimtarët ligjorë të cilëve u ka ndryshuar gjendja civile (kur ish-i dënuari apo njëri nga trashëgimtarët ka vdekur), për pagesën e këstit të dytë duhet të dorëzojnë dokumentacionin ligjor shtesë”, thekson Ministria e Financave në njoftimin e saj për vijimin e radhës së kësteve respektive të secilës kategori.

burimi :PANORAMA

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.