Postuar me: 11:34 13-06-2012

Thirrja e shefes së FMN-së: Mos shpërbëni eurozonën

Shperndaje
Etiketat

Deklarata 

Konflikti mes vendeve të forta dhe të dobëta në eurozonë shkallëzohet. Shefja e FMN-së, Lagarde, frikësohet nga rikthimi në shtetet e vogla dhe bën apel të mos hiqet dorë nga projekti Europë. Për të nevojitet një “Vizion”. Integrimin e eurozonës drejtoresha e FMN-së, Lagarde, nuk e sheh aspak vetëm si një çështje të monedhës së përbashkët, por edhe si çështje të lartë politike, madje edhe historike: “Projekti europian është i jashtëzakonshëm, do të thosha, nga perspektiva e të gjithë njerëzimit. Kombet, që për shekuj me radhë kanë zhvilluar luftëra të përgjakshme kundër njëri-tjetrit, vendosën të jenë së bashku më shumë se shtete të veçuara”, tha shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, në një intervistë me “Süddeutsche Zeitung”. Ajo shton në mënyrë paralajmëruese se politikanët, nën presionin e zgjedhjeve, mund t’u nënshtrohen gjithnjë e më shumë interesave afatshkurtra dhe kështu rritet “dëshira për sovranitetin kombëtar”. Por ajo që nevojitet, është përkundrazi më shumë unitet në krizë dhe jo vetëm në politikën fiskale dhe bankare. Përpjekjet për të ruajtur euron deri tani janë minuar nga “pasiguria dhe dyshimi lidhur me vizionin afatgjatë të politikanëve.” Në krizën financiare, shefja e FMN-së kërkon, ndër të tjera, një pakt për zgjidhjen e borxhit, siç e ka iniciuar këshilli ekonomik i “pesë të diturve” në Gjermani.

Sipas tyre, borxhet shtetërore të vendeve të eurozonës, që janë më shumë se 60 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, duhet të garantohen nga të gjithë. “Këtë model duhet ta shikojmë më nga afër”, tha Lagarde në “Süddeutsche Zeitung”, ndryshe nga qeveria gjermane, e cila nuk dëshiron të marrë përsipër rreziqe të tjera. Pakti për shlyerjen e borxheve do t’u jepte të paktën tregjeve financiare një “sinjal të qartë”, se “Europa është një projekt i përbashkët dhe anëtarët e saj duan t’i përmbahen këtij projekti”, shpreson Lagarde.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.