Postuar me: 10:21 13-06-2012

Tiranë, policia hap zjarr mes njerëzve

Shperndaje
Etiketat

Terror te “Komuna e Parisit”. Arrestohet në flagrancë një grabitës, shpëtojnë dy

Terror në lagjen më të populluar të Tiranës. Një oficer policie ka zbrazur gjithë karikatorin e pistoletës dje, rreth orës 14:00, në Tiranën e Re, në përpjekje për të ndaluar tre grabitës të cilët sapo kishin dalë nga një banesë.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Lulishtja”, në zonën që për shkak të emrit të rrugës, tashmë njihet si “Komuna e Parisit”. Dëshmitarët thanë se duzinë policësh, të njoftuar për një grabitje banese, kanë mbërritur me shpejtësi në këtë lagje të re të kryeqytetit dhe janë vënë në ndjekje të tre grabitësve, që po dilnin nga njëri prej pallateve shumëkatësh me çanta në duar.

Të paktën njëri nga punonjësit e policisë, i cili është ndodhur pranë njërit prej grabitësve, ka nxjerrë pistoletën dhe ka shtënë disa herë në ajër, duke terrorizuar qytetarët e shumtë që ndodheshin në lulishte. Një prej dëshmitarëve okularë tregoi dje se “njëri prej policëve nxori armën dhe shtiu shtatë herë në ajër”.

Dëshmitarë të tjerë tregojnë se nuk e kuptuan menjëherë se bëhej fjalë për një aksion policor, pasi disa prej personave me armë në duar ishin me veshje civile. Dëshmitarët kanë dëgjuar krisma, kanë parë disa të rinj që vraponin dhe të tjerë që i ndiqnin nga pas me pistoleta dhe vetëm kur situata është qetësuar kanë kuptuar se nuk kishte ndodhur një betejë mes bandash, por ishte një operacion policor.

Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, forcat e policisë kanë arritur të arrestojnë një nga personat e dyshuar për grabitjen e një banese, si dhe kanë sekuestruar një çantë në të cilën ndodheshin sendet e vjedhura.

Deri në mbrëmje vonë, Policia e Tiranës nuk dha sqarime për operacionin dhe nuk sqaroi përse punonjësit e policisë përdorën armët e zjarrit në një zonë shumë të populluar, siç është “Komuna e Parisit” dhe në mes të ditës.

Një incident i ngjashëm ndodhi dy javë më parë në një tjetër zonë të populluar të Tiranës, në kryqëzimin e bulevardit “Bajram Curri” me rrugën “Sami Frashëri”. Në këtë vend, një oficer policie shtiu dy herë në ajër me pistoletë, në përpjekje për të ndaluar tre të rinj, të cilët nuk i ishin bindur një postblloku policie në rrugë. Edhe në këtë rast, policët arritën të kapnin vetëm një nga tre personat që ndodheshin në makinën e dyshimtë.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.