Postuar me: 8:06 09-06-2012

Tragjedia e Himarës, “Lekët e qeverisë nuk na i rikthejnë fëmijët”

Shperndaje
Etiketat

TIRANE-Lekët që qeveria ka akorduar për familjet e vajzave që humbën jetën në aksidentin e Himarës, nuk do t’i rikthejnë ato në jetë. Madje do t’i paguaja unë vetë nga xhepi im, të gjitha, për të gjitha familjet, vetëm që t’i shikoja të gjitha edhe një herë në jetë, vetëm se kjo është e paarritshme”.

Ky ka qenë reagimi i babait të studentes 22–vjeçare, Dorina Stafa, e cila humbi jetën në tragjedinë e 21 majit, pas Vendimit të Këshillit të Ministrave për dhënien e ndihmës financiare për familjet e vajzave që humbën jetën në aksident. Prej një jave, ai po mundohet t’i rikthehet jetës së përditshme dhe ka zgjedhur të vazhdojë punën që bën normalisht, edhe pse siç shprehet vetë, “dhimbja është një plagë në zemër që nuk do shërohet kurrë”. Hasan Stafën e gjejmë në zyrën e tij të përhershme, ndërsa vendos të ndajë me ne përjetimet e pasngjarjes. Mundohet të përmbahet, por dhimbja që përcjell është e thellë. Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, ai e ka një kauzë, për të cilën është i vendosur të luftojë. Është i vendosur për të nxjerrë të vërtetën deri në fund, e për të mësuar shkaqet reale të aksidentit që i mori jetën vajzës së vet e shoqeve të saj. Sipas tij, kjo nuk do ta kthejë në jetë Dorinën, por në një farë mënyre do të lehtësojë shpirtrat e brengosur të çdo prindi. “Mund të them se angazhimi i qeverisë ishte maksimal pas ndodhjes së ngjarjes, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Funksioni i saj është që të parandalojë këto fatkeqësi e jo të angazhohet pas ndodhjes së tyre. Për të fajësuar një të vdekur, i cili nuk e ka të drejtën e fjalës ( shoferin ) është shumë e thjeshtë. Unë mendoj se ky është një mundim për ta hedhur fajin tjetërkund. Personalisht e shoh fajin tek autobusi. Pse duhet të lihet në qarkullim një autobus i vjetër, 30– vjeçar? Si mund të licencohet një kompani udhëtimesh, e cila nuk ka një kontratë të rregullt me shoferin, një kompani që nuk i ka bërë atij qoftë edhe një kontroll mjekësor. Pastaj, Kontrolli Teknik, që pretendohet se i është bërë autobusit, si e ka lejuar këtë automjet që vijojë të jetë në qarkullim? Nuk mund të na gënjejnë për fajtorin, por unë edhe për vetë punën që bëj (drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit) do t’i shkoj deri në fund, deri sa të dalë realisht, kush ishin shkaktarët e aksidentit, madje do të kërkoj edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve për këtë çështje”, – shprehet Hasani, ndërsa transmeton një vendosmëri për gjithçka thotë.
Qeveria
Me një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili mban datën 7 qershor, buxhetit të vitit 2012 iu shtua një fond i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, në programin buxhetor prej 25 118 000 (njëzet e pesë milionë e njëqind e tetëmbëdhjetë mijë) lekësh, si ndihmë financiare për familjet e viktimave dhe të mbijetuarve të aksidentit rrugor, të datës 21 maj, në vendin e quajtur Vishë të Himarës. Familjeve të viktimave, do t’u jepet shuma 1 milion lekë për çdo viktimë.

Burimi: (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.