Postuar me: 10:49 12-06-2012

Tregjet skandaloze të kryeqytetit

Shperndaje
Etiketat

Edhe pse në Tiranë po ndërtohen tregje të reja e moderne, sërish, si tregtarët ashtu edhe blerësit, preferojnë të shesin dhe të shkarkojnë arkat me fruta e perime nëpër trotuare, mes pluhurit e baltës. Pse ndodh kjo? Disa blerës preferojnë të bëjnë pazar sa më afër shtëpisë, disa tregtarë shesin në rrugë, pasi vendet e caktuara nga bashkia për të tregtuar janë larg qendrave të banuara. Paralajmërimet verbale të punonjësve të njësive bashkiake në Tiranë nuk kanë mundur t’i lëvizin tregtarët nga rrugët e brendshme të lagjeve, për të kaluar në vendin e caktuar për zhvillimin e aktivitetit të tyre. Çdo ditë sheh të rreshtuar tregtarë të ndryshëm, si dhe mallrat e tyre, të cilat tregtohen në kushte absolutisht të papërshtatshme higjieno-sanitare.

Të pyetur nga “Fiks Fare” se cila është arsyeja që edhe pas shumë paralajmërimeve nga policia bashkiake këta tregtarë gjenden në trotuare, ata tregojnë se atje ku u kanë caktuar tregun e ri, nuk u shkon asnjë për të blerë mallin e tyre, pasi njerëzit janë mësuar në këto kushte. Por krahas këtyre tregtarëve që shesin në rrugë, ka edhe tregtarë të cilët paguajnë rregullisht taksat dhe punojnë në kushte të vështira. Detyrohen të marrin ilegalisht energjinë elektrike nga shtyllat e ndriçimit në rrugë për të siguruar energjinë elektrike për peshoret e tyre.

Ndërkohë, tregtarët që janë zhvendosur në tregun e ri në lagjen Laprakë në Tiranë janë të pakënaqur nga kushtet. Njësia bashkiake nuk u ka siguruar as ujë, as energji elektrike. Ata refuzojnë të paguajnë taksat, pasi kushtet në këtë treg lënë shumë për të dëshiruar. Atje ku shiten fruta, perime, shiten edhe rroba të përdorura. Kryetari i njësisë bashkiake nr. 11 të Tiranës, z. Haki Mustafa, pranoi në një intervistë për “Fiks Fare” se është në dijeni të gjendjes së këtij tregu. Arsyeja e mungesës së kushteve higjienike, sipas tij, është rritja e numrit të tregtarëve. “Tregu është parashikuar për një numër më të vogël tregtarësh dhe duhet të krijohen hapësira të reja për tregtim. Ne kemi bërë një kërkesë në Bashkinë e Tiranës për të ndarë tregun e fruta-perimeve nga tregu i mallrave me shumicë dhe me pakicë”, shtoi kryetari i njësisë bashkiake nr. 11.

Ndërsa kryetarja e njësisë bashkiake nr. 1, znj. Lindita Nikolla, ndodhet e pafuqishme përpara tregtarëve, të cilët preferojnë të shesin jashtë çdo standardi në mes të rrugës dhe nuk shkojnë në tregun e ri. Që nga shtatori 2011, tregu që ndodhet në këtë njësi bashkiake ka dalë jashtë funksionit, pasi tregtarët nuk e frekuentojnë. Më 23 shtator 2011, kryetarja e kësaj njësie bashkiake i është drejtuar me një shkresë zyrtare Bashkisë së Tiranës, ku i kërkonte që nëpërmjet policisë bashkiake të ndërhyjë për të mundësuar vënien në funksion të tregut të ri. Drejtoria e tregjeve i ka kthyer një përgjigje kryetares, se kjo drejtori nuk mund të merret me këtë problem, pasi ata menaxhojnë tregjet që janë në funksion.

Kryetari i njësisë bashkiake nr. 2 të Tiranës, z. Elez Gjozaj, pranon ekzistencën e një tregu informal, në njësinë bashkiake që ai drejton. Edhe kryetari i njësisë bashkiake nr. 6 në Tiranë, z. Krenar Canollari, ka kërkuar ndihmë nga Bashkia e Tiranës, për të përmirësuar kushtet e tregut të Kombinatit. Ndërsa kryetari i njësisë bashkiake nr. 3 të Tiranës, z. Ilir Kokona, tregoi për “Fiks Fare” se ka pesë vjet që kërkon vazhdimisht në Bashkinë e Tiranë miratimin e një fondi për ndërtimin e një tregu të ri.

Të gjitha problemet e tregjeve në kryeqytet, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edmond Panariti, i konsideron probleme të njohura për ta, por të mbartura nga e kaluara.

12.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.