Postuar me: 7:36 09-06-2012

Universitetet private dhe publikja që s’e kemi ndërtuar

Shperndaje
Etiketat

FATOS LUBONJA . Njëzet e një vjet prej kohës kur studentët dolën me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nëse një student shqiptar aplikon për punë në një vend europian me diplomë shqiptare, kjo nuk i njihet. Pra, një brezi të tërë, që ka lindur në atë kohë, i duhet, njëlloj si brezit të komunizmit, të fillojë nga e para apo të japë provime shtesë – dhe thuhet se shanset i ka më të pakta se brezi i komunizmit. Pas skandalit me diplomën e shitur Renzo Bossi-t, kjo perspektivë bëhet edhe më e errët. Ndërkaq, paradoksalisht, askush nuk e vë re këtë dështim dramatik, përkundrazi, dëgjojmë hosanara për gjendjen e arsimit tonë të lartë. Një pjesë, me në krye Henri Çilin, kërkojnë të na e rrisin optimizmin duke iu referuar universiteteve private si rruga për t’u bërë “europianë”, siç sugjeron edhe emri i universitetit të tij. Mendimi im është se me universitetet private vështirësitë e mirarsimimit të shqiptarëve nuk po zgjidhen, por po thellohen. Le të përpiqem ta argumentoj qëndrimin tim.
Së pari, më duhet të them se thelbi i kritikës sime kundër arsimit privat qëndron në atë se e drejta e arsimimit është një e drejtë themelore e njeriut. Sipas këtij vizioni, në të cilin besoj thellësisht, qoftë edhe vetëm duke parë, “sipërfaqësisht”, se sa të bukur janë të gjithë fëmijët e kësaj bote, shkollimi i fëmijëve është një punë publike që nuk duhet bërë kurrsesi në frymën e përfitimit material dhe aq më pak të atij afatshkurtër, por me frymën e shërbimit ndaj të gjithë fëmijëve, në emër të një përfitimi shumë më afatgjatë dhe jo vetëm material. Sepse, asgjë më shumë se sa shkolla nuk kultivon sot, krahas çlirimit të njeriut nga burgu i padijes, edhe  ndjenja e vlera të tilla si ato të kohezionit social, të solidaritetit, të kontinuitetit të jetës së një shoqërie, të një kulture e të një historie të përbashkët që hapen ndaj kulturave të tjera. Dhe, sipas këtij vizioni, ashtu si një familje sakrifikon shumëçka për të shkolluar e edukuar fëmijët e vet, ashtu edhe një shoqëri, si një familje e madhe, duhet të kujdeset për të gjithë fëmijët e vet. Nisur nga ky vizion, gjykoj se trajtimi i arsimit si një çështje përfitimi privat, siç po ndodh sot te ne jo vetëm në shkollat private e që lidhet ngushtë edhe me polarizimin e shoqërisë, po e varfëron dita-ditës shoqërinë tonë, sa duke bjerrë vlerën e arsimimit, aq edhe duke lenë jashtë mundësive të shkollimit shumë fëmijë, ndër të cilët mund të ketë edhe shumë talente të rralla.
Kundër këtij argumenti vlen të diskutohet vetëm me ata sipas të cilëve privatja dhe publikja nuk janë në kontradiktë me njëra-tjetrën, por se një privat që punon mirë për interesin e tij mund të jetë, pikërisht për këtë, i dobishëm edhe për shoqërinë. Së pari, u kujtoj këtyre se, përsa i përket arsimimit, edhe në vendin e kultit të iniciativës së lirë private, SHBA, të cilave ata u referohen aq shumë, universitetet nuk punojnë për interes privat, por janë “non profit” dhe se madje, përkundrazi, janë privatët që derdhin para në to në formë filantropie ose lehtësimi barre fiskale, ndërkohë që studentët paguajnë jo për të mbushur xhepat e ndoca individëve, por pasi këto universitete i paguajnë shumë mirë pedagogët, kanë investime të mëdha për kërkime shkencore, për rinovime të laboratorëve etj., etj. Së dyti, u shtroj atyre pyetjen: a mund të flitet për privatë filantropë në kapitalizmin e ri shqiptar, ndërkohë që shohim se edhe në botën e kapitalizmit të të drejtave të njeriut po e përjetojmë jo pak, madje edhe në formë dramatike, thënien e Krishti se “është më lehtë të kalojë një deve në vrimën e gjilpërës, sesa një i pasur të hyjë në mbretërinë e qiellit”?
* * *
Në këtë pikë më duket se vlen të them dy fjalë për atë që e cilësova “publike”, duke iu referuar si regjimit komunist, edhe sistemit të sotëm, pasi, sipas meje, ka shumë keqkuptim kur pretendohet se privatja e sotme është e kundërta e “shtetërores” së regjimit të djeshëm.  “Shtetërorja” e komunizmit nuk ka qenë publike, por formë e sundimit të një bande që e përdorte ekonominë shtetërore dhe arsimin shtetëror për interesin e pushtetit dhe të mirëqenies së vet, paçka se kjo nuk ndodhte në formën e vënies së pasurive private të trashëgueshme. Po ashtu, përvoja e këtyre njëzet vjetëve nën sundimin e më të këqijve të komunistëve, atyre të kthyer në antikomunistë, na ka treguar se “publikja” që ata duhet të menaxhojnë, jo vetëm trajtohet si “shtetërorja” e djeshme, por, e shartuar me privaten, nëpërmjet korrupsionit, ajo është vënë kryekëput në funksion të pasurimit të një grupi njerëzish dhe në dëm të interesit publik. Në thelb, pra, nuk kemi kontradiktë, përkundrazi, kemi të bëjmë me vazhdimësi, më saktë me dy ekstreme që puqen, ku arsimi është vetëm një nga aspektet. Sigurisht sistemi që kemi ndërtuar ka edhe “zbutjet” e veta, veçanërisht kur vjen puna për karakterin totalitar të sistemit të djeshëm, sepse ky i sotmi, sikurse e kam thënë edhe në shkrimin paraardhës, e lejon shumë më tepër kritikën ndaj tij në favor të publikes, por, sipas meje, gjithë duke mbetur thellësisht antipublik.
Ilustrimi më i mirë i vazhdimësisë së antipublikes edhe në sistemin e sotëm janë politikat dhe ekonomitë piramidale që janë ndërtuar në Shqipëri gjatë këtyre njëzet vjetëve. Me ekonomi piramidale kam parasysh atë çka përjetuam në mënyrën më të dukshme me piramidat e ‘97-s: së pari, mashtrimin e publikut nga një grusht individësh me premtimin e zgjidhjes së një nevoje bazike për ta; së dyti, faktin se mashtrimi nuk zbulohet dot nga shteti, nga mediat, nga opozita, pasi ato janë pjesë e këtij mashtrimi; së treti, faktin se vjen një moment kur mashtrimi akumulon aq të keqe saqë kjo shpërthen me pasoja dramatike për gjithë shoqërinë. A nuk ishte kështu edhe piramida e madhe e 45 viteve komunizëm: një mashtrim i madh i bazuar në premtimin se do të hamë me lugë floriri, që përfundoi me eksodin dramatik të shqiptarëve më 1990-1991? Piramidat e sotme, pra, ndryshe nga ç’mendohet pa u thelluar, e kanë mëmën e tyre te piramida e madhe 45-vjeçare e komunizmit dhe te antropologjia e njeriut të edukuar në atë regjim. Pjella e parë e kësaj mëme të madhe qenë piramidat financiare të ‘97-s për dëmin e së cilave nuk është nevoja të flas. Pjella e dytë është industria e ndërtimit, që u zhvillua veçanërisht në epokën e socialistëve në pushtet. Një pjellë e tretë e rëndësishme, sipas meje, janë universitetet private. Le të them dy fjalë për dy të fundit.
Piramidat e ndërtimit, që ende s’kanë falimentuar, por janë në krizë të thellë, vërtet zgjidhën një pjesë të nevojave të shqiptarëve për strehim, – mashtrimi bazohet gjithnjë mbi një nevojë bazike të njerëzve – por ama ua zhvleftësuan shumë shpejt atyre investimin e bërë. Dhe kjo jo vetëm pse u zunë ajrin, dritën e diellin me dendësinë e paparë të ndërtimeve, jo vetëm pse i sollën një dëm katastrofik shtëpisë së tyre të madhe në kuptimin e shkatërrimit të territorit, peizazhit, natyrës, trashëgimisë kulturore, por edhe pse zhvilluan një ekonomi krejtësisht njëdimensionale, që, me fundin e saj, e ka venë në rrezik vendin me projektin piramidal numër katër të Sali Berishës, i cili, përballë nevojës së pangishme për pushtet dhe për para, ka zgjedhur t’ia falë Shqipërinë çdo privati që kërkon të hapë fabrika çimentoje, të digëzojë lumenjtë shqiptarë, të sjellë plehra për të djegur, të krijojë petrolifera gjigante, parqe industriale etj., me pasoja të pallogaritshme për ambientin dhe cilësinë e jetës së shqiptarëve në terma afatgjata.
Universitetet private janë në thelb pjella e tretë në lulëzim e sistemit piramidal. Këtë ta sugjeron pikërisht fakti se ndërkohë që ato pretendojnë se po u përgjigjen një nevoje bazike të njerëzve, arsimimit të fëmijëve të tyre, e  ndërkohë që prodhojnë një mall skarco, lehtësisht të verifikueshëm edhe “me sy të lirë”, ato, ashtu si industria e ndërtimit, po shoqërohen me lulëzimin e mediave si instrumenti i kapjes së elitës intelektuale të gazetarisë e të pushtetit politik gjithashtu. Aktiviteti transversal i Çilit si pronar biznesi universitar, pronar i mediave të këtij biznesi, si lobues i fuqishëm në fushatat elektorale të politikanëve, por edhe si gazetar dhe anëtar bordesh të shoqërisë civile e këshilltar shtetëror, është ilustrimi më i mirë i këtij sistemi.
* * *
Kjo është analiza ime. Ka plot që e ndajnë këtë analizë, madje edhe Çili flet për nevojën e ndryshimeve të rëndësishme, por cila është rrugëdalja? Sipas pronarëve të universiteteve private, që pretendojnë se janë “ndryshe” nga ata që janë më të mëdhenjtë, mekanizmi i normalizimit është “tregu, i cili nuk mund të dështojë, – thotë Çili, – as tek universitetet”, pasi “tashmë e ka treguar veten”. Sipas tyre, nëpërmjet seleksionimit, njerëzit do të dinë të dallojnë të mirën nga e keqja dhe do të bëjnë kështu të mbijetojnë më të mirët, a thua se tregu ynë është nga ata ku lulëzon konkurrenca e lirë dhe universitet qenkan si restorantet, ku, pasi shkon dy herë dhe s’të pëlqen gjella, largohesh.
Për mua në idenë se “tregu nuk mund të dështojë” ka dy probleme të rëndësishme: njëri botëror dhe tjetri specifik shqiptar. I pari ka të bëjë me fetishizimin e tregut.  Veçanërisht kriza e sotme po tregon pikërisht të kundërtën: se tregu financiar e ka futur botën në një humnerë nga e cila nuk dihet se si do të dalë mu pse ai, duke u fetishizuar, është bërë i pakontrollueshëm, më i rëndësishëm edhe se vetë demokracia dhe vetë jeta reale e njerëzve.
Por le të shohim çka ndodhur këta njëzet vjet me tregun tonë “të lirë” edhe nëpërmjet këtij fetishizimi. Po t’u referohemi piramidave të para, që u trumbetuan nga Sali Berisha si zhvillim i madh i ekonomisë së tregut, do të shohim se në rrugën e tyre drejt dështimit ato më të mëdhatë, si VEFA dhe Gjallica, i hëngrën ato të voglat, duke rritur përqindjen e parave që jepnin, mu sepse, duke pasur edhe më shumë lekë dhe lidhje me politikën, kishin edhe më shumë mundësi të tërhiqnin/mashtronin njerëzit. Po ashtu, s’mund të thuash kurrsesi se tregu ynë e ndaloi në kohën e duhur industrinë e ndërtimit. Mjaft të shikosh dëmin që është bërë tashmë. Edhe përsa u përket universiteteve tona private (pa përjashtuar ato shtetërore), dëmi që po shkaktohet është katastrofik dhe jo aq për shkak të boshatisjes më kot të xhepave të qytetarëve, por në kuptimin e dëmit mbi kapitalin njerëzor, pasi po mbushet vendi me injorantë dhe të paaftë. Dhe ndërkaq nuk duket asnjë shenjë seleksionimi nga tregu, përkundrazi. Kujtoj se skandali “Bossi” doli nga Italia në një kohë kur të tjera universitete po çelnin lulet e para. Shkaku është i qartë, sepse kjo ekonomi piramidale krijon strukturat e veta për të mbajtur veten në këmbë: kryesisht ato mediatike dhe politike. Përndryshe, Çili do të merrej me universitetin, s’kishte pse shpenzonte energji dhe para për media dhe fushata elektorale. Më thoni, a mund t’u bësh kritikën, të investigosh e denoncosh skandale në këto universitete kur këta kanë lidhje të forta me politikën, kanë në dorë thuajse krejt elitën intelektuale e të gazetarisë së vendit, madje kanë kapur me strukturat e tyre edhe Drejtësinë e Prokurorinë, kur edhe vetë kandidati për President, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, është senior pedagog në universitetin e Çilit së bashku me Argita Berishën, d.m.th. të bijën e Kryeministrit? A mund të mendohet se njerëz që kanë kapur apo do të kenë kapur nesër majat e pushtetit dhe të administratës me diploma koti apo deri të blera të mund të heqin dorë nga pushteti? Aq sa ç’hoqën dorë partizanët e zbritur nga malet në piramidën e parë. Jo, nëse duam të evitojmë më të keqen, duhet të lëvizet sa më parë që të ndryshohet kjo gjendje.
* * *
Zgjidhja ime për arsimin e lartë është po ajo që kam propozuar prej kohësh kur i kam bërë kritikën gjendjes së mediave private që, në thelb, janë pjesë e të njëjtit sistem. Ne kemi nevojë të ndërtojmë publiken – them ta ndërtojmë sepse nuk e kemi pasur asnjëherë – dhe të ndërtojmë, po ashtu, privaten që respekton rregullat e konkurrencës së ndershme në një treg të lirë. Pra, nuk jam kundër privates në përgjithësi, siç më akuzon Çili, por jam kundër një privateje që është antipublike. Kurse përsa i përket arsimit në veçanti, e ritheksoj se privatja që kundërshtoj është ajo që sistemin e arsimit e konsideron si një sistem fitimprurës për privatin. Sepse, duke ia nënshtruar arsimin vetëm nevojës se klientit për diplomë dhe jo nevojës se publikes për të pasur se pari qytetarë me një bagazh të konsoliduar dijesh, sidomos për vende pa treg të specializuar pune si Shqipëria, fitimprurësi rezulton katastrofik sepse prodhon injorancë. (Këtu vlen të vë në dukje se edhe për sistemin “non profit” të universiteteve private amerikane ka mjaft kritika. Ai akuzohet se po çon drejt një bombe ekonomike, pasi studentët janë në borxhe deri në grykë, pasi, duke mos qenë në gjendje të paguajnë koston e shkollës, ata marrin kredi. Kjo do të thotë që këta dalin në jetë me një barrë borxhesh, çka ua ndrydh lirinë edhe atë për të kundërshtuar, edhe atë për të ndjekur ëndrrat e tyre, pasi më së pari duhet të lajnë borxhet.)
Por le të kthehemi te publikja. Ndërtimi i saj nuk mund të kryhet pa zgjidhur problemin e problemeve; konfliktin e interesit midis shërbimit publik dhe interesit privat që bën që publikja, që nënkupton kryekreje punën e politikanëve, gazetarëve, mësuesve, të tjetërsohet në antipublike dhe që privatja, në vend që të jetë në një drejtim me interesin publik, ta shkatërrojë dhe gërryejë përditë këtë interes.
Nuk mund të hyj këtu në detaje, por disa linja janë të qarta për këdo. E para është bërja transparente e konflikteve të interesave midis publikes dhe privates, dhe pastaj eliminimi i tyre. Nuk mund të pranohet që politikanët tanë të jenë njëherësh edhe menaxherë e kontrollorë të interesit publik, edhe pronarë apo sponsorë me para publike të bizneseve të tyre private, të kenë në dorë a nën kontroll edhe media private, të jenë të mbështetur edhe nga gazetarë e akademikë nëpërmjet universitetesh private, sikurse është modeli që mban më këmbë sistemin Çili. Këto interesa dhe pushtetet që burojnë prej tyre duhen ndarë, dhe ndarja duhet të synojë kryesisht krijimin e kushteve që politikanët, akademikët, intelektualët dhe gazetarët më së pari të kryejnë shërbimin publik sipas ndërgjegjes së tyre, pa qenë të shtrënguar ta deformojnë këtë nga presioni i interesave private, siç ndodh sot e gjithë ditën në vendin tonë. E për këtë mendoj se rruga më e shëndetshme në kushte tona specifike është ndërtimi i publikes së vërtetë. Pra, nëse ndërtojmë një arsim të lartë publik që ka në thelbin e vet idenë e shërbimit dhe jo përfitimit, atëherë, duke i hedhur paratë publike atje pa përjashtuar që studentët të paguajnë diçka, do të krijonim mundësi për të gjithë të shkollohen dhe njëherësh që akademikët e pedagogët të punojnë me dinjitet e të paguhen siç duhet, pa u qenë mirënjohës pazareve me politikën dhe pa punuar duke humbur dinjitetin personal dhe të profesionit duke arritur deri të firmosin diploma false. Do të arrinim po ashtu të evitonim që prindërit e studentëve tanë të paguajnë për gazeta e televizione që në vend që të bëjnë detyrën e informimit të tyre, bëjnë më së shumti atë të dizinformimit dhe manipulimit të tyre. Dhe nuk e pranoj argumentin: shih universitetin publik, shih Televizionin publik të Sali Berishës dhe pastaj fol kështu. Mendimi im është se nëse arrijmë të moralizojmë dhe demokratizojmë shtetin, arsimi publik ka shumë më tepër mundësi të kontrollohet në aktivitetin e vet si shërbim, dhe jo si përfitim, sesa privati. Sigurisht që të ndodhë kjo më së pari duhet të moralizohet dhe të demokratizohet politika, çka do të thotë të mos kemi në krye të politikës përfaqësuesit e interesave të këtyre piramidave. Ja pse flas për eliminimin e konfliktit të interesave. Por si mund të kryhet kjo ndërkohë që jemi në një situatë ku kapja e shtetit forcon sistemin piramidal dhe forcimi i sistemit rrit kapjen e shtetit aq sa sot gati s’mund të flasësh dot as për konflikt interesash, pasi, në fakt, ata për të cilët po flas i kanë grumbulluar në duart e tyre të gjitha interesat? Nuk është e lehtë t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje, ndërkohë që, për shumicën, kjo përgjigje është në rend të ditës dhe jo vetëm përsa i përket arsimit. Është i madh numri i atyre që thonë se tashmë i sëmuri është i pashërueshëm. Por, sipas thënies “më mirë vonë se kurrë”, nuk mund të mos ngulmosh se vendi ka nevojë për ndërgjegjësimin se në këtë rast na pret më e keqja, prandaj duhet të lëvizim. Kryeministri ynë e ka provuar njëherë rënien e piramidave, por vazhdon me kokëfortësi të njëjtën  formë qeverisjeje. Ndoshta mendon (me të keq) se “ndërgjegjësimi pa veprim nuk ndryshon asgjë” – siç citonte Obamën në shkrimin e botuar në gazetën amerikane “The Hill”. Por, po vjen koha, megjithatë, që ky ndërgjegjësim të sjellë prodhimin e një “evenimenti historik” si ai kur dolën studentët në rrugë me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Erërat që po fryjnë nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia sjellin pikërisht mesazhin e delegjitimimit të një klase politike që dukej e pazëvendësueshme dhe që sot po e sheh veten dita-ditës më në minorancë mu pse, në vend se të interesit publik, ka parë atë të vetin. “Eveniment historik” është një seri ngjarjesh të rëndësishme, të lidhura me njëra-tjetrën, që sjellin një transformimi të qëndrueshëm të strukturave”, thotë William Hamilton Sewell (Logics of History: Social Theory and Social Transformation). Që strukturat e ngritura këto njëzet vjet në këtë vendin tonë duhet të transformohen në emër të ndërtimin të strukturave që mbrojnë interesin publik, këtë e sheh edhe qorri. Se kur dhe si do të kalohet në veprim për të prodhuar “evenimentin historik”, këtë nuk di ta them saktësisht, por di të them se, që ky të jetë sa më mirëstrukturues dhe jo shkatërrues, nuk duhet të presim falimentimin total të piramidave, siç pritëm falimentimin e piramidave të ‘97-s; apo, aq më keq, të piramidës mëmë të premtimit se do të hanim me lugë floriri.

Burimi:Fatos Lubonja

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.