Postuar me: 11:48 16-06-2012

Universiteti i Shkodrës i korruptuar, 3 në 4 studentë i blejnë provimet

Shperndaje
Etiketat

Universiteti i Shkodrës ka realizuar një anketë, në të cilën shtrohen një tërësi pyetjesh lidhur me shqetësimet dhe ankesat që kanë studentët e këtij universiteti. Sipas përfundimeve të pyetësorit, korrupsioni në Universitetin “Luigj Gurakuqi” është në nivel mjaft të lartë, ku 3 në 4 studentë paguajnë pedagogët për të marrë provimet.

74% e studentëve i janë përgjigjur me po, pyetjes se, “a keni dhënë qoftë dhe vetëm njëherë para (lekë) për të marrë një lëndë”, pra thuajse 3 në 4 studentë kanë dhënë para për të blerë provimet. Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88%, ndërsa më të ulët e ka Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 58%.

Përsa i përket përmirësimit të kushteve në sallat dhe auditorët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, 67% e studentëve përgjigjen se kushtet nuk janë përmirësuar. Nga të gjashtë fakultetet e këtij universiteti, Fakulteti Ekonomik paraqitet më problematiku, ku 90% e studentëve të këtij fakulteti shprehen se kushtet nuk janë përmirësuar. Ky fakultet prej vitesh vuan mungesën e theksuar të mjediseve për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. Nga ana tjetër fakulteti që paraqitet më mirë është ai i Shkencave të Edukimit, ku 52% e studentëve, të cilit shprehen se kushtet janë përmirësuar. Sivjet në këtë fakultet janë realizuar disa investime në infrastrukturë.

40,3% e studentëve të Universitetit të Shkodrës shprehen se, media ka luajtur rol në uljen e korrupsionit. Në Fakultetin e Drejtësisë 82% e studentëve përgjigjen se media nuk ka luajtur rol në uljen e tij, ndërsa 54% e studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja përgjigjen se media ka luajtur rol të rëndësishëm në uljen e korrupsionit.

54,3% e studentëve përgjigjen se sekretaritë mësimore respektojnë oraret e tyre të punës. Në dy fakultete situata paraqitet më tepër problematike, në Fakultetin e Drejtësisë, ku 66% e studentëve shprehen se orari i punës nuk respektohet nga sekretaria mësimore dhe në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, ku 58% e studentëve të saj mendojnë po të njëjtën gjë. Situata paraqitet më e mirë në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, ku 68% e studentëve përgjigjen se respektohen oraret e punës nga sekretaria mësimore dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 64%.

Në pyetësor morën pjesë 300 studentë, 50 për secilin fakultet të USH-së. Pyetësori u realizua nga Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës.

16.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.