Postuar me: 9:36 11-06-2012

Vidhet kambana e “Kuvendit të Arbrit”

Shperndaje
Etiketat

Ndërsa në Fier lihen në harresë statujat e Apolonisë. Copëtohet një prej tyre.

I ka rezistuar pushtimit turk, dy luftërave botërore, sistemit komunist, vitit të mbrapshtë 1997, por nuk i ka rezistuar dot hajdutëve të kësaj kohe. Bëhet fjalë për kambanën e famshme të “Kuvendit të Arbrit” në Kallmet të Lezhës, e cila ka rënë pre e hajdutëve. Ky është fati i kishës së Mërqisë në Lezhë, në të cilën është mbajtur edhe Kuvendi i Arbrit i vitit 1703. Ndërsa një statujë e Apolonisë, e lënë në harresë, është copëtuar, pasi ka rënë në vendin ku ishte ekspozuar brenda territorit të manastirit.

Kambana

Kambana tërësisht prej bronzi dhe me një peshë prej afro 300 kilogramësh është çmontuar dhe është hedhur nga lartësia për t’u grabitur nga persona ende të paidentifikuar. Për nga vlerat dhe rëndësia e saj, kisha e Mërqisë në Komunën e Kallmetit në Lezhë është radhitur si një monument kulture që mbrohet nga shteti, por ruajtja e këtyre vlerave nga vjedhja ka qenë e pamundur. Policia është njoftuar nga banorët e zonës, të cilët nuk kanë ditur kujt t’ia vënë gishtin për këtë vjedhje të rëndë, ndërkohë që menjëherë kanë nisur kërkimet për gjetjen e saj. Burimet e Drejtorisë së Policisë së Lezhës bënë të ditur se ende nuk ka asnjë person të dyshuar për këtë grabitje, ndërkohë që bëhet e ditur se po vëzhgohen të gjitha pikat e grumbullimit të skrapit, pasi mendohet se ky do të jetë fati i kësaj kambane. Sipas të dhënave, uniformat blu kanë ushtruar kontrolle si në Lezhë, ashtu edhe në pika të ndryshme në Shkodër dhe në rrethinat e tjera. Gjithashtu, policia po heton kontingjentin e zonës për këtë vjedhje të rëndë, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe mundësia e trafikimit të kësaj kambane jashtë Shqipërisë.

Statuja

Ndërsa nga Fieri mësohet se është dëmtuar rëndë një prej statujave antike të qytetit të lashtë të Apolonisë, që gjenden të ekspozuara brenda territorit të manastirit që ndodhet në këtë park arkeologjik. Ndërkaq, rrezikohen edhe 22 statuja të tjera që ndodhen aty, të vendosura përkohësisht deri në një sistemim përfundimtar. Mësohet se statuja në fjalë është rrëzuar prej bazamentit ku ishte vendosur rreth dy vite më parë, mbrëmjen e të premtes, duke pësuar dëmtime të shumta. Gjatë përplasjes në tokë, ajo është copëtuar në disa pjesë. Specialistët dhe arkeologët të ekspeditës gjermano-shqiptare, që po vijojnë gërmimet në territorin e këtij parku janë alarmuar, duke ngritur shqetësimin e tyre për statujat e tjera. Arkeologu Bashkim Lahi është shprehur për mediat se statujat janë vendosur përkohësisht aty ku ndodhen, pas shembjes së portikut të katit të parë të ndërtesës së muzeut, duke qëndruar kështu në ambient të hapur. Ai pohoi se statujat po rrezikohen nga bazamentet e përkohshme prej dërrase ku janë mbështetur, të cilat kanë nisur të dëmtohen si pasojë e erozionit dhe kushteve atmosferike. Ai e cilësoi situatën alarmante dhe kërkoi urgjentisht që të merren masa për të evituar shkatërrimin e statujave mijëravjeçare. Ndërkaq, edhe drejtori i Parkut Arkeologjik, Marin Haxhimihali, ka pohuar se është njohur me rastin në fjalë dhe se po punon për të shpëtuar pjesën tjetër të statujave. “Ndonëse këto statuja nuk janë të regjistruara në fondin tonë, pra të parkut, por në atë të Institutit të Monumenteve, ne jemi vënë në lëvizje për të rehabilituar statujat. Në fakt ato duhet të rivihen shpejt te portiku, prandaj unë personalisht i kam kërkuar Ministrisë së Turizmit që të ndërhyjë për t’i ruajtur dhe mbrojtur këto vlera”, ka vijuar Haxhimihali. Të 23 statujat dhe shtatoret e zbuluara ndër vite në Apoloninë e lashtë prej dy vjetësh qëndrojnë në një hapësirë të hapur, jashtë të gjitha kushteve.

 

Burimi: Gazeta Shqip

 

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.