Postuar me: 7:11 18-06-2012

Vlorë, sekuestrohen 2 skafe dhe 600 kg kanabis sativa gati për t’u trafikuar në Itali

Policia e Vlorës ka njoftuar finalizimin me sukses të një operacioni antidrogë, në sajë të të cilit është arritur të sekuestrohet 600 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa si dhe 2 skafe me të cilët mendohej të trafikohej droga drejt Italisë. Policia gjithashtu ka arrestuar një 48-vjeçar, posedues i sasisë së madhe të drogës.

Si rezultat i operacionit të koduar “Eklipsi”, Strukturat e Luftës kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë në bashkëpunim me Shërbimet Operacionale të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Vlorë dhe Repartin DELTA, në vendin e quajtur ‘Rrugët e Bardha’, kanë bërë të mundur kapjen dhe sekuestrimin e një mjeti lundrues tip skaf me gjatësi 10 m, i pajisur me 3 motorë 300 kf (kuaj fuqi) secili, me depozitë karburanti të përshtatur për të marrë sasi të mëdha karburanti dhe lënde narkotike, me shpejtësi shumë të lartë lëvizjeje dhe qëndrueshmëri për det shumë të trazuar, njofton policia e Vlorës.

Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit operacion është bërë arrestimi në flagrancë, në zonën e Zvërnecit, i shtetasit  Novruz Shehu, 48 vjeç, banues në Zvërnec, në banesën e të cilit u gjet dhe sekuestrua, rreth 500 m nga bregu, një tjetër mjet lundrues tip gomone i pajisur me një motor 250 kf (kuaj fuqi) i mbushur me 600 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Sipas policisë së Vlorës, nga hetimet intensive të kryera nga Strukturat kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë, Qarku Vlorë në lidhje me këtë rast, dyshohet se lënda narkotike do të nxirrej nga brigjet shqiptare në det të hapur nëpërmjet gomones që ishte pajisur me një motor dhe aty ngarkesa do të transferohej tek skafi tjetër me tre motorë, me qëllim trafikimin e lëndës narkotike për në Itali, për llogari të një organizate kriminale italo-shqiptare.

Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Vlorës është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Novruz Shehu, sekuestrimi i dy skafeve dhe lëndës narkotike dhe vijojnë puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, Tiranë për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë rast trafikimi

17 qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.