Postuar me: 7:00 09-06-2012

Vrasja e palestinezit Rizik, hetohet “konkurrenca”

Shperndaje
Etiketat

TIRANE – Charles Bouri, drejtori i Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë është marrë në pyetje mesditën e djeshme për rreth 60 minuta nga oficerët e Policisë së Tiranës, në lidhje me vrasjen e shtetasit palestinez Anwar Rizik.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, një muaj pas vrasjes së Rizik, pista kryesore ku janë fokusuar tashmë hetimet është ajo e konkurrencës.

Ndërkaq, një incident i rëndë është regjistruar me truprojat e Charles Bourit, të cilët kanë dhunuar dhe kërcënuar 3 gazetarë, të cilët kanë qenë duke fotografuar libanezin në momentin që ky i fundit ka qenë duke dalë nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Hetimet
Pista e konkurrencës është ngritur pas provave të reja të dala në dritë gjatë hetimeve të kryera, duke lënë në hije pistën e ngritur fillimisht për shkak të konflikteve për çështje pronësie me banorët e zonës. Në lidhje me këtë fakt, gjatë ditës së djeshme, Charles Bouri është thirrur për t’u marrë në pyetje dhe për të hedhur dritë mbi konfliktet e mundshme për shkak të konkurrencës. Por nga ana tjetër, burimet shprehen të rezervuara në lidhje me deklarimet që Drejtori i fabrikës ka dhënë në polici, pasi sipas tyre, ato janë ende në proces hetimor. Ndërkaq, bëhet e ditur se dy ditë më parë, janë marrë në pyetje dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj fabrike, të cilët gjithashtu u janë përgjigjur pyetjeve të oficerëve të policisë. Pavarësisht se hetimet janë fokusuar në pistën e vrasjes për shkak të konkurrencës, mësohet se edhe pistat e tjera të hetimit nuk janë lënë pas dore nga ana e grupit hetimor.

Incidenti
Pas gati 60 minutash të kaluara në ambientet e Policisë së Tiranës, Charles Bouri është larguar prej aty, por duke lënë pas një incident të rëndë mes 3 gazetarëve dhe njërit prej truprojave të tij. Rreth orës 12:30, Bouri ka dalë nga dera e Policisë së Tiranës dhe aty e kanë pritur tre gazetarë për ta fotografuar dhe për t’i marrë një prononcim në lidhje me deklarimet e dhënë përpara oficerëve të policisë. Në kohën kur gazetarët, Dashamir Biçaku, Bledi Gilaj dhe Thimi Samarxhiu, kanë qenë duke fotografuar Drejtorin e fabrikës së çimentos, nga pas krahëve është afruar një prej truprojave të Bourit, i cili i është afruar fillimisht gazetarit Biçaku, duke e pyetur nëse kishte fotografuar apo jo. Në kohën kur gazetari e ka pohuar, truproja ka tentuar t’i marrë nga dora telefonin celular dhe kur nuk ia ka arritur, ai ka goditur me shpullë në fytyrë gazetarin e gazetës “Shekulli”, Dashamir Biçaku. Në këto kohë kanë ndërhyrë dhe dy gazetarët e tjerë, si dhe disa oficerë policie që ndodheshin aty, por truproja nuk është mjaftuar me kaq, duke kërcënuar dhe ofenduar të tre gazetarët, të cilëve u është drejtuar me fjalët: “Jua ndreq unë juve”. Pak sekonda më pas, ai është marrë nga ana e Charles Bourit dhe një personi tjetër dhe janë larguar me shpejtësi në një makinë tip “Toyota” në drejtim të “Urës së Lanës”. Ndërkaq, nga ana e tyre, gazetarët i janë drejtuar Komisariatit 3 në krye-qytet, ku kanë depozituar kallëzimin e tyre në ngarkim të personit që i dhunoi dhe kërcënoi. Nga këto deklarime, mësohet se personi në fjalë ishte rreth 170-175 cm i gjatë, me kapele, syze, dhe i veshur me një bluzë ngjyrë jeshile. Nga ana e tyre, strukturat e Komisariatit 3, kanë nisur menjëherë punën për të identifikuar dhe ndaluar personin në fjalë.

Palestinezi u vra me bombë kur hapi derën e shtëpisë
Ngjarja, ku mbeti i vrarë shtetasi palestinez Anëar Rizik, është regjistruar mën-gjesin e datës 9 maj, kur ky i fundit sapo ka hapur derën e jashtme të banesës së tij, një sasi e konsiderueshme eksplozivi ka shpërthyer duke i marrë jetën. Rreth orës 07:30 ai ka zbritur dhe ka qenë i shoqëruar me djalin e madh, ndërsa djali i vogël së bashku me bashkëshorten gjende-shin në katin e dytë të banesës. Sipas policisë, mekanizmi që ka shërbyer për ndezjen e eksplozivit ka qenë vetë dera e banesës, pasi aty ishte vendosur një kapsoll granate, e cila ishte futur brenda një sasie të konsiderueshme tritoli. Sipas dëshmitarëve, Rizik ka qenë gjallë për rreth 30 minuta pas ngjarjes, por ndihma e shpejtë ka munguar. Ndërkaq, Policia e Tiranës pavarësisht se ka kontrolluar kamerat e sigurisë nuk ka arritur të identifikojë autorin e këtij krimi.

Burimi: (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.